Shefja e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj-Bujupi është tejet e bindur se koha e dy partive në pushtet PDK-LDK po perëndon, për çka thotë se opozita nuk do të ketë nevojë të organizojë edhe shumë protesta sepse legjitimitetin e qeverisjes aktuale e sheh të rrëzuar për toke.
Ajo në një intervistë ekskluzive dhënë për portalin mbarëkombëtarë tesheshi.com jep një mesazh të fortë ku thotë: “Gjenerata e tanishme nuk duhet të hesht, duhet të flas, të organizohet dhe të bëj ndryshimin. Ky ndryshim do të ndodh këtë pranverë”.
E pyetur nëse kanë marrë ndonjë ofertë nga njerëzit e pushtetit për dalje nga kriza politike, ofertë kjo e proklamuar së fundmi nga kryeparlamentari Kadri Veseli, deputetja opozitare në mënyrë kategroike thotë se me pushtetin do të takohen vetëm ditën kur do të dakordohen për datën e zgjedhjeve por në asnjë rrethanë tjetër.
Në këtë intervistë Kadaj-Bujupi flet edhe për protestën e radhësqë do të mbahet më datë 26 mars, për atë nëse opozita do t’ia prish festën Thaçit ditën kur do të zyrtarizohet si president i vendit, si dhe për Gjykatën Speciale e çështjen e liberalizimit të vizave.
Intervistoi: Blendi Gashi
Znj. Donika, seanca e radhës është caktuar më datë 24 mars. Ju keni deklaruar se nuk do të merrni pjesë, ndërsa VV ka thënë po. A do të rikthehet AAK në seanca nëse në rend dite do të jetë statuti i Asociacionit?
Deputetët e Aleancës kanë vendosur që për shkak të shkeljeve që kanë ndodhur në Kuvend i cili ka dështu në mbrojtjen e integritetit të vendit, ka dështu në mbrojtje të Demarkacionit, ka qenë vend ku është pretendu me u legjitimu heqja dorë nga resurset tona siç është Trepça, Ujmani, ndërsa deputetët e pozitës kanë hesht. Kuvendi është vendi ku ka dështu me mbrojt integritetin dhe identitetin e deputetëve, ku ata janë hequr zvarrë, ku më shumë ka pasur policë se deputet dhe ku është shkel betimi i deputetit në më shumë se një herë. Duke pasur parasysh këto, kemi konsideruar se në këtë fazë, ky kuvend, dhe sidomos pas datës 23 dhjetor, ka humbur legjitimitetin. Dhe ne për këto arsye kemi vendos që të tërhiqemi.
Po nëse vjen statuti i Asociacionit për miratim në Kuvend do të merrni pjesë?
Atëherë do të diskutohet, por si vendim i Aleancës është se ne do të tërhiqemi.
Më 26 mars opozita do të mbaj protestën e radhës në Prishtinë. Siç dihet kjo datë është tejet e rëndësishme për shqiptarët pasi më 26 mars 1981 u mbajt protesta më masive që lëkundi themelet e Jugosllavisë. Mos keni caktuar këtë datë duke pasur parasysh protestën në fjalë? Dhe a pritni që protesta e së shtunës të jetë edhe më masive se të kaluarat dhe njëkohësisht paqësore?
Fatkeqësi për Kosovën është riciklimi i të kaluarës edhe 16 vite pas luftës, duke na kthyer në momentet e dhimbshme të historisë sonë kur studentët kanë vepruar, nuk kanë heshtur dhe kanë bërë ndryshimin. Ne konsiderojmë se edhe gjenerata e tanishme nuk duhet të hesht, duhet të flasë, të organizohet dhe të bëj ndryshimin, dhe ky ndryshim do të ndodh këtë pranverë; dhe 26 marsi është protesta e parë në këtë sesion pranveror, por nuk do të ketë nevojë të kemi edhe shumë protesta të tjera se po shihet se ligjitimiteti i kësaj qeverisje është në rënie dhe deklaratat e tyre të turpshme në baza ditore, veprimet e tyre, kërcënimi i gazetarëve së fundmi, një qasje totalitare dhe kapëse e shtetit dhe të gjitha institucioneve të pavarura, e bëjnë të pamundur funksionimin e mëtutjeshëm të kësaj qeverie.
Protesta e 26 marsit që organizohet nga opozita e bashkuar është simbolikë dhe ne nuk do të donim të protestonim për tema që lidhen me interesin kombëtar dhe të vendit se lufta ka mbaru, por ky binom politik (PDK-LDK), na ka sjell në pozitë ku për shkak të rrezikimit të shtetit duhet të organizohemi si komb të mos heshtim por të veprojmë në mënyrë që t’i ndalim këto të këqija.
Kryekuvendari Kadri Veseli, pa treguar se për çfarë bëhet fjalë ka paralajmëruar siç ka thënë një ofertë serioze për opozitën. A mund të na tregoni deri tani a ka çuar pushteti ndonjë “selam” tek opozita se cila mund të jetë oferta, dhe se a ka biseduar ai me ndonjë zyrtar ngab radhët tuaja?
Nuk kemi pasur takim. E vetmja ditë kur do të takohemi me pushtetin është dita kur të dakordohemi për datën e zgjedhjeve. Konsiderojmë që zgjedhjet duhet të jenë të jashtëzakonshme brenda afateve sa më të shkurta kohore të parapara me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi.
Ndërkohë, si e vlerësoni një ofertë të pushtetit adresuar konkretisht AAK-së, që t’u ofrohet një post zv.kryeministrit dhe ndonjë ministri, pra të formohet një qeveri teknike deri në organizimin e zgjedhjeve të reja? A do ta pranonte AAK një gjë të tillë?
Opozita të gjitha veprimet i bën për shtet e jo për pushtet dhe ky shtet nuk mund të funksionojë tutje me këtë pushtet jolegjitim, prandaj e vetmja ofertë e pranueshme është caktimi i datës së zgjedhjeve.
Pushteti është deklaruar se zgjedhjet do të mbahen më 2018-të, pra në kohën e paraparë. Ju si AAK kur mendoni se më së largu do të mbahen zgjedhjet e reja? A jeni duke e biseduar opsionin e prezantuar të një liste të përbashkët me dy partitë tjera në opozitë VV-në dhe NISMA-n? Nëse po, si kanë ecur gjërat në këtë drejtim deri më tani dhe a besoni që së bashku mund ta rrëzoni nga pushteti PDK dhe LDK-në?
Opozita konsideron se zgjedhjet duhet të jenë të jashtëzakonshme sepse nuk ka mundësi që një qeveri që e ka shkel Kushtetutën të vazhdoj të qëndroj deri në ato afate kohore. Janë shkelës të Kushtetutës dhe në rrethana normale dhe në vende demokratike duhej të jepet përgjegjësi dhe më e vogla është shkuarja në zgjedhje. Personalisht mendoj se lista e përbashkët do të dilte fituese e zgjedhjeve me shumicë absolute. Kjo listë është opsionale, ende nuk jemi dakordu sepse si subjekte politike kemi subjektivitetin tonë, kemi temat që lidhen me programet tona që paraprakisht duhet shqyrtohet parimet e përgjithshme, programet dhe të shohim se a do të mund të dalim me një listë të përbashkët. Deri më tani kemi avansuar por ende ka punë për të bërë.
Një çështje e pashmangashme që duhet biseduar është edhe zgjedhja e Thaçit president. Ai pritet të merr zyrtarisht më 7 prill këtë post. A do të organizojë opozita e bashkuar ndonjë aktivitet për të prishur festën e Thaçit?
Mënyra jolegjitime përmes të cilës është zgjedhur Hashim Thaçi president përmes snajperëve mbi ndërtesat e institucioneve, kundërshtimit qytetar, zvarritja e deputetëve dhe dhunës që shprehnin ndaj qytetarëve është argumenti më i fuqishëm se ky person nuk është president unifikues por është vetëm president i disa deputetëve të blerë dhe të shantazhuar të LDK-së, PDK-së dhe Listës Serbe dhe deputetëve të pavarur.
Pra, ai është president përmes terminalve, korrupsionit, blerjes së votës dhe ai për asnjë moment nuk është president unifikues i qytetarëve të Kosovës.
Një temë mjaft e diskutuar është edhe çështja e liberalizimit të vizave. A pritni që këtë vit kosovarët të udhëtojnë lirshëm. Nëse ndodh një gjë e tillë a mund të jetë 2016-ta dhe 2017-ta një vit i largimit masiv të qytetarëve por këtë herë përmes rrugëve legale?
Me këtë shkallë të korrupsionit, me këtë kapje të shtetit, me këtë mosfunskionimit të sundimit të ligjit është e pamundur të ketë liberalizim të vizave, edhe pse ne (opozita) do të dëshironim që qeveria të t’i kryente me kohë punët e veta në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mos mbesin të izoluar. Mungesa e përspektivës në vendin tone po i shtyn qytetarët t’i kenë sytë nga perëndimi. Nga depresioni në të cilin jetojnë nuk po i zgjedhin rrugët, po rrezikojnë edhe familjet dhe kjo është edhe ana më e dhimbshme dhe tregon se ku gjendet Kosova 16 vjet pasluftës. Pavarësisht në të zezën apo përmes liberalizimit të vizave njerëzit do të vazhdojnë të ikin. Është skandaloze që për shkak që në mungesë të shërbimeve shëndetësore edhe vllau i kryeministrit të kërkon azil nga vendi.
Nëse ju si opozitë e bashkuar vini në pushtet a keni ndonjë plan se si të ktheni shpresën e qytetarëve që ata të mos largohen nga vendi edhe nëse liberalizohen vizat?
Ne besojmë fuqishëm se do të menaxhojmë krizën në të cilën gjendet vendi. Do të hapim një kapitull të ri të presporitetit, të një republike që i takon qytetarëve e jo pushtetarëve, një vend ku do të ketë mundësi për mirëqenie dhe zhvillim.
Krejt, në fund një pyetje për Gjykatën Speciale. Këtë vit pritet të nis punën. Çfarë pritni konkretisht nga kjo gjykatë? A do ta dridh skenën politike në Kosovë?
Ne e kemi kundërshtu fuqishëm. Konsiderojmë se Kosova ka dhënë shembull në rajon se si duhet bashkëpunu me gjykatat vendore ndërkombëtare, këtë e kanë dëshmuar Haradinaj dhe Limaj. Mirëpo për shkak të dështimeve ka bërë që kjo gjykatë të rikthehet përsëri dhe të shkel sovranitetin e vendit tonë. Ne konsiderojmë që kjo Gjykatë është një padrejtësi, një impiant në Kushtetutën e Republikës së Kosovës e cila kërkon kohë për t’u shëruar dhe akomoduar brenda sistemit tonë kushtetues, ndërkohë rezultatet do të tregojnë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të pastër çlirimtare. Nëse kapasur individ keqbërës ata do të duhej të ndëshkoheshin. /tesheshi.com/