Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, ka qenë dje në kryeqytetin turk, vetëm dy ditë para se BE-ja dhe Turqia të bëhen sërish bashkë në një takim në përpjekje për të arritur një marrëveshje për refugjatët.
Tusk ka theksuar në bisedimet e djeshme se ka ende punë për ta bërë të pranueshme për të 28 anëtarët e BE-së marrëveshjen e re me Turqinë mbi refugjatët.
“Detyra ime për takimin tonë të enjten dhe të premten është t’i bashkoj elementët e nevojshëm për ta bërë të shëndoshë ligjërisht këtë propozim, në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe të BE-së, të zbatueshëm praktikisht, e, sigurisht, të pranueshëm për 28 shtetet anëtare të BE-së, si dhe për Turqinë.”
Kalimi i sigurt për në Europë dhe reduktimi i emigracionit ilegal janë synimi i marrëveshjes së ofruar BE-së nga Turqia, bëri të ditur, në anën tjetër, kryeministri turk Davutogllu.
Ai deklaroi se propozimi turk kishte në qendër të tij dimensionin human, e jo atë monetar. “Ne kurrë nuk kemi negociuar për para. Kurrë nuk e kemi çmuar këtë si një çështje financiare. Kjo është një çështje humanitare.”
Takimi dyditor mes BE-së dhe Turqisë, që nis nesër, do të kërkojë të përmbyllë marrëveshjen për refugjatët, për të cilën ka patur si zëra pro ashtu edhe kundër. /tesheshi.com/