Qeveria e Edi Ramës ka marrë vlerësimin e parë negative pas 3 vitesh pushtet. Një projektrezolutë e Parlamentit Europian që pritet të miratohet së shpejti thekson në mënyrë të prerë se ka rritje të korrupsionit në vend, duke përmendur si primare jo drejtësinë por arsimin e shëndetësinë.
Në dokumentin që është votuar me shumicë në Komisionin e Jashtëm, theksohet se Shqipëria ka bërë përparim me reformat kyçe, por duhet ende punë.
Projekti bën të ditur se nëse Shqipëria dëshiron të nisë negociatat për tu bërë anëtar në Bashkimin Evropian, duhet të intensifikojë përpjekjet për reforma në fushat kyçe, si drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe në administratën publike, e të drejtat themelore.
“Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian mbetet i shqetësuar për zgjerimin e korrupsionit në arsim, shëndetësi, drejtësi dhe disa fusha të tjera. Shqetësim përbën edhe përhapja e vetëcensurës mes gazetarëve, të cilët ka raste që edhe pengohen fizikisht për ndjekjen e ngjarjeve specifike, sulmohen ose kërcënohen për shkak të punës së tyre”, theksohet në dokumentin që është publikuar në faqen zyrtare të Parlamentit Europian.
Rezoluta për Shqipërinë është aprovuar 47 vota pro, 3 kundër dhe 4 abstenime.
/tesheshi.com/