Agjencia e lajmeve “Associated Press” ka pasur një bashkëpunim zyrtar me regjimin e Hitlerit në vitet 1930, duke furnizuar gazetat amerikane me materiale të prodhuara drejtpërsëdrejti dhe të përzgjedhura nga ministria e propagandës naziste. Pohimin e bën të ditur një historiane gjermane e cila ka nxjerrë dokumentet nga arkiva e kohës.
Kur partia naziste erdhi në pushtet në Gjermani në vitin 1933, një nga objektivat e parë ishte të bënte për vete jo vetëm shtypin kombëtar, por edhe median ndërkombëtare. “The Guardian” u ndalua për gati një vit dhe në vitin 1935 edhe agjenci më të mëdha britaniko-amerikane si “Keystone” apo “Wide World Photos” u detyruan të mbyllin zyrat e tyre pasi u sulmuan se kishin punësuar gazetarë hebrenj.
“Associated Press” e cila së pari e përshkroi veten si “trupat marins të gazetarisë” (gjithmonë hyjmë të parët dhe dalim të fundit) ishte e vetmja agjenci perëndimore në gjendje të punonte hapur në Gjermaninë e Hitlerit, duke vijuar bashkëpunimin derisa sa Shtetet e Bashkuara hynë në luftë në vitin 1941. Gjatë kësaj kohe, ata ishin në situatën e leverdishme si kanali i parë i raportimit të lajmeve dhe fotografive nga shteti totalitarist.
Në një artikull të publikuar në gazetën akademike, “Studime në Historinë Bashkëkohore”, historiania Harriet Scharnberg tregon se si AP ishte e vetmja agjenci në gjendje të kishte akses, duke hyrë në një bashkëpunim me përfitim dypalësh me regjimin nazist.
Agjencia me seli në Nju Jork mori kontroll për publikimet, duke nënshkruar të ashtuquajturin dokumentin Schriftleitergesetz (ligj editorial), ku premtonte të mos publikonte asnjë material që ishte i llogaritur për të “dobësuar fuqinë e Rajhut jashtë vendit ose brenda vendit”.
Ky ligj kërkonte nga AP të punësonte reporterë që kishin punuar për divizionin e propagandës naziste. Një nga katër fotografët e punësuar nga “Associated Press” në vitet 1930, Franz Roth, ishte anëtar i propagandës në divizionin paraushtarak SS, fotografët e të cilit zgjidheshin personalisht nga Hitleri. AP i kishte hequr fotografitë e Roth nga faqja e saj e internetit prej kur Scharnberg publikoi gjetjet e saj, përmes materialeve të mbetura të disponueshme për shkak të problemeve me softuerin e kompjuterit.
Artikulli vjen vetëm pak përpara 170-vjetorit të “Associated Press” në muajin maj, e informacionet e sapozbuluara ngrenë pyetje të vështira për rolin që luajti AP në mundësimin e Gjermanisë naziste për të fshehur fytyrën e vërtetë gjatë viteve të para të Hitlerit në pushtet, por gjithashtu edhe për marrëdhënien e agjencisë me regjimet më të vonshme totalitariste.
Ndërkohë që marrëveshja e firmosur nga AP mundësoi perëndimin të hidhte një vështrim në një shoqëri që përndryshe mund të kishte qenë tërësisht e fshehtë, – gjë për të cilën korrespondenti i Berlinit, Louis P Lochner fitoi një çmim Pulitzer në vitin 1939 – marrëveshja u mundësoi gjithashtu nazistëve të mbulojnë disa nga krimet e tyre.
Scharnberg, historiane në “Halle’s Martin Luther University”, argumenton se bashkëpunimi i AP me regjimin e Hitlerit u lejoi nazistëve të “portretizojnë një luftë shfarosëse si një luftë konvencionale”.
Në qershor 1941, trupat naziste pushtuan qytetin Lviv në perëndim të Ukrainës. Nën zbulimin e provave për vrasje masive të kryera nga trupat sovjetike, forcat pushtuese gjermane kishin organizuar “hakmarrjen” me anë të pogromeve kundër popullsisë hebreje të qytetit.
Fotografitë e Franz Roth të trupave të pajetë brenda burgjeve të Lvivit u përzgjodhën nën urdhërat personalë të Hitlerit dhe u shpërndanë në shtypin amerikan përmes agjencisë AP.
“Në vend të printonte fotografitë nga pogromet që zgjatën disa ditë në Lviv e ku pati me mijëra viktima hebreje, shtypi amerikan u furnizua vetëm me fotografitë që tregonin viktimat e policisë sovjetike dhe “shtazëve” të ushtrisë së Kuqe”, tha Scharnberg për gazetën “the Guardian”.
“Deri këtu, është e drejtë të thuhet se këto fotografi luajtën rolin e tyre në maskimin e karakterit të vërtetë të luftës që po zhvillonin gjermanët”, thotë historiania. “Se cilat ngjarje bëheshin të dukshme e cilat mbeteshin në hije në furnizimin me fotografi që dërgonte AP, bëhej sipas interesave gjermane dhe mënyrës gjermane të rrëfimit të luftës”.
Pyetur për të dhënat, AP përmes një deklarate thotë se “raporti i Scharnberg përshkruan individë dhe aktivitetet përpara dhe gjatë luftës që ishin të panjohura për AP”, dhe se aktualisht po rishikon dokumentet në arkivën e saj dhe në të tjera për “kuptuar më tej periudhën”.
Një zëdhënës i AP tha për “Guardian”: “Ndëra ne vijojmë kërkimet për çështjen, AP refuzon çdo pretendim se agjencia me dashje ka bashkëpunuar me regjimin nazist. Një karakterizim më i kujdesshëm është se AP dhe organizata të tjera të huaja lajmesh ishin nën presion intensive nga regjimi nazist që nga viti që Hitleri erdhi në pushtet në 1932-in e deri në përjashtimin e AP nga Gjermania në vitin 1941. Menaxhmenti i AP i rezistoi presionit ndërsa punonte për të mbledhur lajme të përpikta, vitale e objective në një kohë të errët dhe të rrezikshme”.
Zbulimet e reja mund të ishin me interes vetëm për historianët, nëse nuk do të ishte për faktin që marrëdhëniet e AP me regjimet totalitare të mos viheshin nën hetim sërish. Që nga janari 2012, kur AP u bë e para agjenci perëndimore që hapi zyrën në Korenë e Veriut, u ngritëb nga pyetje për neutralitetin e lajmeve që dilnin nga byroja e Penianit.
Në vitin 2014, faqja me bazë në Uashington “NK Neës” pretendoi se shefat ekzekutivë më të lartë të AP ishin marrë vesh në vitin 2011 “të shpërndanin propagandën shtetërore të Koresë së Veriut përmes emrit të agjencisë” në këmbim që të lejoheshin të hynin në tregun e leverdisshëm të shpërndarjes së materialeve fotografike nga shteti totalitarist. Republika Demokratike Popullore e Koresë së Veriut vjen e dyta nga fundi në indeksin aktual të lirisë së shtypit botëror.
Një draft-marrëveshje e rrjedhur pa leje tregon se AP ishte dukshëm e vullnetshme për të lejuar agjencinë koreane KCNA të përzgjidhte një tekst dhe një fotografi nga njësia e saj e agjitacionit dhe propagandës për ta punuar në zyrën e saj. AP i tha “The Guardian” se “do të ishte arrogante të pretendosh se drafti ka ndonjë domethënie, por refuzoi të nxirrte detaje të tjera për marrëveshjen finale.
Ngjarje domethënëse të raportuara në median ndërkombëtare, nuk zbulohen nga zyra e AP në Penian, të tilla si zhdukja gjashtëjavore e liderit Kim Jong-un në shtator-tetor 2014, apo kur në nëntor 2014 hakerimi i “Sony Entertainment” u orkestrua nga agjencia e luftës kibernetike koreanoveriore, apo raportime për urinë që pllakosi provincën Hëanghae në vitn 2012.
Kur agjencia franceze e lajmeve “Agence France-Presse” nënshkroi marrëveshjen për të hapur zyrën e saj në Penian në janar të këtij viti, ish shefi i byrosë së AP në Penian, Jean Lee komentoi se ishte një shenjë e “besimit të shtuar të regjimit në aftësinë e vet për të mbajtur nën kontroll gazetarët e huaj”.
Zëdhënësi i AP mohoi se agjencia i është dorëzuar censurës. “Ne nuk lejojmë rishikim të lajmeve nga agjencia shtetërore e Koresë së veriut apo nga ndonjë zyrtar tjetër qeveritar përpara se t’i publikojmë. Në të njëjtën kohë, zyrtarët kanë lirinë të japin apo të mohojnë intervista”.
Nate Thayer, ish-korrespondent i AP në Kamboxhia i cili publikoi draft-marrëveshjen pa autorizim, tha për “Guardian”: “Duket se AP ka mësuar shumë pak nga historia e vet. Të pretendosh, si bën agjencia, se Koreja e Veriut nuk kontrollon lajmet që nxirren, është qesharake. Natyrisht është argument që çdo akses në një shtet sekretiv është i rëndësishëm. Por në fund të ditës, vlen ajo që u thua lexuesve se raportimet e tua bazohen në burime të pavarura dhe neutrale”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/