Një vit më parë, gazetarja Admirina Peçi do të publikonte disa dokumenta të rralla të vitit 1971, ku flitej për zhvillimet në Teatrin Popullor, siç quhej në atë kohë, sot Teatri Kombëtar.
Shkrimi, diktuar nga dokumentat e gjetura, servirej me faktin e potencuar se Kadri Rroshi ka mbetur i papunë.
“Kontrolli punëtor në TK: ‘Ka aktorë që kanë vjetë pa u aktivizuar. Sh. Kadri Roshi tha ‘Ajo që na preokupon ne është papunësia; e theksoj grevat tek ne janë ndaluar por ne ka kohë që e vazhdojmë grevën e papunësisë. Ka ardhur koha më në fund të marrë rrugë kjo punë’. Disa aktorë thanë se ‘na vjen turp të marrim rrogën se e marim atë kot’”…
Por sot , këto dokumenta mund të shihen dhe në një tjetër këundvështrim, atë politik.
Siç dihet, prej javësh ka një zhvillim në TK, ku një pjesë artistësh janë kundër shembjes së saj. Pretendimi është emocional: aty është një histori, një trashëgimi e vyer arti. Krah këtij grupimi ka dalë opozita si dhe disa figura të shoqërisë civile, por që për ironi ka qenë goditësit më të ashpër të kinemasë shqiptare të socrealizmit, duke e konsideruar një atavizëm ideologjik deri dhe kriminal. Por a ka qenë i tillë dhe Teatri Kombëtar, dje popullor?
Duket se po. Ndërkohë, kur PD, më saktë Berisha kërkonte pak vite me parë shembjen e Piramidës, pretendimi ishte po idelogjik: aty brenda ndodhet hija e Enverit. Meqë funksioni fillestar kish qenë një muze për diktatorin.
Ndërkohë, teza e atyre që e mbrojnë godinën e TK-së, nuk është për arsye estetike por se brenda saj enden shpirtërat e saj e sa mjeshtrave të skenës.
Gjithsesi, dokumentat tregojnë se dhe Teatri, ishte po ashtu një mekanizëm artistik me funksion idelogjik për kohën, gjë që duhet ta kenë parasysh jo artistët, pasi ata kanë legjitimitet të gjykojnë vetëm artistikisht mbi të, por zërat me ngarkesë politike të cilat nuk i përmbahen një standarti.
Përmbajtja e dokumentave:
BASHKIMET PROFESIONALE TË SHQIPËRISË
KËSHILLI QENDROR
Nr. 281 Prot.
Tiranë, më 3.6.971
Sh. Xhafer Spahiu
T i r a n ë
Bashkangjitur ju dërgojmë informacionin mbi një kontroll punëtor në Teatrin Popullor.
SEKRETARI KQ BPSH
(Sotir Kamberi)
(firma, vula)
INFORMACION MBI NJË KONTROLL PUNËTOR NË TEATRIN POPULLOR
Disa ditë me radhë një grup punëtorësh të NSHOA-s shkuan në Teatrin Popullor. Në datë 26 Maj ata dhanë konkluzionet në mbledhjen e organizatës profesionale ku ishin thirur edhe disa dramaturgë. Kontrolli vlerësoj drejtë me takt e dashuri punën që bëhet, por ngriti dhe shumë probleme serjoze. Kritikat e punëtorëve u pritën mirë, bile shumica e shokëve të Teatrit që diskutuan ishin më të avancuar në kritikën gjendjes së sotme të këtij institucioni. Gjërat që u ngritën mbase nuk janë dhe të panjohura, për to është folur, por masa serjoze për ta nxjerë nga gjendja nuk janë marë.
1.- Problemi më çqetësonjës që ngritën punëtorët, dhe akoma më me forcë vetë punonjësit e Teatrit Popullor, është aktiviteti i pakët, çështja e premierave. Një vit më parë Teatri u kritikua në shtyp. U bë një analizë që vazhdoj dy ditë ku ish edhe shoku Manush. Nga ana e drejtuesve u bë edhe autokritikë. Por gjendja ka ndryshuar shumë pak. Njerëzit janë pa punë. Premiera që të angazhojnë forcat e Teatrit nuk po vihen, njerëzit sorollaten kot tërë ditën. Ka aktorë që kanë vjetë pa u aktivizuar. Sh. Kadri Roshi tha “Ajo që na preokupon ne është papunësia; e theksoj grevat tek ne janë ndaluar por ne ka kohë që e vazhdojmë grevën e papunësisë. Ka ardhur koha më në fund të marrë rrugë kjo punë”. Disa aktorë thanë se “na vjen turp të marrim rrogën se e marim atë kot”. Ndrek Luca tha se “Nga drejtori jonë u dha intervistë në “Zëri Popullit” për pjesët që do viheshin në skenë. Ka kaluar kaqë kohë nuk po shofim ku janë premierat. Nuk kemi në dorë asgjë”.
Në tërë diskutimet dolli se shokët janë shumë të shqetësuar. Drejtoria bën apelin në mëngjes dhe pastaj tërë ditën njerëzit bredhin. Aty u dhanë mendime edhe pse vazhdon kjo gjendje edhe si mund të delet. Por shumë njerëz thanë se të gjithë flasin, “themi i dimë” por masa për të ndryshuar me të vërtetë gjendjen nuk janë marrë.
a/ Dihet se arësyeja e kësaj gjendje si u paraqit sidomos nga drejtuesit e Teatrit është mungesa e pjesëve. Pjesë kemi e pjesë s’kemi. Është folur në shtyp për dhjetra pjesë të reja që kanë fituar dhe në konkurse. Prej tyre ka të dobëta, por ka dhe të mira që me një punë mund të çfaqen. Përse atëherë nuk veprohet? A është mirë të qëndrojmë pa punë apo t’u vihemi me guxim gjërave qoftë sikur në ndonjë rast edhe të dështojmë. Këtu si dolli nga konkluzionet e punëtorëve dhe diskutimet ka:
– Mendjemadhësi. “Konflikti për zgjedhjen e pjesëve të reja vazhdon, me gjithse drejtoria ka bërë autokritikë prap ajo vazhdon të pretendojë drama të mëdha” tha Esma Agolli. Me që ato akoma s’i kemi, rimë pa punë. U desh luftë e madhe për pjesën “Një nuse për Stasin”, “Një dimër i shkurtër” etj.
– Ka lëkundje, mungesë guximi nga ana e drejtorisë. “Drama “Marga” fitoi në konkurs, u aprovua në këshillin artistik por ajo po vërtitet në drejtori për guston e njërit apo të tjetrit” tha Esma Agolli. Dhe kështu është vërtet.
b/ Bashkëpunimi i Teatrit me dramaturgët është jo i mirë. Kjo mbase vjen për fajin e të dy palëve. Por si dolli edhe nga vetë aktorët e Teatrit, vetë drejtoria nuk punon mirë, me kujdes, me dashuri që ata të afrohen, të kuptojnë drejtë vërejtjet që u bëhen për pjesët etj. Në konkluzionet e punëtorëve dhe në vetë ndërhyrjet mjaft të ashpra të Loni Papës del se marëdhënjet janë me të vërtetë shumë të acaruara. |Drama |Marga” u dorëzua 4 vjet më parë dhe fitoj çmimin e parë në konkurs. Ajo ka qenë aprovuar dhe nga Këshilli artistik. Kjo më bën që unë të mos kem respekt për teatrin Popullor. Kam bërë edhe dy pjesë të tjera që janë shumë të mira por nuk i dorëzoj se kam frikë se më digjen edhe këto si “Marga”. Bashkëpunimi midis nesh është për tokë”. Këto janë mendime të Loni Papës dhënë kontrollit punëtor të cilat i përsëriti në ndërhyrjet e tij në mbledhje. Shumë vërejtje u bënë edhe nga vetë aktorët e Teatrit lidhur me bashkëpunimin. Ndrek Luca tha “Unë them se asnjë autor nuk është i kënaqur nga drejtorija e jonë. Kur pjesa vihet në skenë autorët pranojnë t’i bëhen koregjime pjesës, por ne nuk veprojmë drejt me ata”.
Duket se këtu ka diçka që nuk hecën. Teatri ka për detyrë që të vendosi këtë bashkëpunim aktiv, që të ndikojë në zhvillimin e dramaturgjisë sonë. Ajo siç dihet, me gjithëse është shumë e interesuar nuk e bën këtë punë mirë.
U tha se disa herë edhe dramaturgët nuk i pranojnë vërejtjet. Edhe kjo është e mundur të ndodhi. Por kjo varet shumë edhe si bëhen këto vërejtje. Në raportin e punëtorëve thuhej se dramaturgët nuk thiren në këshillin artistik për të dëgjuar vërejtjet. Pse kjo të mos bëhet? Shoku Riza, drejtor i Teatrit Popullor tha “Është e drejtë se marëdhënjet me autorët nuk kanë qenë të mira” por shumë gatishmëri për këtë çështje nuk u vu re.
c/ U ngrit çështja e paralelit, që të vihen në të njëjtën kohë dy pjesë në mënyrë që të angazhohen mirë tëra forcat. Kjo sigurisht varet nga pjesët. Por edhe ky problem i ngritur me kohë kërkon rrugë.
Përveç të tjerave në teatrin tonë duhen rishikuar ritmi, duhet të korrigjohen disa norma klasike të nxjerrjes së premierave. Lëvizja e amatorëve po jep një mësim të madh.
ç/ Dolli se këshilli artistik nuk e luan rolin e tij. Aty nuk bëhet një shqyrtim serioz i veprave dhe i punës për nxjerrjen e premierave. U tha se këshilli nuk mblidhet në rregull “shokët e këshillit mungojnë”. Shoku Kadri Roshi theksoj “Unë po flas haptas: thonë se ka një këshill artistik. Unë them që s’kemi një këshill artistik por vetëm një komision që thotë vlen ose jo kjo vepër … Këtu tek ne luhet. 7 herë është vendos e ç’vendos të marin apo të mos marin pjesë autorët”. Edhe sh. Riza Hajro e pranon këtë gjendje. Por mbi këtë punë do vënë dorë. Një organ efektiv në krye të teatrit është i nevojshëm dhe do bënte punë të madhe po të vlerësohej.
2.- U ngrit problemi i aktivizimit racional të forcave dhe lidhur me të:
a/ Dublimi. Një problem i njohur por që po trajtohet keq. Këtë e ngritën edhe punëtorët edhe aktorët. Të gjithë folën. Dublimi bëhet jo i menduar por kur ndodhemi keq. Për të dalë nga situata. Kjo ka bërë që ose janë anulluar pjesët ose vihen aktorë të pregatisin pjesën që është punuar për 5-6 muaj në 5-10 ditë “O burra se mbeti pjesa”. Kështu dublantët dalin shumë dobët. U dhanë shembulla të shumta edhe nga pjesët e vjetra dhe të reja. Po të sëmuret Kadri Roshi “Arturo Ui” mbeti. Pse kështu. Dublimi ka shumë të mira: Nuk do anullohet çfaqja, nuk do ketë rënje ajo, rolet kryesore nuk do mbeten vetëm të disave, do aktivizohen më shumë aktorë gjë që sot është një nevojë.
b/ Problemi të rinjve. Më shumë besim. Siç dolli nga raporti ka disa të rinj si Xhovalin Gjoka, Sulejman Dibra që të mos aktivizohen për 3 vjet me radhë. Këta ose këta aktorë nuk vlejnë dhe duhen hequr, çuar në punë të tjera ose duhen aktivizuar. Po i dembelosim e sëmurim të rinjtë.
c/ Ka dhe mjaft të vjetër që për të cilët duhet menduar/ dhe disa masa janë marë. Por aty u bënë kërkesa që të vihen në ndonjë punë. “Unë, tha Gjon Karma, vetë merem edhe me ndonjë punë teknike”. Mbase dhe kjo mund të bëhet.
ç/ Shumë aktorë të vjetër mund të aktivizohen si regjizorë për të vënë pjesë në Teatër ose në grupet amatore. Punëtorët konstatuan që kjo punë as nuk bëhet, as nuk nxitet. Në mbledhje u fol shumë për këtë. Vetë Teatri ka Piro Manin dhe Zinan Anrin. Dhe ankohen për mungesë regjizorësh. Përse nuk aktivizohen Naim Frashëri, Kadri Roshi, Lazër Filipi, Luan Qerimi, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka etj. Eksperimentet kanë vërtetuar se po. Tërë janë optimistë. Naim Frashëri tha “I kemi të gjitha mundësitë të vëmë çfaqje në skenë ashtu siç kemi vënë por këtu s’ka besim tek neve”. Riza Hajro në mbledhje punëtorëve, në përgjigje të kritikave që ata bënë, u shtroj këtë pyetje: “A mendoni ju se punën e regjizorit mund ta bëjnë këta edhe pa ndonjë pregatitje profesionale”. Pyetja ishte pa vend. Duket se ata nuk e kuptojnë këtë problem drejtë. Së pari, eksperienca e ka vërtetuar që ata mund ta bëjnë, se ata përveç aftësive kanë dhe shkollë. Së dyti, në qoftë se është nevoja për një pregatitje profesionale përse nuk e bëjnë këtë? Kjo përveç që është një punë në dobi të Teatrit është edhe një stimul, një sodisfaksion për kuadrot tona.
4.- U ngrit problemi që po vdesin shumë pjesë të vjetra që janë të mira. Çfar po ndodh me “Toka jonë” që ka 7-8 vjet që nuk po jepet? Vdiq Loro Kovaçi dhe vdiq pjesa. Kështu mund të thuhet edhe për disa të tjera. Mos ka këtu nga shokët çfaqje mendjemadhësie. Mbase mbi to do vënë dorë. Por edhe këtë mund ta bëjmë po të jetë nevoja.
5.- Shumë kuadro të Teatrit Popullor kanë shkruar pjesë teatrale p.sh. Sulejman Pitarka, Ndrek Luca etj. Mundësira në këtë drejtim ka që të shkruajnë edhe të tjerë. Mirë po kjo punë nuk nxitet as nga organizata e partisë as nga drejtoria e Teatrit.
U ngritën edhe disa probleme të organizimit të punës, të kontrollit të regjizorit, të trajtimit të punëtorëve të skenës, etj.
Mendojmë se për Teatrin Popullor do marë masa efektive edhe nga Ministria dhe Komiteti Partisë e Komiteti Ekzekutiv i Tiranës në mënyrë që ajo të dalë nga gjendja.
SEKRETARI KQ BPSH
(Sotir Kamberi)
(firma, vula)
Tiranë, 2/VI/971
Shënim:
Raporti i grupit punëtor dhe shënimet e nxjera nga mbledhja, ndodhen në Presidiumin e BP të Tiranës.
KOMITETI EKZEKUTIV I K.P.RRETHIT TIRANËS
V E N D I M
Nr.________ Dt._______ 1970.
Komiteti Ekzekutiv i K.P.Rrethit Tiranës, në mbledhjen e tij të datës sotme, mori në shqyrtim veprimtarinë e Teatrit Popullor,
V E N D O S I :
1) Teatri Popullor të shtojë përpjekjet për të siguruar për skenën një repertor me përmbajtjen të shëndoshë ideologjike dhe nivel të lartë artistik, që t’i shërbejë çështjes së edukimit të masave në këtë etapë të revolucionit. Ai duhet të sigurojë vepra që ofirmojnë të renë revolucionare, vepra që kanë në qëndër heronjtë e kohës, masat që luftojnë me hov revolucionar për ndërtimin e jetës së ré. Në veprat e repertorit të Teatrit Popullor të zejë vendin e duhur heroi pozitiv.
Për të siguruar një repertor të tillë, drejtoria e Teatrit Popullor duhet të forcojë e të zgjerojë rrethin e bashkëpunëtorëve, shkrimtarëve e dramaturgëve duke siguruar ndihmën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve. Të sigurojë një numur pjesësh të reja nga plani vjetor i premierve me qëllim që të krijojë rezerva për vitin pasardhës.
Në Nëndor të çdo viti drejtoria e teatrit Popullor t’i paraqesë për aprovim Komitetit Ekzekutiv repertorin dhe premierat për vitin e ardhëshëm.
2.- Drejtoria e Teatrit Popullor të luftojë për përmirësimin e punës për ngritjen ideo-profesionale të trupës. Për këtë të organizohen rregullisht diskutime rreth premierëve si dhe sesione shkencore. Për edukimin ideo-profesional të trupës të çfrytëzohet edhe puna e saj në prodhim. Që t’i shërbejë më mirë këtij qëllimi, puna prodhuese të zhvillohet pa ndërprerje në ndërmarrjet industriale, ferma dhe kooperativa bujqësore ku të kombinohet dhe me aktivitetin
-2-
artistik.
3) Të sigurohet ngarkesë pune e plotë normale për çdo aktor. Për këtë të pregatiten paralelisht 2-3 pjesë e midis tyre dhe pjesë me një akt, komedi, pjesë të veçanta për fshatin dhe për fëmijët e moshës shkollore.
4) Teatri Popullor të japë 25-30% të çfaqjeve në kooperativat bujqësore, reparte ushtarake, në shkollat e qëndra pune të rrethit. Të japë çfaqje edhe jashtë rrethit, duke organizuar në të njëjtën kohë ardhjen e trupave të tjera.
5) Të thjeshtohet proçedura e aprovimit të pjesëve të reja brënda përbrenda teatrit. Drejtoria duhet të aktivizojë më mirë dhe të gjallërojë këshillin artistik në diskutimin e pjesëve të reja dhe të mbajë përgjegjësi të plotë për nivelin ideo-artistik të pjesëve.
6) Kolektivi i Teatrit Popullor të japë një ndihmë më të madhe lëvizjes amatore në organizimin e aktiviteteve artistike të rrethit si të Olimpiadave teatrale, të festivalit të estradave etj.
7) Drejtoria e Teatrit të marrë të gjitha masat për realizimin dhe tejkalimin e numurit të premierave, të çfaqjeve, spektatorëve dhe të të ardhurave.
8) Të forcohet metoda dhe stili në punë. Me qëllim që të mos ketë shpërdorim të kohës së punës të dublohen rolet dhe të vendoset një disiplinë rigoroze në punë në gjithë kolektivin.
9) Seksioni i Kulturës dhe Seksioni Komunal i Komitetit Ekzekutiv të marrin masa për meremetimet e nevojëshme të depos së dekorit.
10) Seksioni i Kulturës i Komitetit Ekzekutiv të kontrollojë zbatimin e këtyre detyrave.
PËR KOMITETIN EKZEKUTIV K.P.RRETHIT
SEKRETARI: KRYETARI:
(Adem Rada) (Pjetër Kosta)
Përgatiti: Ermir Hoxha – /tesheshi.com/