Nga Bashkim Kastrati
Kosova dhe Shqipëria nuk janë duke bashkëpunuar aq sa duhet dhe aq sa kanë mundësi në aspektin ekonomik. Nëse ka pengesa politike dhe shumë kundërshtime për të realizuar bashkimin kombëtar, kush po na e ndalon që të bashkëpunojmë edhe më shumë në aspektin ekonomik si dy vende?
Kohë pas kohe janë paraqitur barriera të ndryshme në lidhje me importin përkatësisht eksportin në mes të dy vendeve tona.
Edhe pse tash është bërë si praktikë realizmi i një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, në praktik nuk po duket se gjërat po shkojnë si duhet.
Marrëdhëniet ekonomike në mes të Kosovës dhe Shqipërisë janë diskutuar edhe në vizitën fundit që ka pasur presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në Shqipëri. Në kuadër të kësaj vizite dhe delegacionit të saj në Tiranë, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, dhe homologu i tij kosovar, Memli Krasniqi, kanë zhvilluar një takim dypalësh, i cili u ndoq nga një konferencë e përbashkët shtypi.
Të dy homologët theksuan se gjatë takimit u ra dakord për zbatimin konkret të marrëveshjeve që dy vendet kanë lidhur me tregtinë e ndërsjellë. Ministri i Bujqësisë, Panariti, tha se do t’u jepet fund ngërçeve të panevojshme që mund të kenë ndikuar në shkëmbimin tregtar mes dy vendeve.
“U ra dakord që marrëveshjen në fushën e bujqësisë ta shoqërojmë me masa konkrete. Unifikojmë praktikat dhe standardet për disa produkte si mielli. Të mbyllen njëherë e përgjithmonë ngërçet e krijuara në mënyrë të panevojshme. Ne jemi mirënjohës që na keni dhënë status ekskluziv për produktet bujqësore të Shqipërisë. Ne do të bëjmë të njëjtën gjë me produktet e Kosovës, sidomos ato të pëlqyeshme si suxhuku, flija etj. Në këtë mënyrë do të krijojmë një treg të veçantë të lëvizjes së mallrave dhe shërbimeve”, tha Panariti.
Ndërsa ministri Krasniqi u shpreh se pavarësisht rritjes me 50 për qind të volumit të eksporteve të mallrave kosovare drejt Shqipërisë, vënia në praktikë e marrëveshjeve dypalëshe do të rrisë bashkëpunimin edhe më tej.
“Ne u pajtuam që marrëveshjet të mos mbeten thjesht të shkruara, por të unifikojmë standardet dhe certifikatat në funksion të lehtësimit të tregtisë mes dy vendeve. Në frymën e bashkëpunimit vëllazëror ne duhet të stimulojmë rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona”, tha Krasniqi, ndërsa theksoi se duhet dhënë fund një herë e përgjithmonë barrierave për bizneset nga Kosova dhe anasjelltas.
Duhet të eliminohet pengesat për eksportimin e rrushit
Aktualisht vreshtarët e Kosovës kanë probleme dhe pengesa të ndryshme për ta eksportuar rrushin në Shqipëri. Kjo çështje është ngritur edhe në këtë takim. Pra një nga fushat e mundshme të bashkëveprimit që Krasniqi përmendi ishte edhe eksporti i rrushit nga Kosova në Shqipëri, për çka tha se do të ishte e favorshme për vreshtarët e Shqipërisë. Në këtë drejtim ai tha se duhet shqyrtuar të krijohen lehtësime doganore dhe tregtare. Po ashtu u diskutua edhe për krijimin e lehtësirave për vezët dhe bojlerët.
Deputeti i Kuvendi të Kosovës nga radhët e LDK-së Muhamet Mustafa, ka reaguar në lidhje me marrëdhëniet tregtare Kosovë-Shqipëri dhe barriera për vreshtarët. Ai ka deklaruar se shteti shqiptar duhet t’i heq pengesat për eksportimin e rrushit, në mënyrë që vreshtarët e Kosovës të jenë të pranishëm me produktet e tyre në tregun e Shqipërisë.
“Në fillim mu duk si diçka e pabesueshme, po kur edhe ministri Memli Krasniqi foli për ketë problem diçka duhet të ketë. Ai thoshte se po krijohen pengesa për shitjen e rrushit të Kosovës në Shqipëri! Ky është një fakt të hedh një shije të hidhur në rezultatet e mbledhjeve të përbashkëta të të dy qeverive dhe deklaratave me një patos folklorik patriotik. Para disa vitesh ishim ne, disa deputetë në Kuvendin e Kosovës që kundërshtuam pengesa të ngjashme që i bëheshin çimentos nga Shqipëria. Ftoj kolegët deputet në Kuvendin e Shqipërisë të tani ta thyejnë këtë lloj ‘bllokade’ dhe të vejnë para përgjegjësisë ata të i krijojnë pengesa eventuale tregtisë se lire midis Shqipërisë dhe Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Ka progres në marrëdhëniet tregtare, por duhet bërë edhe më shumë
Alban Zogaj, profesor i Ekonomisë në kolegjin Riinvest, ka thënë për tesheshi.com se ka një progres në marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, por ai thotë se të dy qeveritë duhet të bëjnë më shumë në këtë drejtim dhe se për këtë kanë mundësi.
“Marrëdhëniet ekonomike Kosovë – Shqipëri janë përmirësuar dukshëm viteve të fundit, sidomos pas ndërtimit të ‘Rrugës se Kombit’. Volumi tregtar në mes dy vendeve është rritur, edhe pse në favor të prodhuesve nga Shqipëria. Por, në anën tjetër duhet të theksojmë se kjo rritje e volumit tregtar është shumë më e ulët sesa pritjet e shoqërisë në përgjithësi. Në shumë aspekte, bizneset kosovare e kanë pasur të vështirë qasjen në tregun e Shqipërisë, duke filluar nga çështjet administrative doganore e deri tek konkurrenca jo e drejtë e brendshme”, thotë Zogaj.
Gjithashtu, Naim Gashi, profesor i Ekonomisë, ka thënë për tesheshi.com se që nga ardhja e Edi Ramës në krye të shtetit shqiptar, ka një avancim të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Qeveria e Sali Berishës e kishte gojën plotë retorikë politike, ndërsa në kufi vendoste vazhdimisht barriera për prodhuesit dhe bizneset kosovare.
“Në dy vitet e fundit është bërë përparim në shkëmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve, por kjo nuk është e mjaftueshme. Kosova dhe Shqipëria duhet t’i heqin plotësisht doganat për mallrat me origjinë vendore. Problemi kryesor që po pengon shkëmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve janë agjencitë për standardizimin dhe kualitetin e mallrave. Një prodhues nga Kosova edhe pse ka certifikatë për origjinën dhe kualitetin e mallit në Kosovë, ai kur shkon në Shqipëri duhet t’ju nënshtrohet sërish procedurave të kualitetit dhe standardizimit. Kjo po pengon bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve”, thotë Gashi.
Ai thotë se Kosova dhe Shqipëria kanë bërë përparim të madh në unifikimin e tregut energjetik, pasi që Qeveria e Berishës për interesa të ngushta e kishte bllokuar këtë projekt për vite të tëra. Sipas tij, ajo çka i nevojitet aktualisht bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë investimet e përbashkëta dhe një ofertë e përbashkët turistike.
“Kosova ka kapacitete të mëdha të turizmit malor, ndërsa Shqipëria është e njohur për bregdetin e saj. Një kombinim i ofertave turistike do të ishte atraktive për turistët e jashtëm. Ta zëmë në një pako 15 ditore, një turist do të qëndronte 5 ditë në Bjeshkët e Rugovës, 5 ditë në Durrës dhe 5 të tjera në Sarandë. Ofertat e tilla turistike janë shumë atraktive në tregjet ndërkombëtare”, theksoi profesori Gashi.
Ai mendon se sa i përket fushës së bujqësisë, Kosova dhe Shqipëria në përgjithësi nuk e konkurrojnë njëra tjetrën, ato i plotësojnë nevojat për këto produkte dhe se duke u bazuar në kushtet klimatike sezoni bujqësor në Shqipëri fillon më herët, ndërsa në Kosovë përfundon më vonë dhe kjo paraqet një përparësi në treg, kryesisht për konsumator. /tesheshi.com/