Nga Luljeta Progni
Socialistët në tri kohë: PKSH, PPSH, PSSH ndryshimet e një partie në dy shekuj. “200 petritat” e Enver Hoxhës, “komunistët e reformuar” të Fatos Nanos dhe “Rilindja” e Edi Ramës.
Me “200 petrita” nis historia e së majtës shqiptare në 8 nëntor të vitit 1941, për ta mbajtur këtë emër deri në Kongresin e Parë të saj kur kjo parti u legalizua. Deri në këtë nëntor të vitit 1948, PKSH funsksiononte si parti në ilegalitet. Pikërisht më 8 nëntor të vitit 1948, PKSH e mori emrin Partia e Punës së Shqipërisë. Sygjerimi erdhi nga lideri komunist rus, Stalini në takimin që lideri komunist shqiptar, Enver Hoxha, pati me të në Moskë, në verën e atij vitit.
Detajet e këtij momenti gjenden në librin e Enver Hoxhës, “Me Stalinin. “Me 14 korrik arrita në Moskë në krye të delegacionit të parë zyrtar të Repulikës Popullore Socilaiste të Shqipërisë, dhe partisë komunistë shqiptare për një vizitë miqësore në Bashkimin Sovjetik. Veç të tjerash shoku Stalin shfaqi mendimin që partia jonë komuniste, meqenëse përqindja e komunistëve fshatarë në radhët e saj ishte më e madhe, të quhet “Partia e Punës e Shqipërisë”. Sidoqoftë tha ai, unë dhashë një mendim dhe jeni ju, partia juaj, që do të merrni vendimin. Ne do të shtrojmë propozimin tuaj në Kongresin e Parë të partisë që jemi duke përgatitur, dhe kam bindjen se si baza e partisë ashtu edhe udhëheqja e saj do të gjejnë me vend e do të aprovojnë propozimin tuaj….”(vepra e Enver Hoxhës, me tittull : “Me Stalinin, Kujtime” .
Lideri komunist, Enver Hoxha, e mori projektin rus të Stalinit dhe e përshtati në kushtet e Shqipërisë. Ndërkohë ai e kishte nisur projektin e zhdukjes së kundërshtarëve qysh me dënimin e grupit të deputetëve në vitin 1946. Në kongresin e parë të PKSH-së, Enver Hoxha ndëshkoi “grupin armiqësor” të kryesuar nga Koçi Xoxe, i cili kishte qenë deri atëherë njeriu më i afërt i liderit komunist.
Partia e Punës së Shqipërisë e drejtuar nga Enver Hoxha e vazhdoi për 45 vite me radhë politikën gjakatare të zhdukjes së kundërshtarëve duke prodhuar herë pas here “grupe armiqësore” deri në ngushtimin ekstrem të të gjitha lirive të individit në Shqipëri. E përfundoi sundimin me një bilanc tragjik të viktimave të komunizimit në dhjetor të vitit 1990 kur sistemi komunist në Shqipëri, u rrëzua përmes protestave të Lëvizjes Studentore.
Komunistët e reformuar të Fatos Nanos
Në kongresin e dhjetë të PPSH-së, më 12 qershor 1991, 43 vite pas Kongresit të Parë të kësaj partie, kur u ndryshua emri, nga PKSH, në PPSH, kjo e fundit u riemërua Partia Socilaiste e Shqipërisë. I gjithë kongresi u monitorua nga lideri i fundit komunist, Ramiz Alia, i cili e kishte marrë drejtimin e PPSH pas vdekjes së Enver Hoxhës, në vitin 1985.
Ndryshimet në PPSH vinin në një situatë kur kishte pak muaj që ishte rrëzuar sistemi komunist dhe drejtuesit e saj menduan për mundësitë e përshtatjes së kësaj partie në kushtet e reja. Shpërbërja e parties siç ndodhi në vende të tjera të lindjes, nuk ishte një opsion për komunistët shqiptarë. Ata po mendonin vetëm se si kjo parti të vazhdonte të kishte peshën e saj kryesore në zhvillimet që do të pasonin në Shqipëri, pas shpalljes së pluralizimit politik.
Lideri komunist Ramiz Alia detajoi me kujdes ndryshimet që i duheshin partisë , qoftë në emrin e ri të saj qoftë në lidership. Përjashtimi i një pjese të madhe të anëtarëve të Byrosë Politike ishte hapi i parë para këtij kongresi dhe situata ishte më e favorshme. Në Kongresin e Dhjetë të PPSH-së u përjashtua nga partia edhe pjesa e mbetur e Byrosë Politike. Sigurisht, që për Ramiz Alinë nuk ishte e lehtë, por ai po vepronte në një terren kur Byroja Politike ende nuk ishte e sigurt nga tmerri i skenarit të Rumanisë, ku u vra diktatori i këtij vendi Nikola Çaushesku. Ishte ende një opsion ose të paktën kështu po mundohej ta paraqiste Ramiz Alia. Anëtarët e byrosë politike i’u bindën me pak rezistencë vendimit për përjashtim dhe një elitë e re komunistësh erdhi në krye të partisë.
Në atë kongres pati një sërë debatesh edhe për emrin e ri të partisë.
Kishte disa versione për emrin, pasi ishte përjashtuar versioni i vazhdimësisë me të njëjtin emër. Ishte opsion edhe Partia e Progresit të Shqipërisë, propozim që garantonte vazhdimësinë për militantët pasi inicialet nuk ndryshonin. Në fund të debatit, emri i ri u vendos dhe u pranua nga të gjithë delegatët e kongresit.
“S’ka më PPSH, tani jemi një forcë tjetër politike dhe jemi partia Socialiste e Shqipërisë”. Mirpo kjo po ndodhte në një sallë ku ishte busti i Enver Hoxhës edhe pse më pak i vlerësuar sa i përket vendit ku ishte vendosur, në një sallë të mbushur me parulla të PPSH dhe thënie të liderit të tyre legjendar Enver Hoxha, në një sallë ku ishte e gjithë byroja politike dhe bashkë me ta edhe e veja e diktatorit, Nexhmije Hoxha.
Askush nuk pati mundësinë ndoshta as dëshirën të ndryshojë rrjedhën. Fatos Nano u zgjodh kryetar i partisë së riemëruar dhe një grup drejtuesish të tjerë të rinj që i përkisnin niveleve të dyta e të treta të qeverisjes komuniste.
Riemërimi i strukturave të PPSH-së
Në atë kongres u vendos ndryshimi i emërtimit të strukturave drejtuese dhe të posteve të ndryshme, por të gjitha ndryshimet po kryheshin në funsksion të kohezionit brenda partisë, ruajtjes së elektoratit të PPSH-së. Kjo ishte porosia kryesore e Ramiz Alisë. Posti Sekretar i parë i Komitetit Qëndror të PPSH, zëvëndësohej me emërtimin kryetar i partisë. Komiteti Qendror i Partisë, zëvëndësohej me emërtimin Komiteti i Përgjithshëm Drejtues i partisë. Byroja Politike e partisë u zëvendësua me kryesinë e partisë dhe të tjera forume ndryshuan emërtimet e tyre.
Në këto forume u zgjodhën edhe një grup intelektualësh, të cilët u vendosën në postet e rëndësishme të partisë, si fasadë për përmirësimin e imazhit. PS dhe drejtuesit e saj trashëguan nga PPSH-ja elektoratin dhe nisën punën për ndryshimin e imazhit të partisë pa bërë hapat minimal të ndarjes së tyre me të shkuarën gjakatare të PPSH-së në 50 vite, me një bilanc tragjik viktimash.
Asnjë shenjë reale e ndryshimit të mentalitetit komunist të PPSH-së nuk dukej në këtë kongres. Megjithëse vlerësoheshin me ide liberale, udhëheqësit e partisë së re kur vinte puna te vendimet e rëndësishme shfaqeshin mjaft të kompleksuar e të ndikuar nga e shkuara komuniste e PPSH. Fatos Nano, kryetari i partisë së re ishte një nëpunës i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, institucion që drejtohej nga Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e diktatorit Enver Hoxha. Megjithëse kishte shfaqur ide të qarta liberale, Nano konsiderohej beniamin i Nexhmije Hoxhës, karriera e të cilit ishte stimuluar prej saj. Në krah të tij, nënkryetar i PSSH-së u zgjodh Spiro Dede, i cili kishte qenë pjesë e Komitetit Qendror dhe i Byrosë Politike. Në Komitetin e Përgjithshëm Drejtues u zgjodhën një numër i konsiderueshëm anëtarësh të forumeve më të larta drejtuese të PPSH-së, në nivel sekretarësh të parë, apo edhe ofiqarë të administratës shtetërore të regjimit.
Kongresi i parë i PS-së, 1992
Më 22 mars të vitit 1992, Partia Socialiste humbi zgjedhjet parlamentare të parakohshme, përballë Partisë Demokratike që fitoi në këto zgjedhje me një mbështetje të madhe në të gjithë vendin. PS ishte në procesin e reformimit dhe ky proces do të duhej të përfshinte medoemos ndarjen me të shkuarën komuniste.
Në raportin e mbajtur në Kongresin e Parë të PS-së kryetari Fatos Nano tha se: “PS nuk duhet të lejojë që të aderojë në të askush që ka përlyer figurën e tij, megjithëse mund të jetë dakord me programin dhe statutin e saj. Distancimi i plotë do të thotë distancim si teorik, ashtu edhe praktik, që do të jetë proces në vazhdim. Të denoncohet çdo tentativë për mbytjen e demokracisë si brenda radhëve të partisë edhe në shoqëri, çdo tentativë për vendosjen e një diktature të re, mbi gërmadhat e së vjetrës”. Sërish nuk pati një ndarje të qartë.
Kongresi zgjodhi forumet e reja, drejtuese të partisë. Në krye të PS-së u rizgjodh Fatos Nano. U larguan nga drejtimi disa prej figurave të PPSH-së, që ishin zgjedhur në krye të PS-së në krah të Fatos Nanos, si Spiro Dede. Njëri prej nënkryetarëve, Servet Pëllumbi, u zgjodh sërish nënkryetar i PS-së. Namik Dokle, ish-anëtar i Komitetit Qendror, kryeredaktor i gazetës së PS, “Zëri i Popullit”, u zgjodh gjithashtu nënkryetar i partisë dhe kryetar i grupit Parlamentar të PSSH.
PS-ja nisi kësisoj rrugën e gjatë të reformimit. Fatos Nano e drejtoi këtë parti për 14 vite, katër prej të cilave ishte në burg. Gjatë këtyre viteve, PS qëndroi pesë vjet në opozitë dhe nëntë të tjera në pushtet (një vit para zgjedhjeve të 22 marsit 1992 dhe tetë të tjera pas zgjedhjeve të vitit 1997.) Përgjatë këtyre viteve nuk u ndal asnjëherë lufta për pushtet brenda kësaj partie e përqëndruar mes grupit të Fatos Nanos dhe Ilir Metës. Kjo betejë përfundoi në janar të vitit 2004 kur Ilir Meta u largua nga kjo parti bashkë me një grup deputetësh dhe themeloi Lëvizjen Socilaiste për Integrim. Kjo ndarje ishte edhe një ndër arsyet e humbjes së PS-së në zgjedhjet parlamnetare të korrikut të vitit 2005. Pas humbjes, Fatos Nano dha dorëheqje nga post i kryetarit të PS-së dhe në vend të tij, u zgjodh Edi Rama.
Rilindasit e Edi Ramës
Pas dy vitesh në krye të PS-së, Edi Rama kishte një plan të qartë për reformimin e partisë sipas koncepteve të tij. Në fillim u duk pak e vështirë që Edi Rama ta fitonte mbështetjen e elektoratit të kësaj partie. Megjithatë, ai nisi shpejt të zbatojë strategjinë e tij për të ndryshuar partinë. Në tetë vitet e PS-së në opozitë, Rama u përball shpesh me situate të vështira për shkak të lëvizjeve të kundërshtarëve të tij brenda PS-së. Megjithatë ai shprehu vendosmërinë e tij për të çuar deri në fund projektin për partinë e tij Socilaiste. Edi Rama ia doli të nxjerrë jashtë loje shumë prej ish-drejtuesve të rëndësishëm të kësaj partie duke nisur nga mandati i parë në opozitë për të përfunduar me këtë të fundit, pranverën e vitit 2013 kur Rama la jashtë listës së kandidatëve për deputet një prej modeleve të rëndësishme drejtuese të kësaj partie, Arben Malajn. Këtu mori fund çdo përpjekje brenda PS-së për të bërë rezistencë ndaj liderit.
Ndryshimet thelbësorë të Ramës në krye të PS-së nisin me vitin 2007. Një mbledhje e KPD-së së 13 marsit të këtij viti vendosi ndryshimin e emrit të këtij formumi dhe riemërimin e tij në Asambleja Kombëtare e PS-së. Në kongres do të ndryshohej edhe përbërja e këtij forumi. Asambleja u mbush me drejtusit e lëvizjes “Mjaft” kryesuar nga Erjon Veliaj. Të tjera ndryshime thelbësore në mënyrën e funsksionimit të partisë, i dhanë formën përfundimtare PS-së sipas Edi Ramës. PS e humbi edhe atë element që për shumë njerëz cilësohej si demokraci e brendshme e partisë, debate brenda grupeve kundërshtare të saj.
Spastrimi
Më 9 prill 2007 u mblodh kongresi i PS mbi bazën e mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS, dalë nga mbledhja e KPD së 13 marsit. Në kongres u paraqit nga kundërshtarët e Ramës “rezoluta për mirëkuptim”. Rezoluta u rrëzua në kongres, një kongres, i cili zhvillohej për herë të parë me dyer të mbyllura .
Sipas parimit “një anëtar, një votë”, më 12 maj u rizgjodh Edi Rama kryetar i PS, përballë kandidatit formal Shkëlqim Meta. Një grup zyrtarësh të kësaj partie kontestuan procesin duke e cilësuar të parregullt. Ata pretendonin se në votime morën pjesë një numër më i vogël i anëtarësisë, i pamjaftueshëm për të legjitimuar Ramën si kryetar të PS-së. Dy orë para përfundimit të procesit kishte dhënë dorëheqjen kryetarja e Komisionit të Zgjedhjeve të Partisë, Zamira Caka. Ajo tha pas dorëheqjes se kishte marrë këtë vendim, pasi ishte kundër disa procedurave, që cënonin legjitimitetin e procesit zgjedhor në PS. Megjithatë Edi Rama u zgjodh kryetar i PS-së me 97%.
Më 12 maj u zgjodhën sipas parimit “një anëtar, një votë” edhe delegatët e kongresit, si dhe kryetarët e PS-së në bashki e komuna.
Në kongresin e 2 qershorit 2007, u miratuan edhe ndryshimet në statutin e partisë. Sipas këtyre ndryshimeve, sekretari i përgjithshëm pushon se ekzistuari si funsksion dhe kompetencat e tij, i merr kryetari i Asamblesë Kombëtare.
Sipas statutit të ri, kongresi rritej në numër nga 650 delegatë në 1500 delegatë, bëheshin 150 anëtarë asambleje dhe në çdo forum 50% duhet të ishin gra. Në nivel lokal, PS iu shtuan zyrtarë të rinj. Në çdo qark u zgjodh një sekretar qarku dhe një nënsekretar.
Me sloganin “ndarje me politikën e vjetër”, kongresi i 2 qershorit bëri “pastrimin” e partisë nga ata që për momentin ishin kundërshtarë të Ramës në PS. U zgjodh Asambleja e re Kombëtare dhe sekretarët e rinj. Në Asamble dhe në Kryesi u zgjodhën shumë të rinj, që vinin edhe nga OJF dhe Bashkia e Tiranës.
Figurat e rëndësishme të PS filluan të ndjenin humbjen e influencës, por një nga më të njohurit dhe më të hershmit e radhëve të PS, Gramoz Ruçi, u rikuperua. Ai u zgjodh kryetar i Asamblesë Kombëtare të PS-së. Mbetën brenda forumeve edhe të tjerë si Majko, Xhafa, Fino, Klosi e të tjerë ,por me një peshë shumë të vogël në vendimarrjene partisë. Dalngadalë në tetë vite ata u zëvëndësuan me Erjon Veliajn e shokët e tij.
Rilindja
Kur u zgjodh në krye të PS-së, Edi Rama pati premtuar se do të bashkonte të majtën. Pak ditë pas zgjedhjes ai organizoi tryezën e opozitës, me pjesëmarrjen e Ilir Metës së LSI-së, Skënder Gjinushit të PSD-së, dhe Paskal Milos së PDS-së. Bashkimi i së majtës ishte një ndër premtimet solemne të Edi Ramës sapo mori postin e krytarit të partisë. Por, tryeza me Metën e aleatët e tjerë të opozitës funksionoi vetëm deri pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2007, kur Rama u rikonfirmua në postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës edhe me votat e LSI-së. Nisi një betejë e fortë politike midis Ramës e Metës kryesisht në momentin e ndryshimeve në Kushtetutë të vitit 2008, ndryshime që penalizuan LSI-në. Ishte fjala për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pikërisht ndryshimi i sistemit zgjedhor.
Pas zgjedhjeve të vitit 2009 Meta hyri në koalcion me Berishën dhe këtu nis e intensifikohet beteja e Edi Ramës dhe Erjon Veliajt kundër Ilir Metës. Kjo betejë akuzash kulmoi me protestën e 21 janarit 2011 ku si pasojë e përplasjes së dhunshme mes protestuesve të Ramës dhe policisë së qeverisë Meta-Berisha, mbetën të vrarë katër persona.
Më 1 prill të vitit 2013, rreth tre muaj para zgjedhjeve parlamentare, ndodhi ajo që dukej se kurrë nuk do të kishte gjasa të ndodhte. Edi Rama e Ilir Meta shpallën koalicionin e tyre nën sloganin “Rilindje”. Ata lanë pas akuzat ekstreme mes tyre dhe u bashkuan për të fituar zgjedhjet e 23 qershorit me një mazhorancë prej 83 deputetësh, brenda së cilës kishte gjithëfarlloj. Rilindja nisi të qeverisë me imazhin e Ilir Metës e Nasip Naços të Edi Ramës e Erjon Veliajt. Rilindja po vazhdon. Në grupin e saj të deputëve ka të ndryshëm. Atje është modeli Gramoz Ruçi i trashëguar nga koha e Ramiz Alisë, Fatmir Xhafa pioner i Enverit, por i formuar politikisht në kohën e Fatos Nanos, Pandeli Majko kryeministri i krizave socilaiste, tani deputet i thjeshtë i saj, Taulant Balla shefi i protokollit të Nanos kryeministër dhe besnik i tij, i kthyer në po kaq besnik i Edi Ramës, modeli Tom Doshi i përjashtuar nga partia se akuzoi për skenar vrasjeje njërin prej dy krerëve të mazhoranës kryeparlamentarin Ilir Meta, modeli Mark Frroku që është arrestuar i akuzuar nga drejtësia belge për vrasje e prostitucion, por edhe Ben Blushi me “Funeralin e Rilindjes”. /tesheshi.com/