Diplomacia kosovare ka bërë edhe një shtrirje të re gjeografike, duke u bërë me përfaqësim dhe prezencë të përhershme diplomatike edhe në kontinentin afrikan.
Ambasadori Ramadan Gashi, i ka dorëzuar letrat kredenciale presidentit të Shtetit të Senegalit, Macky Sall, duke u bërë ambasadori i parë i akredituar dhe rezident i Kosovës në këtë shtet.
Në kuadër të kësaj ceremonie, ambasadori Gashi ka falënderuar presidentin senegalez për pritjen e ngrohtë në shtetin e tij, duke shprehur më pas përkushtimin dhe vullnetin e institucioneve kosovare për thellimin dhe zgjerimin e mëtejmë të marrëdhënieve në mes dy vendeve dhe dy popujve.
“Është privilegj që e përfaqësoj shtetin e Kosovës, në një vend me bukuri të jashtëzakonshme, por, para së gjithash, në vendin e paraardhësit Tuaj dhe themeluesit të shtetit të Senegalit, presidentit, Léopold Sédar Senghor, me të cilin vendi i juaj z. president, por edhe bota mburret me të. Personalisht, mburrem që kam pasur rastin ta takoj, në Bruksel, dy herë radhazi gjatë vitit 1988, për t’i folur që në atë kohë për Kosovën, e cila pësonte okupimin dhe terrorin e regjimit komunist jugosllav dhe serb të asaj kohe”, ka thënë ambasadori Gashi.
Në vazhdim të takimit, diplomati kosovar gjithashtu e falënderoi presidentin Sall për gatishmërinë e Senegalit për njohjen e shtetit të Kosovës, që në ditët e para pas shpalljes së Pavarësisë.
“Vendi im, është përjetësisht falënderues, që ju jeni rreshtuar në mesin e vendeve të para të botës për të njohur pavarësinë e vendit tonë. Ne nuk do ta harrojmë kurrë dhe se nuk është i rastit fakti, që ne kemi zgjedhur Senegalin për të hapur Ambasadën tonë të parë në kontinentin e Afrikës”, tha Gashi.
Tutje, ambasadori e njoftoi presidentin senegalez, edhe mbi ecurinë e historikut të Kosovës, ndërkohë që është diskutuar edhe mbi mbarëvajtjen e procesit të njohjeve dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të shtetit, duke përfshirë procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. /tesheshi.com/