Njerëzit e mendojnë të lexuarit si një aktivitet privat të njeriut: një kënaqësi e qetë për një person të cilit i pëlqen heshtja, përveçse zërave në kokën e tij. Por në pak a shumë 5 mijë vjet gjatë të cilave njerëzit kanë qenë duke shkruar apo lexuar ashtu si ne e konceptojmë këtë, aktiviteti asocial i njeriut me librin është relativisht formë e re argëtimi apo mbushje e kohës.
Për shekuj me radhë, europianët që mund të lexonin, e bënin këtë vetëm me zë të lartë. Grekët e lashtë i lexonin tekstet e tyre me zë të lartë. Kështu bënin edhe murgjërit e Mesjetës së Europës. Por në shekullin e 17-të, shoqëria e leximit në Europë ndryshoi në mënyrë drastike. Teknologjia e teksteve, si ajo e llojit të lëvizshëm, dhe rritja e kopjeve të librave ndihmuan në ardhjen e asaj praktike që ne shijojmë sot: përtypja e fjalëve pa i thënë ato me zë të lartë, kuptimi i tyre për të ndërtuar botë më vete në kokën tonë.
Midis akademikëve, ka një debat habitshëm të ashpër rreth kohës kur shoqëria europiane kaloi tranzicionin nga leximi kryesisht me zë të lartë, tek leximi kryesisht në heshtje – disa madje, thonë se të lashtët lexonin në heshtje po aq sa lexonin edhe me zë – por ka një skenë në letërsi për të cilën pajtohen të gjithë se është thelbësore. Në Pohimet e Shën Augustit, ai përshkruan zakonet e të lexuarit të Ambrozit, peshkopit të Milanos:
“Por, kur Ambrozi lexonte, sytë e tij shkonin poshtë e lart faqeve, ndërsa zemra e tij kërkonte për kuptimin e tyre; sidoqoftë, zëri dhe gjuha e tij ishin të heshtura. Shpesh kur ne ishim të pranishëm- pasi secili mund t’i afrohej dhe nuk ishte zakon që vizitorët t’i komunikoheshin – ne e shihnim duke lexuar në këtë mënyrë, në heshtje, dhe asnjëherë ndryshe”.
Fakti që kjo ishte ngjarje kaq e dallueshme për Agustinin, argumentojnë disa akademikë, është për shkak se në vitet 400, leximi në heshtje nuk ishte diçka që ndodhte.
Kërkues të tjerë thonë se ky pasazh u shkrua për të nxjerrë më shumë në pah vrazhdësinë e Ambrozit. “Ka të bëjë në të vërtetë me faktin që Ambrozi do të vazhdonte leximin në heshtje ndërkohë që ata ishin atje, sikur dikush të vazhdojë të dërgojë mesazhe ndërsa ti përpiqesh të flasësh me të”, thotë D. Vance Smith, historian për Mesjetën në departamentin e Anglishtes së Princeton. “Augustini është i habitur nga vrazhdësia e tij që nuk lexon me zë të lartë për ta ndarë me të”.
“Pohimi i zakonshëm në periudhën klasike, është që nëse lexon me zë të lartë mes njerëzve të tjerë është pasi kërkon ta ndash me ta, përmbajtjen”, thotë Smith. “Për ne, zakoni është që ne lexojmë në heshtje për ta mbajtur për vete”.
Nëse leximi në heshtje ishte një fakt i rrallë apo i vrazhdë në kohët e lashta, në një farë pike pritshmëria e lexuesve në shoqëri ndryshoi. Pothuajse në fund të viteve 1700, historiani Robert Darnton shkruan: “Për njerëzit e zakonshëm në fillim të Europës moderne, leximi ishte një aktivitet social. Ndodhte në dyqane, hangare apo taverna. Ishte pothuajse gjithmonë me zë, por jo domosdoshmërisht si leksion”.
Në kohën që Marsel Prusti shkruante në fund të viteve 1800, me rrëfimtarin e tij që shpresonte të kishte kohë për të lexuar dhe menduar i vetëm në shtrat, leximi në mënyrë private ishte shndërruar më shumë në një normë për njerëzit e pasur dhe të arsimuar të cilët mund të përballonin librat dhe kohën e të menduarit lirshëm në shtrat.
Kjo erdhi me përhapjen e arsimimit dhe llojeve të ndryshme të materialeve për lexim. Darnton me të dhëna të hershme deri prej vitit 1750, tregoi se njerëzit që mund të lexonin kishin vetëm pak libra: ndoshta Biblën, një almanak dhe disa shkrime të cilat ata i lexonin dhe rilexonin. Por në vitet 1800, shkruan ai, njerëzit po lexonin më vrullshëm – gazeta dhe revista periodike – dhe deri në fund të shekullit, letërsia kishte krijuar edhe degën për fëmijë dhe romanet.
Ndërsa leximi ndryshoi drejtim duke i ikur një aktiviteti social, siç perceptohej, ka kërkues që besojnë se kjo ndihmoi në krijimin e asaj që ne e quajmë sot botë e brendshme. Ashtu si shkruan Alberto Manguel në librin e tij të vitit 1996 “Histori e të lexuarit”.
Por me të lexuarin në heshtje, lexuesi ishte më në fund në gjendje të vendoste një marrëdhënie të pakufizuar me librin dhe fjalët. Fjalët nuk merrnin më kohën e domosdoshme për t’i artikuluar. Ato mund të ekzistonin në hapësirën e brendshme, të nxitonin apo të mbeteshin aty, të deshifruara plotësisht ose gjysmë-të thëna, ndërkohë që mendimet e lexuesit i inspektonin me rehati, duke marrë kuptime prej tyre, duke lejuar krahasime nga kujtimet apo lexime të mëparshme, duke nxjerrë kuptime të reja. Dhe teksti në vetvete, mbrojtur nga të jashtmit prej kopertinës, u shndërrua në posesion të lexuesit, njohuria intime e lexuesit, kudo ku ata të ndodheshin në një sallon të populluar, në treg apo në shtëpi.
“Psikologjikisht, leximi në heshtje e përfshin lexuesin për shkak se e vendos burimin e kuriozitetit të tij tërësisht nën kontroll personal”, shkruan bibliotekari Paul Saenger në librin e vitit 1997, “Hapësira midis fjalëve”. “Në botën më të gjerë të të folurit të shekullit të nëntë, nëse spekulimet intelektuale të dikujt ishin heretike, ato ishin subjekte të korrektimit të të tjerëve dhe të kontrolluara në çdo moment, që nga formulimi deri tek publikimi apo pritja nga lexuesi”. Ashtu si shkruan Saenger, të lexuarit asocial ndihmon fuqinë intelektuale, vështrimin e brendshëm, kriticizmin ndaj qeverisë dhe fesë, madje ironinë dhe cinizmin që do të ishte i pakëndshëm nëse lexohej me zë të lartë.
Ky trend i ri i çuditshëm i të lexuarit për veten, natyrisht kishte edhe kundërshtarët e vet. Skeptikët mendonin se të lexuarit në heshtje tërheq ëndërrimtarët me sy hapur dhe mëkatin e plogështisë, siç shkruan Manguel. Madje edhe më keq: “Lejon njerëzit të mësojnë dhe të reflektojnë pa drejtim fetar apo censurë. Leximi në heshtje deri në fund të shekullit të 19-të ishte kaq popullor saqë njerëzit druheshin se gratë në veçanti, duke lexuar të vetme në shtrat, nxiteshin nga mendime të rrezikshme.
Nuk ka shumë konsensus midis historianëve përse njerëzit nisën të lexojnë në heshtje. Saenger ngre hipotezën se ndryshimi në mënyrën sesi fjalët rreshtoheshin në faqe, lehtësoi kalimin. Saenger argumenton se murgjërit irlandezë, duke përkthyer nga latinishtja në shekullin e shtatë, shtuan hapësirën midis fjalëve gjë që do i ndihmonte ata për të kuptuar gjuhën më mirë. Ky ndryshim kyç në dizenjim, thotë ai, lehtësoi rritjen e të lexuarit në heshtje.
B. Parkes, në librin e vitit 1992 “Pauza dhe ndikimi: shenjat e pikësimit në Perëndim”, argumenton se “lexueshmëria e gramatikës – ndryshimet vizuale që u bënë në tekste, si pikësimi dhe ndarja e fjalëve – ndryshuan mënyrën sesi ne lexojmë. Kjo teknologji në librat e parë u bë me idenë se shkrimtarët apo ata që shkruanin tekstet e të tjerëve, nuk e dinin se kush do të ishin lexuesit apo sesa lehtësisht mund të lexonin ata latinisht, kështu që duhej të gjenin një mënyrë të standardizuar sesi t’u tregonin atyre si të lexonin: pusho këtu, ka dy fjalë të ndara, kjo është një a e gjatë etj.
Kjo njohuri aplikohet për pjesën më të madhe të të shkruarit dhe të të lexuarit me bazë latinishten në Europë. Në kultura të tjera të mëdha të botës si ajo kineze, tekstet e së cilës nuk kanë hapësirë mes fjalëve, dhe letërsia e së cilës varet rëndshëm nga ritmi, të lexuarit e heshtur mund të jetë zhvilluar ndryshe.
Rrëfime të pranuara historike do të na bënin të besojmë se fundi i të lexuarit me zë në Mesjetë ishte pjesë e Rilindjes, një lëvizjeje të re europiane që merrej me individin. Por është e mundshme që dëshira e njerëzve për privatësi, dëshira për pak hapësirë ku të mund të arratiseshe së bashku me librin, të ishin po aq të forta.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/