Duhet lëvizur shpejt për riparimin e digës së Mosulit, ose rrezikohet një katastrofë humanitare me përmasa epike. Alarmin për gjendjen e digës rreth 70 kilometra në veri të kryeqytetit iraken, dëmtuar nga ISIS, e jep OKB.
Ambasadorja amerikane në OKB, ka apeluar për riparimin e digës, ndërsa në shtypin ndërkombëtar janë raportuar disa herë rreziqet e një shembjeje të digës.
“Nëse do hapej e çara, paralajmëron Power, në disa vende të luginës së lumit Tigër vala do të arrinte 14 metra lartësi, duke marrë përpara çdo gjë, njerëz, makina, shtëpi e materiale të rrezikshme”.
Qyteti i Mosulit, që përpara luftës banohej nga 2 milionë njerëz, do të përmbytej nga ujërat në më pak se katër orë. Punimet e përforcimit të digës, siç doli në një mbledhje të OKB, janë më se të domosdoshme dhe urgjente për të parandaluar “një katastrofë humanitare me përmasa epike”.
Diga është ndërtuar mbi një shtrat argjili dhe allçie dhe është e dobët edhe pa qenë e dëmtuar. Deri më tani, është mbajtur në këmbë me hedhjen e vazhdueshme të çimentos, por që prej vitit 2014 mirëmbajtja është ndërprerë për shkak të pranisë së ISIS në afërsi të saj me pak kilometra. Sipas një studimi të inxhinierëve të ushtrisë amerikane, rënia e digës do të krijonte një dallgë të lartë 20 metra që do të përfshinte Mosulin e do të mbërrinte deri në Tikrik 15 metra lartësi, do të merrte përpara digën e vogël të Samarras dhe do të përmbyste edhe disa pjesë të Bagdatit në një lartësi ende të konsiderueshme prej 4 deri në 5 metrash. E gjithë kjo panoramë do të thotë 450 kilometra shkatërrim.
Ndërkohë, inxhinierët e digës së Mosulit kanë paralajmëruar se ajo mund të bjerë pa paralajmërim dhe të vrasë 1 milion njerëz. Ky paralajmërim vjen nga inxhinierët irakianë që kanë punuar për digën e Mosulit, 30 vjet më parë. Sipas tyre, rreziku i rënies së saj dhe bilanci i viktimave mund të jenë edhe më të larta nga sa është raportuar.
Ata nënvizojnë se presioni mbi strukturën e dëmtuar të digës po rritet me shpejtësi pas shkrirjes së dëborës dhe ujërave të shumtë që po mblidhen në rezervuar. Kjo mund të sjellë mbushjen në gjithë kapacitetin e tij, ndërsa dyert e sigurisë që përdoren për të ulur presionin e ujit janë të mbyllura.
Inxhinierët irakianë thanë gjithashtu se moszëvendësimi i makinerive apo mosangazhimi i forcës së plotë punëtore që nevojitet, një vit pasi ISIS përkohësisht mori nën kontroll digën, ka bërë që çarjet në gurët porozë në shtratin e digës të bëhen gjithnjë e më të mëdha e më të rrezikshme.
Qeveria irakiane ka nënshkruar një kontratë prej 273 mijë eurosh me një kompani italiane për të përforcuar dhe mirëmbajtur digën e Mosulit për 18 muaj, pas bisedimeve që u zhvilluan në Nju Jork mes ministrit të Jashtëm italian, Paolo Gentiloni dhe zyrtarëve irakianë e amerikanë. Italia thotë se planifikon të dërgojë 450 trupa për të mbrojtur vendin e punimeve, por është e paqartë sesa kohë do të duhet për të zëvendësuar makineritë e dëmtuara dhe për të mbledhur krahun e punës.
Inxhinierët paralajmërojnë se bilanci potencial i viktimave nga një shkatërrim i papritur katastrofik i digës së Mosulit do të ishte shumë më i madh edhe se 500 mijë frymë që është vlerësuar zyrtarisht. Sipas tyre, shumë njerëz mund të humbasin jetën nga paniku masiv që do të kapte turmat ndërsa një dallgë 20 metra e lartë do të afrohej për të goditur qytetin e Mosulit duke mos e humbur fuqinë edhe përtej tij në luginën e Tigrit përmes Tikritit dhe Samarras me destinacion Bagdatin.
Diga u dizenjua nga një kompani zvicerane dhe u ndërtua nga një konsorcium italo-gjerman në vitin 1984. Uji nisi të përshkojë muret që në vitin 1986 kur u bë e dukshme se çështjet gjeologjike ishin më të ëvshtira nga sa kishin parashikuar ekspertët e kompanisë konsultuese. Nga ajo kohë, diga ka kërkuar mirëmbajtje të vazhdueshme me një total prej 95 mijë tonësh material të llojeve të ndryshme të përdorura për t’i zgjatur jetën.
“Gjithçka që po bëhet është vetëm zgjatja e jetës së digës. Nuk ka zgjidhje të përhershme përveçse ndërtimi i një dige tjetër”, thotë një nga inxhinierët irakianë. Një strukturë e dytë, Badush ka nisur të ndërtohet 20 kilometra poshtë rrymës, për të parandaluar një katastrofë në rast të rënies së digës së Mosulit. Por, puna në Badush ndali në vitet 1990 për shkak të sanksioneve, duke i lënë punimet në 40 për qind.
“Askush nuk e di se kur të bjerë”, thonë ekspertët. “Mund të zgjasë një vit, ose mund të rrëzohet që nesër”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/