Nga Blendi Gashi
Dialogu me Serbinë pas Demarkacionit me Malin e Zi vazhdon të jetë ndër temat që përplas në vazhdimësi politikën kosovare.
Ndërsa pozitë e opozitë kanë pranuar se dialogu me Serbinë ka ngecur dhe duhet ndryshuar formati, ai i cili e nisi këtë proçes, presidenti aktual Hashim Thaçi, siç duket dëshiron ta përfundojë pasi dialogu në muajt e fundit është udhëhequr nga ai.
Por ky përvetësim i dialogut nga Thaçi po kritikohet nga opozita, e cila kërkon që ky proçes t’i kthehet Kuvendit dhe ky organ të vendosë për rrjedhën e tij. Me këtë propozim pajtohen edhe zyrtarët e pushtetit.
Deputeti i Vetëvendosje-s, Glauk Konjufca, vlerëson se bisedimet Kosovë-Serbi janë përcjellë me mungesë transparence dhe se Kuvendi i Kosovës është anashkaluar në këtë proçes.
Konjufca e quan këtë një gabim të pafalshëm dhe kërkoi që ky dialog t’i kthehet Kuvendit ky organ të jetë epiqendra e këtij procesi e jo vetëm Thaçi.
“Sa ishte kryeministër Hashim Thaçi, e kishim njëfarë rregulli të nënkuptueshëm, që dialogu shkon përmes qeverisë. Kur Hashim Thaçi e ndërroi postin e tij, vendosi që dialogu t’i përkasë presidentit. As nuk u pyet parlamenti, si institucioni më i lartë i vendit, e as institucionet tjera. Një proces kaq i rëndësishëm po i nënshtrohet tekave të një individi. Tani ne duhet të shikojmë se ku do të jetë posti i ardhshëm i Hashim Thaçit, që të kuptojmë ku do të jetë dialogu i ardhshëm me Serbinë. Kjo është e pafalshme.
Kjo nuk është kulturë institucionale. Ky nuk është mentalitet institucional. Kjo do të thotë që proçesi të varet prej karrierës personale të një individi. Varësisht rrugëtimit të tij, atë fat do ta ketë edhe dialogu i Brukselit. Po insistoj, dialogu me Serbinë është i rëndësishëm t’i kthehet Kuvendit të Kosovës. Kuvendi duhet të jetë epiqendra e dialogut dhe ndërtuesi i këtij proçesi. Kurse në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë dhe me subjektet pavarësisht spektrit që i përkasin, apo formacioneve pozitë apo opozitë edhe me presidentin pse jo. Mirëpo ne refuzojmë këtë strategji të Hashim Thaçit, dhe për këtë nuk i bashkohemi atij. Sepse është një aventurë politike shumë e rrezikshme”, tha Konjufca, në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, me temën “Roli i Kuvendit në të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi”.
Që Kuvendi duhet të jetë i angazhuar në këtë proçes e pranon edhe deputeti nga PDK-ja, Elmi Reçica. Ai tha se duhet të bëhet një ndryshim, apo riformatim i këtij proçesi.
“Nuk është e diskutueshme që që marrëveshjet ndërshtetërore duhet të ratifikohen në Parlamentin e Kosovës dhe atë me 2/3 e votave. Çdo marrëveshje rreth dialogut me Serbinë parlamenti duhet të jetë kyçur, duhet të jetë i i informuar dhe ata të cilët e udhëheqin me dialogun kushdoqoftë prej institucioneve, duhet të raportojnë në Kuvend. Patjetër që duhet të ratifkohet në Kuvendin e Kosovës, është çështje me interes jetik, dhe nëse nuk deklarohen dhe nëse nuk dakordohen 2/3 e përfaqësuesve të popullit. Ka qenë një ekip unitetit që ka filluar këto bisedime dhe unë mendoj se duhet të krijohet një Ekip i Unitetit, që do të duhej t’i përmbyll këto bisedime”, tha ai.
Deputeti Ahmet Isufi nga AAK tha se ata kanë mbështetur këtë dialog në mënyrë që ai të jetë i barabartë, mirëpo gjatë procesit, sipas tij, ka devijuar niveli i bisedimeve, duke u shmangur nga obligimet që janë marrë sidomos nga ana e Serbisë. Ndërsa thotë se formati i këtij dialogu duhet të ndryshojë.
“Tani e tutje duhet pasur kujdes. Kosova ka institucionet e veta, ka lidershipin e vet, ka përgjegjësinë ndaj këtyre bisedimeve dhe Kuvendi duhet të jetë institucioni që duhet ti përcjellë në vazhdimësi bisedimet të cilat mund të ekzistojnë. Përveç marrjes pjesë në krijimin një platforme që do të përcaktonte saktë, se cilat duhet të jenë segmentet e bisedimeve, po ashtu dhe nga përfaqësues që marrin pjesë në bisedimeve në emër të shtetit të Kosovës t’i raportojë Parlamentit të Kosovës”, thotë Isufi.
Ndërkaq Bilall Sherifi, nga Nisma për Kosovën, tha se nuk duhet të vazhdohet më me politikën e strucit dhe se nuk duhet të merren vendime të ngutshme në dialogun Kosovë-Serbi, të cilat e sjellin shtetin në vështirësi, siç ka ndodhur dhe me marrëveshjen me Demarkacionit.
“Le të mos ngutemi ta konceptojmë dialogun si një instrument, përmes së cilit që do ta vazhdojmë dhe përmbyllim fazën e mosmarrëveshjeve me Serbinë “, tha Sherifi.
A do heq dorë Thaçi?
Megjithatë duhet thënë se opozita por jo vetëm në vazhdimësi ka kritikuar qasjen e Thaçit ndaj dialogut duke thënë se ai po vepron krye me vete dhe se në këtë proçes duhet të jenë të përfshira të gjitha palët pozitë e opozitë dhe duhet ndryshuar qasja e dialogut.
Por Thaçi nuk ka dëgjuar këto thirrje dhe me të ardhur në krye të Presidencës ka marrë sërish drejtimin e dialogut duke qenë si kryeprotagonist ashtu siç bëri edhe gjatë viteve sa ishte kryeministër.
Ai si president ka zhvilluar disa takime me homologun e tij serb ku janë pajtuar që të nisin një periudhë të re të bisedimeve.
Edhe thirrjet e fundit të ligjvënësve që Kuvendi që tani të vendosë për dialogun pritet të bien në ujë, pasi Thaçi pritet të takohet sërish me Vuçiçin, takime të cilat vazhdon t’i kundërshtojë opozita.
Kujtojmë se presidenti Thaçi ka deklaruar se për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë përtej bartësve të institucioneve, qeverisë dhe Kuvendit, do të dëgjohet edhe zëri i popullit./tesheshi.com/