Kryeministri i Kosovës Abdullah Hoti, bëri me dije në një konferencë për shtyp se ç’kishte thënë presidentit Macron në Elysse, në lidhje me atë se ç’synonte pala shqiptare nga dialogu me Beogradin.
“Kam sqaruar para presidentit, dhe besoj që kam pasë mirëkuptimin e tij, që ne jemi të gatshëm që të hyjmë në procesin e dialogut, por për një dialog që nënkupton njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Është mirëkuptim i të gjitha palëve që vetëm njohja reciproke përfundimisht e qetëson këtë pjesë të Ballkanit dhe Europës dhe i mundëson të dyja vendeve dhe rajonit perspektivë euro-atlantike”, tha Hoti.
“Njohja reciproke është i vetmi qëllim i dialogut me Serbinë, normalisht edhe normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve që duhet të jetë derivat i njohjes reciproke”, theksoi i pari i qeverisë së Kosovës. /tesheshi.com/