Nga Bashkim Kastrati
Në Kosovë nisja e dialogut me Serbinë ishte një temë shumë e ndjeshme dhe e papritur. Duke e marrë parasysh që në këtë proces ka edhe përgjegjësi të madhe dhe çdo dështim i mundshëm kishte pasoja të mëdha për udhëheqësit e dialogut u mendua që fillimisht të dalë në krye të këtyre bisedimeve Edita Tahiri. Ajo është kryetare e një partie të vogël që quhet Alternativa Demokratike e Kosovës. Edhe pse ka pak votues, ajo ka zënë vend vazhdimisht në qeverinë e Thaçit.
Ndoshta fakti se ajo e ka një parti të vogël ka ndikuar që të emërohet në krye të bisedimeve në mënyrë që PDK që udhëhiqte qeverinë të mos dëmtohej me vota. Pra edhe nëse “digjej” Edita Tahiri, kryeministri Thaçi dhe partia e tij kishin më pak përgjegjësi.
Fillimisht bisedat me Serbinë nisën si teknike. Vazhdimisht u tha që me Serbinë është e domosdoshme të bisedohet për tema të ndryshme teknike, e që janë në interes të shtetit të Kosovës. Vazhdimisht Edita Tahiri dhe krerët e Qeverisë deklaronin se ky format i bisedimeve nuk do të ndryshojë, pra gjithçka do të mbetet në nivelin teknik dhe se asnjëherë nuk do të këtë bisedime politike me Beogradin zyrtar.
Por pas një kohe çdo gjë ndryshoi. Filluan edhe negociatat politike, kjo ndodhi pas intervenimit që u bë në veri të Mitrovicës nga njësia Speciale e Policisë së Kosovës, ku humbi jetën një polic i njësisë speciale. Pas këtij aksioni, analistë të shumtë deklaruan se ky intervenim nuk është bërë për ta shtrirë sovranitetin në veri, por do të merret si shkas për nisjen e negociatave politike.
Pas këtij intervenimi krerët e shtetit deklaronin se “u provua me forcë që kontrollohet veriu, por nuk ia dolëm, prandaj duhet biseduar me Serbinë për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës”. Ish-zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi duke u thirrur në intervenimin e policisë në veri, duke arsyetuar fillimin e negociatave politike pati deklaruar se “me problematikun duhet biseduar” dhe se nuk ka tjetër zgjidhjeve. Ndërsa duke u përgjigjur në pyetjen se ai dhe kolegët e tij janë zotuar se nuk do të ketë bisedime politike me Serbinë, ai pati deklaruar se “nuk jemi në oda të burrave që fjalët të dalin ashtu siç kemi thënë.
A përfitoi Kosova nga negociatat?
Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë prodhuan disa marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar në tërësi. Kosova ka përfituar pak nga i gjithë ky proces, ndërsa Serbia është shprehur vazhdimisht kërkuese në dialog. Marrëveshjet e arritura nga të dy palët interesoheshin në mënyra të ndryshme, ndërsa rezultatet në terren lënin shumë për të dëshiruar. Si rezultat i këtyre interpretimeve, serbët kanë ngritur një mur tek ura e Mitrovicës, duke e konsideruar si pjesë të marrëveshjes për rivitalizimin e urës së Ibrit.
Ndërkohë që Serbia eksporton më së shumti mallra në Kosovë, biznesmenëve të Kosovës iu ka ndaluar disa herë eksporti i produkteve ku shkruan “Made in Kosova”. Edhe përkundër kësaj shteti i Kosovës nuk ka ndërmarrë masa reciproke.
Zyrtarë serbë vazhdojnë të futën në Kosovë në mënyrë ilegale, duke e konsideruar Kosovën si pjesë të Serbisë dhe ndaj tyre shteti i Kosovës nuk është në gjendje të bëjë asgjë. Ndërsa Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i dialogu heshtë.
Çuditërisht pala kosovare nuk kishte asnjë kusht për Serbinë para fillimit të bisedimeve politike edhe pse po bisedonte me një shtet, aparati shtetëror i të cilit vrau, plagosi dhe dhunoi mijëra shqiptarë të Kosovës. Ndërsa dëmet e shkaktuara materiale ishin shumë të mëdha. Në dialog nuk u dha asnjë rezultat konkret sa i përket fatit të të pagjeturve, ndërsa u bisedua për shumë çështje tjera që ndoshta konsideroheshin më të rëndësishme se vet jeta e njeriut.
Nuk u vu kusht as heqja e flet-arresteve të lëshuara nga Serbia. Si pasojë e tyre lideri i AAK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës u arrestuat dy herë, herën e parë në Slloveni dhe herën e dytë në Francë, vende këto që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Edhe qindra ish-luftëtarë të UÇK-së kanë flet-arreste të tilla.
Gjithashtu secila marrëveshje me Serbinë nuk është zbatuar me kohë. Afatet kohore të deklaruara nga Edita Tahiri vazhdimisht dilnin të pasakta. Pavarësisht deklarimeve të ministres për Dialog, Edita Tahiri, që shumë prej marrëveshjeve, sipas datave që ka dhënë ajo, tash do të duhej të nisnin së zbatuari, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Dështimi i fundit ishte ai i zbatimit të Marrëveshjes së IBM-së për funksionimin e vendkalimit kufitar Kapia në Sfircë, ndonëse ishte paralajmëruar se do të hapej brenda muajit dhjetor.
Pala kosovare, gjithashtu, nuk arriti të nisë zbatimin edhe të Marrëveshjes për Reciprocitet me Serbinë për targat, e cila ishte e paraparë të niste në mes të nëntorit të vitit të kaluar.
Fajin për këtë vonesë, Tahiri njëherë ia hodhi Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila nuk shpalli tenderin për letra ngjitëse, e ndërsa tash fajin po e hedh te Qeveria, pjesë e së cilës është edhe vet.
Edhe heqja e barrikadës mbi urën e Ibrit u shty për disa herë dhe nuk u realizua në datat e parapara. Serbia vendoste barrikada dhe për heqjen e tyre kërkonte negociata që të përfitonte nga ai proces, duke “lëshuar” pe tek barrikadat dhe duke fituar një kompromis nga pala e Kosovës. Si pasojë e një procesi të tillë u arrite edhe marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe, marrëveshje kjo që nxiti protesta të shumta dhe të dhunshme, e deri te hedhja e gazit në Kuvendin e Kosovës nga opozita. Kompromise të tilla për shkak të “lëshimit” pe të Serbisë me barrikadat, ishin edhe zgjedhja e në veri të Mitrovicës e prokurorëve dhe komandantit të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb. Kjo marrëveshje u konsiderua diskriminuese dhe antikushtetuese nga opozita dhe shoqëria civile, por këta zëra nuk u morën parasysh.
Edhe arrestimi i një polici të Kosovës pa asnjë arsye të qëndrueshme dhe mbajtja e tij për një muaj në paraburgim vitin e kaluar, nuk i lëkundi negociatat me Serbinë. Krerët e shtetit theksuan se veprime të tilla po bëhen për të penguar dialogun, por që pala kosovare nuk do të heqë dorë nga ky dialog. Pra dialogu do të vazhdojë pa kushte, por mbetet për t’u parë se çfarë do të përfitojë Kosova nga ky proces, pasi që deri më tani rezultatet janë jo të mira për shtetin e Kosovës. /tesheshi.com/