Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kolegu i saj nga Bosnja dhe Hercegovina, Denis Beqiroviç paralajmëruan së fundmi për këtë skenar. Në një intervistë televizive në shtator, Osmani tha se ka shpresë që Ballkani Perëndimor të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe NATO, “por parakushti për këtë është që Serbia të trajtohet ashtu siç është: një shtet satelit i Rusisë, i cili e ka helluar bashkëpunimin e saj ushtarak, ekonomik dhe politik me Moskën”.
Paralajmërimi i Beqiroviqit për aspiratat territoriale të Serbisë para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York ishte edhe më i drejtpërdrejtë: “Nga podiumi i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, paralajmëroj publikun botëror se udhëheqja e Republikës së Serbisë po kërcënon edhe një herë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës”.
Beogradi po armatoset
Në fakt, Beogradi prej vitesh i pajis masivisht forcat e tij të armatosura me sisteme moderne të armëve: u blenë avionë luftarakë francezë dhe helikopterë sulmues rusë, të cilët presidenti serb Aleksandar Vuçiç i vlerësoi si “tanke fluturuese”. Përveç kësaj, ekzistojnë sisteme kundërajrore kineze, të cilat u transferuan nga Pekini në Beograd menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës. Ka pasur edhe raportime se Serbia ka blerë mijëra dronë nga Irani, të cilët Rusia i përdor çdo ditë për sulme në qytetet e Ukrainës, shkruan politologu Alexander Rhotert për Deutsche Welle.
Në vitin 2021, The Ekonomist shkruante se fqinjët janë të frikësuar nga fakti se Beogradi po bën “pazar armësh”. Instituti prestigjioz suedez i kërkimeve për paqen SIPRI njoftoi në vitin 2022 se buxheti i mbrojtjes i Beogradit prej 1.3 miliardë euro është dhjetë herë më i madh se ai i Kosovës.
Supremacia ushtarake e Serbisë ilustrohet me inventarin e tankeve të betejës: me rreth 250 tanke, Beogradi ka më shumë armë të tilla se të gjitha republikat e tjera ish-jugosllave së bashku (për krahasim, Bundeswehr-i gjerman ka 295). Kroacia është në vendin e dytë me 75, Bosnja dhe Hercegovina e treta me 45, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 31. As Mali i Zi dhe as Kosova nuk kanë tanke.
Kjo është ndoshta një nga arsyet pse Kosova i pajisi forcat e saj të vogla të armatosura të sapolindura me drone turke Bayraktar vitin e kaluar dhe këtë vit me 250 raketa amerikane anti-blind Javelin. Pa këto dy sisteme armësh, të cilat ushtria ukrainase i përdor me sukses në luftën kundër Rusisë, Ukraina e pavarur nuk do të ekzistonte më në formën e saj aktuale.
Projekti “Bota Serbe”
Shtrohet pyetja se pse Beogradi ka grumbulluar një arsenal të madh armësh prej vitesh, pa asnjë kërcënim nga fqinjët. A po planifikon presidenti Vuçiç të sulmojë vendet fqinje, siç paralajmëroi presidentja e Kosovës?
Kjo mund të konstatohet nga deklaratat, kërcënimet dhe veprimet e lidershipit serb në Beograd. Promovimi i projektit “Bota Serbe”, një version disi i reduktuar i “Serbisë së Madhe” të ish-presidentit Slobodan Millosheviç, rezonon tek serbët në vendet fqinje, Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë.
Millosheviçi vdiq në paraburgimin e gjykatës së OKB-së për krimet e luftës në Hagë në vitin 2006. Për të arritur qëllimin e tij historik nacionalist për Serbinë, përkatësisht bashkimin e të gjitha zonave të ish-Jugosllavisë të banuara nga serbët, ai filloi katër luftëra në vitet 1990 në të cilat vdiqën mbi 130.000 njerëz.
Disa zyrtarë të lartë të qeverisë serbe kanë shërbyer nën Millosheviçin, duke përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiç dhe ministrin e Brendshëm Ivica Daçiç. Të dy drejtonin aparatin propagandistik të Millosheviçit.
Kuvendi Gjithëserb
Në fillim të qershorit 2024, Vuçiç udhëhoqi “Asamblenë Gjithëserbe” në Beograd me përfaqësues të serbëve nga të gjitha pjesët e ish-Jugosllavisë – një takim strategjik që formuloi në thelb një plan për zbatimin e “Botës Serbe” në “Deklaratën Gjithëserbe”. Kosova përmendet si pjesë e Serbisë, dhe Republika Srpska në Bosnje si “interesi kombëtar i Serbisë”.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane në Berlin e dënoi atë me terma jashtëzakonisht të forta. Qeveria gjermane beson se “Deklarata Gjithëserbe” është “shumë shqetësuese dhe e dëmshme për Bosnjën dhe Hercegovinën, por edhe për Serbinë dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Beqiroviç e komentoi tubimin e Beogradit në fjalimin e tij në Kombet e Bashkuara si vijon: “Deklarata shkatërruese e të ashtuquajturit i ‘Kuvendi gjithëserb’, i miratuar më 8 qershor të këtij viti në Beograd, […] nuk është vetëm një akt deklarativ, por një dokument i rrezikshëm shtetëror”.
Lufta në Ballkan?
Asnjë nga vendet fqinje që duket se janë objektivi i pretendimeve territoriale të Beogradit nuk ka forca të armatosura “të gatshme për luftë”. Pa mbrojtjen e dy misioneve paqeruajtëse perëndimore, NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Hercegovinë (EUFOR/Althea), ato do të ishin objektiva të lehta për ekspansionizmin agresiv të Beogradit.
Vitet e fundit, disa demonstrime të trupave serbe në kufirin me Kosovën, si dhe një sulm nga një njësi paraushtarake serbe ndaj forcave të sigurisë së Kosovës(Banjska) kanë shkaktuar konfuzion dhe trazira. Sulme të tilla paraushtarake serbe filluan luftën në Kroaci në 1991 dhe në Bosnje një vit më vonë.
Ato incidente ushtarake mund të kenë qenë prova të Beogradit. Mirëpo, meqë reagimet e SHBA-së dhe NATO-s ishin shumë të shpejta dhe të mprehta, Beogradi hoqi dorë. Në gusht 2024, Uashingtoni ndërhyri përsëri, këtë herë me drejtorin e CIA-s, William Burns, i cili erdhi në Bosnje dhe Hercegovinë posaçërisht për të ndaluar veprimet separatiste të liderit serb të Bosnjës Milorad Dodik. Dodik pati vazhdimisht hapa për të shpallur pavarësinë e Republika Srpska dhe armatosi mijëra anëtarë të njësive paraushtarake. Politikanët në kryeqytetin e Sarajevës po përgatiten për mundësinë që Republika Srpska mund të fillojë shkëputjen. Nëse ka një konflikt të armatosur dhe serbët e Bosnjës janë nën presion ushtarak, ka shumë të ngjarë që Beogradi të dërgojë tanket e tij në Bosnje për t’i mbrojtur ata.
Prandaj, nuk mund të përjashtohet një luftë e re në Ballkan. Dhe duke qenë se Donald Trump ka rimarrë pushtetin në Uashington, është plotësisht e paqartë se si do të sillet superfuqia amerikane në një rast të tillë. Një kandidat i mundshëm për postin e Sekretarit të Shtetit është ish-ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell. Dhe ai, së bashku me dhëndrin e Trump, Jared Kushner, kanë interesa të mëdha biznesi në Serbi, shkruan Deutsche Ëelle. /tesheshi.com/