Nga Vepror Hasani
Deklarimi i banorëve për bashkimin e Korçës me Qeverinë e Tiranës u bë në manifestimin e 26 majit 1920, të organizuar në qendër të qytetit nga Baba Ramadan Qatromi, Pandeli Cale, Eshref Frashëri dhe Teufik Panariti, ish-kryetari i parë i Këshillit të Qeverisë së Krahinës Autonome të Korçës. Pas kësaj, në Korçë u çelën institucionet e qeverisë shqiptare. Në këtë kohë, (viti 1920) rezulton të ketë qenë kryetar bashkie Sotir Kotta, pas tij erdhi Stavre Karoli, të cilët e drejtuan Bashkinë për një kohë të shkurtër. Më 1922, në krye të Bashkisë u vu Vasil Avrami. Për Korçën pritej të hapej një kapitull i ri. Shpresohej shumë për një Korçë moderne, por që të realizohej kjo gjë, kërkohej gjithashtu një plan urbanistik modern dhe njerëz me ide moderne.
Në këtë kohë, në zyrat e qeverisë u gjet një plan urbanistik, hartuar 40 e ca vjet më parë, (duhet të ketë qenë i viteve 1870), por ata që kishin ardhur në krye të Bashkisë e quajtën thjesht një “skicë”, që tregonte vetëm lagjet, rrugët, sheshet dhe arat pranë kishës së Shën Gjergjit, të cilat, ashtu si më parë, vazhdonin të mbilleshin me bostane dhe zarzavate. Për ta, plani i vjetër urbanistik ishte i pavlerë. Kishte edhe nga ata që myslimanët i shihnin si njerëz të klasave të përmbysura. Për këtë arsye myslimanët nuk mund të ishin më as pjesë e qeverisjes. Mirëpo kjo që po ndodhte në vitin 1920, nuk kishte ndodhur as në kohën e Perandorisë Osmane. Korça nuk u qeveris vetëm nga myslimanët. Ja disa shembuj:
“Këshillës për Mbledhjen e Përgjithshme të Vilajetit të Manastirit u zgjodhë: Z Fehim Zavalani, Aristidh Çerahu, Ethem Starova dhe Minella Kosturi
(Gazeta “Korça” 12 shkurt 1909)
(Gazeta “Korça” 12 shkurt 1909)
“Këshillonjës për këshilltoren e guvernës së Korçës u zgjodh Çerçiz Zavalani, Rustem Korça, Vasillaq Singjellos dhe Mina Frashëri”
(Gazeta “Korça”, 18 shkurt 1909)
“Në Komisionin e Paqes nga an’ e klubit t’onë u zgjodh z. Belul Efendi, kryekatundar i qytetit dhe z. Mihal Grameno direktori t’onë (i gazetës “Lidhja ortodokse”). Nga ana e Bandës u zgjodh Sami Pojani, direktor i simotrës t’onë (i gazetës “Korça”) edhe z. Pandeli Cale, kryesonjës i Bandës”
(“Lidhja Ortodokse”, e hënë, 2 vjesht’ e III-të 1909)
“Në mbledhjen e valillëkut Manastir, si përfaqësonjës të Korçës dërguan z. Orhan bej Pojani dhe Loni Bimbli…”
(“Lidhja ortodokse”, 5 janar 1910)
Keqkuptimet që zotëronin Korçën në atë kohë ishin të mëdha. Ishte ndërhyrja e Pandeli Cales ajo që shmangu lindjen e anarshisë me sfond fetar. Kështu e quajt ai “anarshi”. (Në vijim të këtij shkrimi sqarimi do të jetë më i plotë).
Pra, siç e thamë edhe më sipët, tashmë synohej “një plan urbanistik i ri bashkëkohor”, kështu thuhej shpesh. Plani do të hartohej “nga njerëz me ide bashkëkohore”; edhe kjo shprehje përdorej rëndom. Njerëzit prisnin me padurim të shihnin si do të ishte plani i ri urbanistik për të cilin flitej në të gjitha kafenetë e Korçës.
Përpjekjet për planin e qytetit nisën në vitin 1923, por në fund të këtij viti plani nuk u bë dot gati. Askush nuk u trishtua. Një plan kaq i madh edhe mund të mos përfundonte brenda një viti. Por realizimi i tij nuk u bë i mundur as gjatë vitit 1924, as gjatë vitit 1925 as gjatë vitit 1926, as gjatë vitit 1927 dhe as gjatë vitit 1928. Edhe në vitin 1929 u tha se arkitektët ishin duke punuar për hartimin e planit urbanistik modern të Korçës. Njerëzit mbetën vërtet të dëshpëruar. Të gjitha qytetet ishin bërë me plane urbanistike, kurse Korça akoma jo. Me planin urbanistik të Korçës po ndodhte sikur të ishte pëlhura e Penelopës! Njerëzit nuk po kuptonin asgjë çfarë po ndodhte me planin modern të premtuar me aq bujë.
Tashmë dikush mund të thotë: si është e mundur që arkitektët e Korçës nuk hartuan dot një plan urbanistik për kaq vite me radhë? Ata nuk do të ndërtonin botën nga e para! Korça me plane urbanistike ishte ndërtuar deri atëherë, këtë gjë e tregon Pazari i Korçës me rrugët e drejta dhe prerjet gjeometrike drejtkëndore, të cilat i japin gjithë shtrirjes së tij një bukuri të veçantë. Atëherë, përse nuk hartohej dot një plan i ri? Ku shkuan ata që kishin projektuar planet urbanistike të Korçës për 500 vjet me radhë? Përgjigjen e kësaj pyetjeje mund ta nxirrni gjatë leximit të këtij rrëfimi, ku do të mësoni se çfarë ndodhi me planin urbanistik të Vasil Avramit dhe si ndërhyri Pandeli Cale për të mos lejuar anarshinë që favorizonte në qeverisje një komunitet të caktuar fetar.
E vërteta është se edhe në fund të vitit 1929, plani urbanistik i qytetit të Korçës nuk ishte gati:
“…Pika më e rëndësishme për zbukurimin e një qyteti është plani. Pothuajse gjithë qytetet e Shqipërisë kanë bërë plane moderne. Edhe Bashkia e Korçës vendosi të bëjë planin e qytetit dhe që më 1923 ka emëruar kohë pas kohe tre inxhinierë, por gjer më sot s’ka plan. Ka përmbi dy vjet që solli edhe një inxhinier të huaj posaçërisht për të bërë planin, mirëpo ky vetëm dy rrugë ka mbaruar. Çdo gjë që do të thomi na duket se është tepër. Koha s’pret. Plani duhet një orë e më parë. Bashkia duhet brenda këtij viti ta ketë planin e qytetit me çdo mënyrë”.
(“Gazeta e Korçës”, 14 shtator 1929)
Rjedha kronologjike e ngjarjeve që nga viti 1923 e në vijim na tregon qartë cila ka qenë ecuria e punëve për planin e ri të qytetit. Hartimin i tij u mor përsipër nga inxhinieri-arkitekt Kristo Sotiri:
“Bashkia e Korçës pajtoi të dëgjuarin inxhinierin arkitekt, z. Kristo Sotir për të bërë planin e qytetit dhe për të tjera punëra që i përkasin qytetit. Kryetari i Bashkisë me Këshillën meriton lëvdime për këtë emërim kaq të bukur se me të vërtetë qyteti Korça ka nevojë për një inxhinier si z. Sotiri, i cili është provuar. Jemi fare të sigurtë se që në fillim inxhinieri do të nisë nga zbukurimet e qytetit me energji të mëdha.”
(Gazeta “Koha”, 10 mars 1923)
Korça në këtë kohë shtrihej në një sipërfaqe prej 12 kilometrash katrorë
“Këshilli i Bashkisë nxjerr në pakdhënie (tenderim) hartimin e planit të qytetit të Korçës, qarku (sipërfaqja) në të cilin duhet plani, do të ketë gjatësi 4 qillometro në veri-jugë dhe 3 qillometro në lindje-perëndim. Ofertat pranohen gjer më 15 janar 1926. Kondicionet dhe hollësirat të ankandit, interesonjësit mund t’i marrin prej Sekretarisë së Bashkisë.
Korçë më 21. X. 1925”.
(“Gazeta e Korçës”, e shtunë 24 tetor 1925)
Edhe pse hartimin e planit urbanistik e kishte morë përsipër inxhinieri-arkitekt Kristo Sotiri, dy vjet më vonë, në tetor të vitit 1925, Bashkia e nxori planin në ankand. Çfarë ishte bërë gjatë dy viteve, (1923-1925), ka mbetur e panjohur. Kristo Sotiri nuk përmendet më. Kush e fitoi tenderin, nuk dihet asgjë. Në janar të vitit 1928 u thirrën arkitektë të huaj:
“Mbrëmë arriti këtu nga Vlora, inxhinieri austriak Franc Koller. Zotëri e tij është rekomanduar prej Konsullatës shqiptare në Vjenë dhe vjen në Bashkinë e këtushme për të hartuar planin e ri të qytetit”
(Gazeta Zëri i Korçës, 21 janar 1928)
Inxhineri Franc Koller vjen dhe ikën herëpasherë:
“Sikundër kemi botuar edhe tjetër herë, Bashkia e këtushme është duke përgatitur një plan të qytetit. Për këtë qëllim ka sjellë me rekomandim të Konsullatës sonë në vjenë ing. ausriak z. Franc Koller. Zotëri e tij filloi nga detyra dhe brenda pesëmbëdhjet ditëve do të fillojë me matjet e nevojshme për hartimin e planit. Brenda kësaj kohe shpresohet të arrijnë instrumentet e duhura, të cilat janë porositur në Vjenë”
(“Zëri i Korçës”, 10 mars 1928)
Më në fund, pas 5 vitesh, u duk sikur plani urbanistik kishte hyrë në udhën e duhur. Bashkia vendos të ndalojë ndërtimet e reja deri në hartimin e plotë të planit urbanistik:
Gjersa të rregullohen vijat definitive të planit të ri të qytetit tonë dhe të caktohen me rregullore të posaçme, mënyra dhe lloji i ndërtimeve, Këshilli i Bashkisë vendosi që të ndalohen krejt ndërtimet në të dyja faqet e udhëve të poshtëshënuara:
1. Udha e Kolonjës – Hyqymeti i vjetër – Posta – Bashkia
2. Bulevardi i mbretit Pirro – Udha e kol. Dekuenit – Udha e gjeneral Salit – Ura e Myftiut – Udha e Kolonjës
3. Të dyja anët e lumit nga Ura e Myftiut gjer në mulliri i Shën Kostandinit
4. Në pjesën e bulevardit të Shën Gjergjit, që nga ana e poshtme e kishës (porta e jashtme e Shën Gjergjit) kafe “Splendid”, gjer në udhën e 10 Dhjetori dhe që atje gjer në Udhën e Voskopojës. Në viset e tjera të qytetit u vendos që ndërtimi të jetë i lirë me konditë që të vërehet prej zyrës teknike të Bashkisë vendi, dhe të pëlqehet plani i ndërtesës
Ky vendim u aprovua dhe prej Këshillës së Administratës”.
(“Gazeta e Korçës”, 7 prill 1928)
Me ndalimin e ndërtimeve të reja jeta e banorëve u përkeqësua ndjeshëm. Ishin të shumtë njerëzit që mbetën pa punë. Askush nuk dinte çfarë po ndodhte realisht me planin e Korçës; sa lekë ishin shpenzuar për realizimin e tij; sa kohë duhej për hartimin e një plani; pse dukej sikur plani i qytetit nuk do të mbaronte kurrë etj. Gjithçka i ngjasonte një anarshie të vërtetë. Prefkti Hil Mosi ngriti një komision për të sqaruar pyetjet që mundonin qytetarët:
Me ndalimin e ndërtimeve të reja jeta e banorëve u përkeqësua ndjeshëm. Ishin të shumtë njerëzit që mbetën pa punë. Askush nuk dinte çfarë po ndodhte realisht me planin e Korçës; sa lekë ishin shpenzuar për realizimin e tij; sa kohë duhej për hartimin e një plani; pse dukej sikur plani i qytetit nuk do të mbaronte kurrë etj. Gjithçka i ngjasonte një anarshie të vërtetë. Prefkti Hil Mosi ngriti një komision për të sqaruar pyetjet që mundonin qytetarët:
“Informohemi se Prefektura ka emëruar një komision inxhinierësh për të këqyrur çështjen e planit të qytetit d.m.th., çfarë është bërë deri më tani, pse s’është mbaruar plani? Ç’punë ka kryer inxhinieri i planit gjer më sot, sa kohë duhet që të bëhet një plan për Korçën dhe sa të holla kushton?”
(“Gazeta e Korçës”, 19 shtator 1929)
Bashkia e Korçës për të shpëtuar nderin e vet, mori edhe një inxhinier të shoqërisë për tharjen e kënetës së Maliqit:
“Për të mbaruar plani i qytetit sa të jetë e mundur më shpejt Bashkia pajtoi edhe inxhinierin e Shoqërisë Maliq, i cili do të punojë bashkë me inxhinierin e Bashkisë dhe do ta mbarojnë gjer në fund të marsit”.
(“Gazeta e korçës”, 24 tetor 1929)
Megjithatë realizimi i planit nuk u bë i mundur. Projekti për një plan të ri modern dështoi. Në dhjetor të vitit 1929, kryebashkiaku Vasil Avrami kërkoi dorëheqjen. Kërkesa iu miratua. Vendin e tij e zuri nënkryetari i Bashkisë Ymer Fazlli. Pandeli Cale kishte qenë që në fillim kundër qeverisjes që favorizonte një komunitet të caktuar fetar, pasi kjo gjë do të sillte anarshi. Ja cili ishte reagimi i tij në vitin 1920:
Pandeli Cale “edhe më 1920 rezulton të ketë qenë prefekt i Korçës, duke mbështetur qeverinë e kryesuar nga Sulejman Delvina, të dalë nga kongresi i Lushnjës.
Kur ishte në detyrën e prefektit, më 16 qershor 1920, ka kontestuar caktimin e Kolë Rrodhes, ish-bashkëpunëtorit të tij të dikurshëm, në detyrën e komisarit politik në Korçë (drejtor i Policisë) dhe të Kostaq Kottes (nënprefekt) në Korçë, mbasi kjo sjell anarshi”.
Kur ishte në detyrën e prefektit, më 16 qershor 1920, ka kontestuar caktimin e Kolë Rrodhes, ish-bashkëpunëtorit të tij të dikurshëm, në detyrën e komisarit politik në Korçë (drejtor i Policisë) dhe të Kostaq Kottes (nënprefekt) në Korçë, mbasi kjo sjell anarshi”.
(Hilë Lushaku, “Cili ishte Pandeli Cale, korçari që dha gjithçka për Shqipërinë”)
Nga informacioni i mësipërm rezulton se pas kontestimit të bërë nga ana e Cales, Kol Rodhe dha dorëheqjen, kurse Pandeli Cale u emërua Guvernator i Korçës, por edhe nga kjo detyrë ai u largua për t’ia lëshuar vendin Aqif Përmetit, me qëllim që asnjëri prej komuniteteve fetare të mos ndihej i përjashtur nga qeverisja.
Plani urbanistik i Korçës iu dërgua qeverisë për miratim në maj të vitit 1930:
“Inxhinierët këto ditë i dorëzuan planin e qytetit të Korçës Bashkisë, dhe kjo pa vonim t’ia paraqitë Ministrisë së Punëve të Brendshme për aprovim. Bashkia, dyke marrë parasysh krizën dhe papunësinë që vazhdon në këtë qytet të shkaktuar nga vonesa e planit, vendosi në bazë të vijave të planit të japë leje ndërtimi, me përjashtimin e dy-tri rrugëve, ku ka qenë e ndaluar që më 1928, por edhe në këto ndalohen vetëm ndërtimet që takojnë në facë dhe jo në vende që bëhen brenda vijave të caktuara prej planit. Tani besohet të mos dëgjohet asnjë ankim nga ana e punëtorëve mbasi që sot e tutje që të gjithë do të merren me punë. Nga sa mundim të marrim vesh prej njerëzish të besuar që ardhë nga Tirana, Ministria e Punëve të Brendshme për pak ditë do të vërtetojë (miratojë) planin dhe do t’ia kthejë Bashkisë”.
(“Zëri i Korçës”, 3 maj 1930)
Qeveria e miratoi me urgjencë planin e Korçës, pasi banorët e këtij qyteti i kishin dërguar telegram Ministrisë një muaj para se të mbërrinte plani në Tiranë:
“Pardje, gjithë punëtoria e Korçës, si mjeshtër, tavanxhinj etj, iu drejtuan telegrafisht Ministrisë kompetente duke iu lutur që plani i qytetit të aprovohet e t’i kthehet Bashkisë për t’u vënë në zbatim sa më shpejt, meqë pezullimi i ndërtimeve i dëmton këta pa masë. Kjo lutje është shumë e drejtë dhe prandaj kemi shpresë se Ministria duke marrë parasysh dëmin që u shkaktohet punëtorëve, ashtu edhe popullit përgjithësisht, do t’i shpejtojë veprimet që i përkasin aprovimit të planit”.
(“Gazeta e korçës”, 5 prill 1930)
Por, pas miratimit të planit, ndodhi ajo që nuk pritej, plani i ri kishte qenë një dështim i plotë, zbatimi i tij shëmtonte qytetin:
“Duke u zbatuar plani i ri i qytetit që u hartua vjet, u vunë re disa gabime me rëndësi saqë në vend të zbukurimit e shëmton qytetin”.
(“Gazeta e Korçës”, 16 maj 1931)
Për të dalë nga kjo situatë, u kërkua ndihma e Eshref Frashërit:
“Për të bërë ndreqjet e duhura, Bashkia ftoi Eshref Frashërin të bëjë këqyrjet dhe ndreqjet e duhura në vend”.
(Po aty, “Gazeta e Korçës”, 16 maj 1931)
Fal ndihmës së Eshref Frshërit, brenda një kohë të shkurtër u hartuan tri variante të planit:
“Këshilla Ministriale pranoi projektin e tri varianteve në planin e Korçës të përgatitur dhe pranuar prej Këshillës s’ Administratës të Prefekturës dhe prej Ministrisë së Punëve Botore”
(Gazeta e Korçës, e premte 1 korrik 1932)
Eshref Frashëri, por jo vetëm, i ishte gjendur Korçës pranë në momente më kyçe të jetës së saj. Më 27 maj 1920, Eshref Frashëri, Pandeli Cale, Tefik Panariti, Nikollaq Zoi, dr. Hakif Mborja etj morën përsipër nënshkrimin e “Protokollit të Kapshticës” i cili ndali synimet shoviniste të grekëve ndaj Korçës. Të gjithë bashkë ia delnin gjithnjë mbanë. /tesheshi.com/