Nga Bashkim Kastrati
Kushtet e rënda soc-ekonomike me të cilat po përballen qytetarët e Kosovës po i detyron ata që për realizimin e qëllimeve të tyre të iu drejtohen bankave për të marrë kredi, ani pse kamatat janë shumë të larta dhe shpesh të papërballueshme dhe një pjesë e tyre detyrohen të marrin kredi të reja për të mbuluar kreditë e vjetra, që do të thotë zhytje e mëtutjeshme në borxhe.
Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), afër 40 për qind e huamarrësve në Kosovë, përfshirë këtu ekonomitë familjare dhe ndërmarrjet, kanë problem me mbingarkesë të borxhit, ku vlera e këstit mujor tejkalon mbi 50 për qind të hyrave mujore neto.
Sipas BQK-së, ekonomitë familjare kishin më shumë raste të mbingarkesës me borxh, ku 44.7 për qind e tyre shpenzuan më shumë se 50 për qind të hyrave për pagesë të kësteve në krahasim me 36 për qind të ndërmarrjeve.
“Sidoqoftë, ndërmarrjet kishin raste më të shpeshta të mbingarkesës së nivelit më të lartë, ku 19.3 për qind e tyre ishin josolvent në raport me vetëm 8.4 për qind të individëve”, thuhet në raport.
Gjetjet e studimit për ngarkesën e ekonomive familjare mbështeten edhe nga Anketa e Buxhetit të Ekonomive Familjare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), rezultatet e së cilës për vitin 2013 sugjerojnë që 44 për qind e ekonomive familjare nuk kanë mundur të përballojnë pagesat siç janë qiraja, kreditë, tatimet, shpenzimet komunale, faturat, dhe mirëmbajtjet e rregullta.
Standardi i ulët jetësor ndikon në kredimarrje
Naim Gashi, profesor i ekonomisë ka thënë për tesheshi.com se standardi i ulët jetësor po i detyron qytetarët që të vetmen alternativë të financimit të nevoja familjare ta gjejnë tek bankat. Ai thotë se fatkeqësisht bankat në Kosovë nuk e kanë luajtur rolin që do të duhej ta kishin, financimin e përmirësimit të standardit jetësor.
“Nëpërmes kamatave të larta banka i kanë varfëruar qytetarët e Kosovës për 17 vite. Tani ata kanë filluar uljen e kamatave vetëm atëherë kur ka rënë kërkesa në tregun bankar për kredi. Pjesa dërmuese e qytetarëve kanë marrë kredi kur kamatat kanë qenë mbi 10% dhe tani ata po përballen me probleme serioze të likuiditetit të tyre financiar”, thotë profesori Gashi.
Ai mendon se praktikat e marrjes së kredive të reja për t’i shlyer ato të vjetrat, vetëm sa e thellon pamundësinë financiare të qytetarëve për kthimin e kredive, sepse ata në këtë mënyrë do të paguajnë kamata të dyfishta.
“Në shumicën e rasteve, qytetarët që marrin kredi nuk e dinë shumën e saktë të totalit të kamatave që ata do të paguajnë”, theksoi Gashi.
Ai thotë se në këtë situatë duhet që të ndërhyjë edhe Banka Qendrore e Kosovës (BQK) në mënyrë që t’iu tregojnë qytetarëve sa është totali i kamatës e jo të bëhen konfuzione përmes përqindjes që reklamojnë bankat.
“Mendoj se BQK duhet të vendos kriter për bankat komerciale që me rastin e marrjes së kredive qytetarëve t’iu tregohet saktë sa do të jetë totali i kamatës që ata do të paguajnë dhe jo vetëm përqindja e kamatës siç ndodh aktualisht”, thotë Gashi.
Qytetarët dhe bizneset nuk përfitojnë nga kreditë
Lulzim Beqiri, magjistër i ekonomisë ka thënë për tesheshi.com se interesi primar i bankave komerciale në Kosovë është profiti sa më i lartë, pa marr parasysh gjendjen financiare të klientëve, dhe kjo e ka dëmtuar në mas të madhe përformancen e bankave karshi klientëve.
“Me këto kamata enorme që janë në Kosovë, qytetarët dhe bizneset nuk kanë kurrfarë përfitimi dhe si pasojë e këtyre kamatave të larta shumë biznese janë detyruar të shuajnë aktivitetin e tyre dhe shumë të tjera nuk aplikojnë fare për këto kredi”, thotë Beqiri.
Ai thotë se duke marrë parasysh situatën e rëndë ekonomike, një pjesë e madhe e qytetarëve duke mos pasur zgjidhje tjetër për të realizuar synimet e tyre rrugën e vetme e shohin marrjen e kredive.
“Një pjesë e qytetarëve kosovarë marrin kredi nga nevoja dhe kushtet tejet të vështira, për të rregulluar vendin e banimit, për një mirëqenie më të mirë, ndërsa ka edhe qytetarë që për gjëra të luksit marrin kredi dhe shumica e tyre sipas shumë hulumtimeve as që i lexojnë kushtet e kredive; dhe në fund kur ballafaqohen me probleme dhe kamata të larta dhe ankohen se kreditë janë tejet të shtrenjta, pra është edhe faji i qytetarëve të cilët në fillim nuk i kalkulojnë këto kredi”, theksoi Beqiri. /tesheshi.com/