Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, pritet që këtë javë të zgjidhet president i Kosovës. Por, disa nga deputetët e LDK-së nuk do ta votojnë aleatin e tyre në qeverisje. Mes tyre është edhe deputetja Besa Gaxherri.
Në një intervsitë dhënë tesheshi.com, deputetja nga Peja, tregon arsyet pse është kundër që Thaçi të ulet në karrigen ku vite më pare ulej presidenti Ibrahim Rugova.
Në këtë intervistë, ajo flet edhe ngjarjet që po ndodhin në Kuvend, për koalicion qeverisës PDK-LDK, si dhe për zërat kundërshtues të zyrtarëve të partisë në drejtim të kryetarit Isa Mustafa.
Intervistoi: Blendi Gashi
Kuvendi i Kosovës, vitin 2016-të e nisi sërish me gaz lotsjellës e përleshje mes opozitarëve dhe sigurimit. U larguan zvarrë kolegët tuaj opozitarë. Si deputete e mazhorancës, si i shihni ngjarjet e fundit? Për këtë që po ndodh faji i është mveshur edhe kryekuvendarit Kadri Veseli për udhëheqje të dobët. Ç’mendim keni?
Seancat plenare edhe këtë vit filluan me një gjendje të papranueshme, dhunë të paparë. Është e vërtetë që reagimi i z. Veseli për të zbatuar Rregulloren e Kuvendit është i vonuar dhe i paarsyeshëm. Jemi dëshmitarë se pas respektimit të Rregullores situata u normalizua në Kuvend dhe u vazhdua puna. Megjithatë, situata ka qenë shumë e tendosur, e papëlqyer, dhe lëre më dëmin që po ia shkakton këtij vendi.
Deputetët janë të zgjedhur të popullit dhe janë zotuar që do të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi. Përveç këtyre, Kuvendi e ka edhe një rregullore, ku secili deputet e ka obligim me i ditë rregullat e asaj rregulloreje dhe ligjet e këtij vendi. Rregullorja thekson qartë se edhe për një fjalë j parlamentare deputeti mund të largohet nga seanca.
Nëse deputeti kundërshton, kryetari ka të drejtë ta ftojë sigurimin në Kuvend që ta largojë deputetin nga salla. Kjo ndodh në të gjitha kuvendet e çdo shteti demokratik në botë, prandaj deputetët mund të zgjedhin vetë për sjelljen e tyre, por natyrisht duhet t’i respektojë rregullat dhe ligjet e këtij vendi. Unë e kuptoj që sjelljet e bëra nga deputetët e opozitës, por edhe nxjerrja jashtë zvarrë e tyre, janë gjëra shumë të rënda; por nuk ka zgjidhje tjetër përveç respektimit të ligjeve të vendit.
A jeni në dijeni për fyerjet dhe fushatën e ulët dhe shqetësuese dhe gjuhën denigruese të bërë ndaj deputetes Albulena Haxhiu ku shpifjet shkuan aq larg sa u publikuan fotografi të manipuluara se kinse ka mbajtur bombolë gazi në pjesë të ndjeshme të trupit? Ju mund të mos pajtoheni me qëndrimet e Haxhiut por si deputete a keni reaguar, nëse jo a i dënoni fyerjet që ju bën koleges suaj ?
Unë nuk dua të paragjykoj, por nëse mediat kanë shkuar deri aty sa të shpikin një gjë të tillë, atëherë vërtet është më shumë shqetësuese. Jo për një individ, jo për një deputete, jo për një grua e një nënë, por sinqerisht për vendin.
Gazi lotsjellës me shumicë u fut edhe në seancën e parë të këtij viti edhe përkundër kontrollit që iu bëhet deputetëve. A mund të ketë opozita ndonjë bashkëpunëtorë të fshehtë nga pushteti? A duhet të jap përgjegjësi dikush për lejimin e gazit nëse po, kush?
Gazi lotsjellës po hyn në Kuvend. Unë personalisht kontrollohem në detaje. Një gjë e dinë të gjithë se në një mënyrë shumë diskrete gazi lotsjellës po hyn në Kuvend dhe këtë duhet ta zbardhin organet e drejtësisë. Ata ose ato që përdorin metoda të tilla (diskrete) për të futur armë në Kuvend, tregojnë se në çfarë mjerimi gjendet vendi dhe se çfarëdo njeriu ka arrit t’i manipulojë qytetarët duke ia marrë votën për të siguruar një ulëse në Kuvend. Por këto gjëra duhet t’ja lemë kohës, edhe pse është e paqartë se kah po hyn gazi lotsjellës brenda sallës plenare të Kuvendit.
Si deputete e pozitës a jeni në dijeni se kur do të mbahet seanca e radhës plenare? Në këtë seancë sipas të gjitha gjasave do të jetë në rend dite edhe zgjedhja e presidentit. A do të votoni ju pro Thaçit për president dhe si e shpjegoni faktin që LDK të vendos në ulësen e dikurshme të Rugovës kundërshtarin e tij më të madh politik, Hashim Thaçi?
Është thënë se më datë 24 të këtij muaji do të ketë një seancë tjetër, por nuk kemi marrë ende ftesë. Nuk jam e informuar nëse në seancën e radhës do të jetë si pikë e rendit të ditës edhe zgjedhja e presidentit apo jo. Normal që po bëhet politikë mes pozitës dhe opozitës. Secili shtet i ka specifikat e veta. Por LDK-ja gjithmonë është pretenduar prej të gjitha partive politike me qenë kurban, edhe pse ka bagazhin më të gjatë të veprimit të saj.
LDK-ja ka një hipotekë të pastër të veprimit, prandaj të gjitha partitë tjera kanë përdorur dhe përdorin metoda për ta denigruar dhe dëmtuar. Por një gjë e tillë është vështirë për të ndodh në LDK sepse gjërat do të vijnë duke u zbardhur. As LDK as PDK nuk mundet me udhëheq këtë vend pa koalicion. Tash historikun e këtij koalicioni e dijmë të gjithë. Por, sikur të ishte ndërtuar koalicion me këtë opozitë, paska qenë më mirë se kjo partia që e kemi në koalicion!
LDK-ja asnjëherë nuk po thotë se është bërë me PDK-në dhe se PDK-ja ka ndryshuar dhe është bërë më e mira në vend. PDK-ja është ajo që është dhe LDK është ajo që është. Kundërshtar kryesor politik e kemi PDK-në.
PDK-LDK kanë bërë marrëveshje para një viti dhe aty është vendosur edhe për presidentin dhe kryeministrin. Ne kemi marrë kryeministrin pa qenë partia e parë dhe PDK-ja na ka votuar, ku më pas dhe LDK-ja ka marrë obligimet e veta. Tjetër është që disa deputetË kanë parimet dhe qëndrimet e tyre, por subjekti politik ka marrë qëndrim dhe ai qëndrim duhet respektuar.
Pra, a mund të na thoni, do të votoni pro ose kundër Thaçit për president?
Asnjë deputet dhe anëtar i LDK-së dhe as kryeministri, nuk do të kishte qejf që z. Thaçi me qenë president, sepse rivalin kryesor politik e kemi PDK-në. Por LDK ka bërë një marrëveshje.
Unë jam një nga ato deputete që nuk e kam votuar kryetarin e Kuvendit (Kadri Veselin) dhe nuk do ta votoj as këtë (Hashim Thaçin).
Por, unë do ta mbështes subjektin politik sepse me shumicë votash ata kanë marrë qëndrim të ecin tutje si koalicion.
Nuk dua të luaj atë rol që në Kosovë të krijojnë anarki për arsye se na ka ra në mend pas 10 vjetësh se Thaçi nuk bën të zgjidhet president.
Ju e dini, e keni përcjell procesin. Kryetari i Kuvendit është zgjedhur me votë të hapur dhe unë kam qenë kundër.
Unë nuk kam asnjë arsye me votu Hashim Thaçin president.
Ju keni qenë një nga zyrtaret e LDK-së më të rrepta ndaj PDK-së së Thaçit duke thënë se partia juaj nuk duhet të bashkëqeverisë me PDK-në. Megjithatë ndodhi kjo. ‘Martesa e zorit PDK-LDK’, ka kaluar 1 vit qeverisje. Ç’mendim keni, jeni të kënaqur me punën e bërë?
Kur është bërë ky koalicion kam qenë kundër për arsye se kam menduar se dy partitë më të mëdha politike në vend, nëse nuk tregojnë seriozitet në qeverisje munden me ngulfat demokracinë n dhe se do të ketë probleme.
Por e kam thënë edhe të kundërtën: nëse këto dy parti mendojnë seriozisht dhe nëse duan, është mundësia të bëhen ndryshime në vend.
Është e vërtetë që nuk mundem me dhanë vlerësim sepse dihet çfarë ka ndodhur. Që nga dita e parë e marrjes së postit nga ana e kryeministrit Mustafa e deri sot, në Kosovë nuk ka pasur qetësi dhe kjo është bërë me qëllim. Por, nëse fillojmë me i shiku lëvizjet shumë pozitive në Kosovë edhe mbi këtë tym e flakë, atëherë e shohim se Kosova për herë të parë e ka kryeministrin më të mirë që ka mundur ta ketë deri sot. Megjithatë, nuk ka mundësi me pas rezultat e suksese të mjaftueshme në këtë situatë.
Po e shoh vetëm prej Kuvendit, ku vetëm në seancën e fundit janë shtyrë katër marrëveshje ndërkombëtare të cilat kanë të bëjnë afër 100 milionë euro të cilat janë donacione për vendin, lëre më ligje të tjera që janë jetike për vendin.
Prandaj, nuk mund të bëjmë vlerësimin as pozitiv në ekstrem por as negativ sepse situata vërtetë është shumë e pafavorshme.
Por, jam shumë e sigurt që z.Mustafa është ekonomist me përvojë të madhe dhe me një qëllim shumë serioz për t’u drejtuar drejt zhvillimit ekonomik në vend.
Arma kryesore është orientimi drejt zhvillimit ekonomik dhe, nëse ndodh kjo, të gjitha tensionet tjera vijnë duke rënë. Për këtë gjë nevojitet edhe kontributi i opozitës, por asaj nuk po i inteson asgjë përveç pushtetit dhe kjo është e papranueshme.
A pritni ta çojë qeveria aktuale mandatin e saj deri në fund? Nëse jo, kur pritni të mbahen zgjedhjet e reja dhe cila parti besoni se do të triumfonte dhe cili mund të ishte koalicioni qeverisës?
Nuk guxohet të dilet jashtë kornizave kushtetuese dhe të krijohet precedent, sepse nëse vendi shkon në zgjedhje këtë vit, atëherë i hapet rrugë çdo subjekti politik që t’i shpallë zgjedhjet çdo vit dhe kjo nuk guxon të lejohet të ndodh.
Nuk është çështja që LDK dhe PDK nuk po duan të shkojnë në zgjedhje, por çështja është se nuk mund të krijohet lluksi se kushdo që dëshiron të bëj çfarë të dojë, edhe pse nuk është lehtë të shkohet deri në fund të mandatit me këtë gjendje sepse është absurd i llojit të vet.
Është shumë më lehtë të shkohet në zgjedhje, por nuk guxojmë dhe nuk kemi të drejtë me ja kriju vendit dhe fëmijëve tonë një precedent të tillë.
Edhe nëse shkohet në zgjedhje, duhet të ulen të gjitha palët në bisedime dhe të vendosin së paku një vit e më shumë kohë për organizimin e tyre, sepse nuk mund të shkohet me këtë atmosferë në zgjedhje. Askush që e don vendin nuk ka dëshirë të shkojë në zgjedhje në një situatë të tillë që jemi.
Të flasim pak për LDK-në. Kolegja juaj e parties, Vjosa Osmani ka thënë se PDK ka për qëllim shkatërrimin e LDK-së dhe shndërrimin e saj në marionetë apo parti satelit të PDK-së. Po e shkatërron Isa Mustafa partinë duke qenë përkrah Thaçit?
Unë kam pas fatin me qenë prej ditëve të para n në LDK, edhe si themeluese e nëndegës e deri më sot. LDK gjithmonë ka pasur problem me akuza nga kundërshtarët sidomos pasluftës, sepse kanë akuzuar partinë se presidenti Rugova ka qenë i keq. Edhe sot e njëra po ndodh e njëjta gjë. Megjithatë, po e them se Isa Mustafa është me kilometra larg liderëve aktualë politik.
Prandaj, as unë dhe asnjë anëtarë i LDK-së nuk i bën favor partisë që të dal të flas keq dhe të përçajë LDK-në, sepse subjekti ynë është më i qeti në këtë vend, sepse nuk ka asnjë hipotekë kriminale që mund të frikësojë.
Është obligim yni të punojmë, të ecim përpara, të tregojmë profesionalizëm, kulturë politike dhe nuk kemi nevojë ta luftojmë njëri-tjetrin, aq më pak brenda LDK-së. Megjithatë, është demokraci, por z. Mustafa ka mandat deri në fund dhe duhet të përkrahet por jo të luftohet.
LDK udhëheq me qytetin e Pejës. Sa jeni e kënaqur ju si qytetare e këtij qyteti me punën e kryetarit Gazmend Muhaxherit, bashkëpartiakut tuaj ?
Çdo natë zvhillohen takime me nëndegë dhe qytetarë ku prezantohen punët që ka arrit me i realizu z. Muhaxheri, dhe cilat punë do t’i realizon deri në fund të mandatit. Në bazë të kësaj, shoh se mandati i z. Muhaxheri do të përfundoj me 95 % të premtimeve të realizuara. Askush nuk është i përkryer por asnjë kryetar i LDK-së që udhëheq me komunat nuk ka aktakuzë të ngritur me drejtësinë e këtij vendit. Kryetarët e LDK-së në secilën komunë janë shumë të ndërgjegjshëm dhe të ndershëm dhe për vetën time deri më tani jam e kënaqur. /tesheshi.com/