Nuk vrapon si politikanët e tjerë të jetë prezent me çdo kusht në media, por fare nuk e ka problem të shpreh mendimet e tij për ngjarjet e rëndësishme në vend, siç bie fjala tashmë për fazën finale të dialogut me Serbinë.
E thotë troç se Serbia është dinake dhe pala kosovare duhet pasur kujdes në bisedimet që do rinisin shpejt, ndërsa nuk beson se temë diskutimi do jetë Veriu i vendit.
Fjala është për deputetin e PDK-së, Fatmir Xhelili, i cili në intervistën e dhënë për tesheshi.com përveç tjerash flet edhe për tryezat politike që po organizohen nga partitë, thirrjet e opozitës për zgjedhje të reja, për zgjedhjet e brendshme që do mbahet sivjet në PDK, e tema tjera.
Intervistoi: Blendi Gashi
Si i shihni tryezat që po organizohen nga partitë politike? A do sjellin ndonjë rezultat?
Shpresoj dhe besoj që së paku do vihet një komunikim që të shërbej për të njohur qëllimet e partive politike dhe gatishmërinë e tyre për të participuar në proces të dialogut.
Nuk jam ithtar që tryezat e rrumbullakëta të zëvendësojnë institucionet shtetërore, si Kuvendin, pasi institucioni ligjvënës është më meritori për tu zhvilluar debat për procesin në dialog me Serbinë.
Përkundër përpjekjeve të partive politike për të zhvilluar një komunikim dhe për të gjetur pika të përbashkëta përmes tryezave, domosdo, Kuvendi do jetë vendi ku do arrihen synimet ose ku do vendosen vijat e kuqe apo të gjelbërta për fazën finale të dialogut.
Vetëvendosje ka ftuar edhe partinë tuaj për tryezën që do e organizojnë të premten. Po çelet VV ndaj PDK-së pas “armiqësisë” me vite?
Të gjitha partitë e në veçanti këto që janë në Kuvend i çmoj si asete kombëtare. Edhe për VV-në kam respekt sepse në pjesët ku ka elaboruar politikat e saja për problematikat e ndryshme shtetërore është munduar të jetë konstruktive, përjashto momentet kur ka përdorur dhunë fizike për të mbrojtur kauzat e tyre politike, qofshin ato të arsyeshme apo jo.
VV nuk ka pasur asnjëherë arsye të jetë e mbyllur ndaj PDK-së.
PDK-ja ka qenë, është dhe mbetet parti që prioritet i ka dhënë problemeve të Kosovës dhe zgjidhjes së tyre, ka zhvilluar politika që kanë ndikuar në përmirësimin e kualitetit të jetës në Kosovë dhe kam pritur momentin që Vetëvendosje ta tejkalojë mendësinë e saj për qasjen ndaj PDK-së, dhe më ka ardhur mirë që ka bërë ftesën.
PDK-ja nuk është refuzuese ndaj askujt dhe gjithherë ka qenë e gatshme të bashkëpunoj me partitë për pikat e përbashkëta që janë konsideruar të arsyeshme gjatë proceseve të ndryshme politike.
Është paralajmëruar faza e re e dialogut me Serbinë? Presidenti Thaçi ka paralajmëruar një lloj kompromisi. A lidhet me Veriun apo ç’mund të jetë ai?
Jemi në fazën përfundimtare të bisedimeve me Serbinë dhe ekipi ynë duhet ta ketë parasysh se Serbia, dinakërinë dhe gënjeshtrën e ka pasur gjithnjë virtyt dhe metodë të punës së tyre.
Sikur të kishim besimin se pala serbe do të zbatonte në afate të caktuara marrëveshjet e nënshkruara, do të rritej besimi se Serbia është e interesuar për një fqinjësi të mirë dhe epilog përfundimtar pozitiv. Mirëpo, Kosova të gjitha marrëveshjet që i ka marrë për obligim për ti përfunduar, faktikisht i ka realizuar me kohë, përjashto atë për Asociacionin, kurse Serbia ka mbetur pa i realizuar katër apo pesë obligime të mëdha, nga marrëveshjet e arritura.
Besoj se edhe faktori ndërkombëtar, konkretisht Bashkimi Evropian, duhet të influencojë Serbinë për të përfunduar obligimet nga marrëveshjet.
Çështjet e bisedimeve shpeshherë janë edhe çështje kompromisi, por varet çfarë kompromise dhe cili është produkti, pra nëse produkti do jetë në favor për qytetarët serb që jetojnë në Kosovë apo do jetë kompromis për vazhdimin e ndikimit të vijave politike të Serbisë në politikën e brendshme të Kosovës.
Në qoftë se është aktuale vetëm kompromisi për përmirësimin e jetës së qytetarëve serb në Kosovë, shteti ynë ka dëshmuar se ka bërë kompromise, ka dëshmuar me aprovimin e shumë ligjeve që kanë mundësuar që serbët ta ndiejnë vetën të sigurt në Kosovë, të jetojnë të lirë dhe të zhvillojnë biznese, të participojnë në të gjitha sferat e jetës në Kosovë, mirëpo ata deri më tani kanë hezituar të integrohen plotësisht, të shfrytëzojnë të gjitha të drejtat që ju mundëson Kushtetuta dhe ligjet, të dezorientuar prej politikës së Beogradit.
Ndërkaq nuk besoj që Veriu ka me qenë temë diskutimi edhe pse Serbia mund të insistojë, por nuk besoj që ekipi ynë në krye me presidentin do të pranojë që Veriu të jetë temë e atyre bisedimeve.
Mund të them se gjërat në Veri kanë ndryshuar, qytetarët atje në bazë të shumë anketimeve janë të interesuar për arsimim, shëndetësi, punësim, siguri, duke qenë se qytetarët serb graduaolisht po e kuptojnë se janë të manipuluar nga politika serbe për interesa të politikës së brendshme të Serbisë.
Përmendët Thaçin si njeri që pritet t’i udhëheq bisedimet me Serbinë, çka jo veç opozita por edhe NISMA e Fatmir Limajt NISMA po kundërshton këtë? Sipas jush është i duhuri Thaçi?
Nuk isha bazuar në deklarata të politikanëve që për interesa partiake shprehin qëndrime kundërthënëse. Presidenti Thaçi është një figurë politike i cili deri më tani i ka udhëhequr bisedimet, andaj eksperienca e tij, gatishmëria dhe guximi për ti avancuar gjërat, është evident dhe domethënës.
Ai është identifikuar edhe nga faktori ndërkombëtar por edhe nga qytetarët se ka gatishmëri të përzgjedhë ekipin për negocim i cili do të është në gjendje të mbrojë interesat e Kosovës.
Me takimet që ka pasur në Bruksel, Uashington, Berlin, Sofje dëshmohet besimi i faktorit ndërkombëtar në presidentin Thaçi dhe besoj që është figura më kompetente t’i udhëheq bisedimet. Për kualitetet e tij, janë të vetëdijshme edhe partitë opozitare, por kundërshtimet e tyre janë taktika dhe kalkulime politike.
Një temë tjetër mjaft aktuale është edhe kërkesa e vazhdueshme e opozitarës, konkretisht LDK-së për zgjedhje të reja. Deputeti i kësaj të fundit, Arben Gashi e sheh gushtin si muaj të zgjedhjeve të reja. Pritni që të ketë zgjedhje sivjet?
Duke marrë parasysh relacionet në Kuvend, fuqinë e partive dhe situatën aktuale, konstatoj se shumica e partive nuk janë të përgatitura për zgjedhje, dhe kërkesa për zgjedhje është më shumë një retorikë për t’i motivuar anëtarët e vet dhe për t’i “frikësuar” konkurrentët politik.
Hyrja në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë e pamundëson të ketë zgjedhje këtë vit dhe mendoj se procesi zgjedhor do ishte pengesë e madhe për këtë dialog.
Unë nuk besoj se këtë vit do ketë zgjedhje, ato ndoshta mund të ndodhin në mënyrë aksidentale por jo në mënyrë të planifikuar, jo me qëllim të mirë dhe nuk do ishin në dobi të Kosovës.
Kurse vitin e ardhshëm varet nga sukseset që do ketë qeveria, qoftë në drejtim të luftimit të krimit të organizuar, korrupsionit dhe përmbushjes së detyrave që dalin në kuadër të Planit Kombëtar të Stabilizim Asociimit, pasi është koha e fundit që Kosova merret me problemet e veta dhe realizon detyrat të cilat dalin nga MSA-ja, fillimisht duke konsideruar detyra të veta, realizimi i të cilave mundësojnë që Kosova ekonomikisht të jetë në gjendje ta mbajë vetveten, duke zbatuar drejtësi e ligj dhe të përmirësohet sistemi shëndetësor dhe ai arsimor.
Folët për disa punë që e presin qeverinë “Haradinaj”. Si e keni parë e deritanishme të qeverisë, është në rrugë të drejtë apo keni pritur më shumë?
Mund të them se në fillim i kam pasur pritjet më të mëdha për qeverinë aktuale, por kanë qenë edhe disa pengesa reale, sikur procesi i Demarkacionit i cili ka qenë i tej zgjatur dhe bukur shumë i komplikuar.
Pas Demarkacionit, mendoj se qeveria ka dhënë shenja se do përballet me problemet reale të qytetarëve. Unë shpresoj të jetë qeveri e suksesshme, ka mundësi dhe hapësirë për të qenë e tillë, por para së gjithash duhet të ekzistojë vullneti politik për t’i luftuar fenomenet negative.
PDK sivjet mban zgjedhje të reja. A do ketë Kadri Veseli kundërkandidat për kreun e partisë apo është i pazëvendësueshëm në këtë fazë?
Personalisht mendoj se kryetarit Veseli nuk ju dha mundësia t’i dëshmoj aftësitë e tij menaxheriale në drejtimin e menaxhimit të resoreve ekzekutive të shtetit tonë.
Unë besoj se çdo ditë e më shumë po e fiton përkrahjen e anëtarëve të PDK-së, një përkrahje serioze edhe nga qytetarët duke u perceptuar drejtë, pasi që tek ai prioritet janë interesat e vendit dhe jo ato partiake.
Unë shpresoj që në periudhën afatshkurtër ai do të dëshmohet se do jetë i suksesshëm, me investimin që është duke bërë tek kuadrot e reja për hapësirën e krijuar për tu kyçur profesionalistët e lëmive të ndryshme në projektet e PDK-së.
Unë jam përkrahës që kryetari Veseli të vazhdoj mandatin, ndërsa se a do ketë konkurrent apo jo, kjo varet nga kandidatët tjerë. Nuk çuditem edhe nëse ndonjë zyrtar i partisë vendosë të kandidoj, do ishte një e drejtë demokratike.
Së fundmi zyrtarë opozitarë po flasin për sondazhe të cilat PDK-në sipas tyre e nxjerrin si parti të dytë. Ç’përgjigjeni keni?
Edhe në të kaluarën disa sondazhe nuk e kanë renditur mirë PDK-në por edhe atëherë rezultatet zgjedhore e kanë renditur më mirë PDK-në në zgjedhje se sa në sondazhe.
Në zgjedhjet e fundit, e kam fjalën për ato lokale, është dëshmuar fuqia e PDK-së, është dëshmuar që PDK-ja ka një elektorat të etabluar, dhe të qëndrueshëm. Unë nuk dyshoj se edhe po te mbahen zgjedhjet në këtë muaj, PDK-ja nuk do të dilte forca e parë në vend.
Njerëzit e PDK-së dhe qytetarët çdo herë e me shumë besojnë në programin tonë dhe në kapacitetet e partisë sonë.
Për fund një mendim për temën e shumëpërfolur të vizave. Mendoni se do hiqen përfundimisht sivjet apo do vazhdon izolimi?
Vërehet një tendencë e politikanëve për të garuar në prognozimin për afatin e liberalizimit të vizave. Ne si shtet kemi përmbushur 95 të obligimeve të cilat kanë qenë të caktuar për këtë proces. Mbetet dhe është e domosdoshme të dëshmohet edhe lufta anti-korrupsion.
Unë shpresoj se këtë vit do heqen vizat, pa dashur të garojë me këtë deklaratë, mirëpo do ishte gabim i madh për Evropën, të mbetet vetëm Kosova e izoluar. /tesheshi.com/