Shpejtim Bulliqi nga partia e kryeministrit Isa Mustafa, ishte i pari nga pozita që ngriti shqetësimin e tij për çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, duke dalë mbi partinë e tij me argumetim profesional se nga marrëveshja që nënshkroi ish-kryeministri Hashim Thaçi, Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë.
Profesor Bulliqi, në një intervistë dhënë për tesheshi.com thotë se shqetësimin e tij ia ka thënë në sy edhe Mustafës, dhe thotë se pret që qeveria këtë çështje ta kthejw edhe një herë në rishqyrtim. Edhe pse është ekspert i fushës, ai thotë se nuk ka pasur ftesë zyrtare nga presidentja Jahjaga që të jetë pjesë e Komisionit Ndërkombëtar për Demarkacionin, por shton se është në dispozicion të jap ekspertizën e tij.
Sa i përket përcaktimit të vijës kufitare me Serbisë, deputet Bulliqi thotë se për këtë duhet një përgatitje e madhe nga ana e profesionistëve .
Deputeti i LDK-së, në këtë intervistë flet edhe për krizën aktuale politike në vend, gjendjen aktuale në LDK, për (mos)themelimin e ushtrisë dhe (mos)liberalizimin e vizave.
Intervistoi: Blendi Gashi
Jeni deputet i partisë në pushtet LDK-së. Ju keni vlerësuar se me marrëveshjen për Demarkacionin, Kosova humb mijëra hektarë. A ja keni thënë këtë shqetësim tuajin personalisht liderit të partisë suaj, njëherit kryeministrit Isa Mustafa. Nëse po, çfarë ju ka thënë ?
E vërteta është se nga të gjitha analizat hartografike dhe dokumentacionin e analizuar deri më tani del se Kosova humb territor në raport me Malin e Zi. Sigurisht këtë brengë time e kam shprehur sa për dijen e opinionit publik që në seancën parlamentare në muajin maj 2015 duke shpreh shqetësimin dhe duke kërkuar publikisht nga qeveria dhe komisioni i Demarkacionit që mos të nguten në nënshkrimin e kësaj marrëveshje. Kjo për faktin se rezultatet e hulumtimit tonë profesional së bashku me kolegun Isufi na tregojnë një situatë krejt ndryshe nga prezantimi i materialit që kishte dhënë komisioni për komisionin përkatës parlamentar dhe qeverinë. Këtë brengë tonën e kemi diskutuar në një takim të më vonshëm pas nënshkrimit të marrëveshjes edhe me kryeministrin Mustafa të cilit kemi bërë përpjekje të ia sqarojmë të gjitha të gjeturat tona. Nga ky takim menduam se kemi arritur të ia sqarojmë kryeministrit i cili i ka dëgjuar me vëmendje të gjitha ato fakte.
Ju si i zgjedhur i popullit dhe profesor i gjeografisë a keni takuar banorët e Rugovës, nëse po çfarë ju kanë thënë konkretisht, pasi Qeveria disa herë ka thënë se nuk kanë marrë asnjë ankesë nga banorët e zonës. Dhe, si e shihni zgjidhjen e kësaj çështje mjaft delikate?
Po ne kemi pasur disa takime me përfaqësuesit e atij komuniteti atje dhe na kanë ofruar edhe një numër dëshmish të cilat ata i kanë poseduar dhe sipas tyre të njëjtat i kanë dorëzuar edhe institucioneve tona si dhe komisionit për demarkacion. Ata po ashtu na kanë njoftuar lidhur me problemet praktike të cilat mund të lindin në terren në raste se do të ndodhë që kjo marrëveshje do të insistohet të zbatohet në terren pasi që ato territore historikisht kanë qenë në shfrytëzim të tyre. Këtë e dëshmojnë edhe me varreza, dhe objekte tjera infrastrukture edhe pse nga paslufta shumë prej tyre është bërë përpjekje nga shteti malazez të zhduken si dëshmi.
Sa i përket zgjidhjes ne mendojmë se kjo çështje duhet të kthehet edhe një herë në rishqyrtim nga ana e qeverisë pasi që dihet që pala malazeze veç ka treguar vullnetin e mirë. Duhet analizuar të gjitha dëshmitë dhe faktet shkencore dhe dokumentacionet në dispozicion. Nëse komisioni i demarkacionit nuk ka kapacitete ta bëjë këtë duhet angazhuar edhe ekspertë tjerë të cilët kanë dëshmi dhe janë të gatshëm të japin kontributin e tyre në këtë drejtim e jo të merret për bazë vetëm kriteri i të dhënave kadastrave dhe ato të viteve të 30-ta të shekullit të kaluar për fat të keq siç ka vepruar komisioni i demarkacionit. Janë edhe një sërë faktesh relevante të cilat për fat të mirë janë nga institucionet kredibile të kohës se ish Jugosllavisë të cilat na tregojnë gjendjen reale të kësaj vije kufitare gjatë gjithë historisë së Kosovës.
Një tjetër proces demarkacioni pritet ta nis Kosova. Përcaktimi i vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë është paralajmëruar se do të jetë temë diskutimi në bisedimet në Bruksel, mes Prishtinës dhe Beogradit. A është Kosova e përgatitur për një proces të tillë dhe sa kohë mund të zgjaste kjo çështje?
Kjo do të jetë e rëndësisë së veçantë dhe thënë të drejtën ndoshta kjo është dashtë të bëhet edhe më herët në mënyrë që shtetit serb ti bëhet me dije që Kosova i ka kufijtë e vetë. Ndërsa sa i përket nivelit të përgatitjes, unë nuk dua të dyshoj por shpresojmë që po jemi të përgatitur. Mirëpo nëse shohim që në një vij kufitare me Malin e Zi në një gjatësi prej 78 km, lindën kaq shumë probleme dhe kontestime nga ana e banorëve vendas atje por edhe profesionistëve të ndryshëm atëherë kam edhe rezervat e mija të arsyeshme.
Tani kemi të bëjmë me një vijë kufitare në gjatësi prej mbi 351km me Serbinë dhe kemi të bëjmë me një shtet i cili edhe sot e kësaj dite e konteston pavarësinë tonë, një shtet që tërë dokumentacionin kadastral origjinal e ka në dorën e tij, një shtet që edhe sot po tregon pretendime territoriale ndaj Kosovës duke cenuar integritetin territorial të saj në çdo cep të mundshëm, kam frikën se do të jetë jashtëzakonisht e sfidues. Prandaj mendoj se duhet një përgatitje ekstra nga ana e profesionistëve për tu futur në këtë proces në të cilin me siguri se do të ketë nevojë edhe për një presion dhe asistencë shtesë ndërkombëtare për ta arritur ta përfundojmë këtë proces me sukses.
Keni kundërshtuar idenë e presidentes Atifete Jahjaga për Komisionin ndërkombëtar për Demarkacionin me Malin e Zi. Pse? A keni marrë ftesë të jeni pjesë e këtij Komisioni?
Po është e vërtet se kam kundërshtuar sepse mendoj që Kosova ka njerëz profesionalisht mirë të përgatitur për ta bërë këtë gjë dhe atë me kredibilitet të lartë. Mirëpo, njerëzit duhet kërkuar dhe ofruar mundësi profesionistëve që ta bëjnë këtë punë dhe jo duke i injoruar ata. Deri më tani nuk kemi pasur asnjë ftesë zyrtare, por nëse ata mendojnë se ju nevojiten njerëz profesionist jemi në dispozicion me tërë dokumentacionin dhe faktografitë që i posedojmë. Edhe nëse ndodhë e kundërta dokumentacioni do të jetë në dispozicion të procesit, vetëm që realiteti të dal në shesh. Ndërkombëtarët mendoj se duhet të jenë pjesë e procesit me qëllim që të ngritin besueshmërinë e procesit por vetëm në cilësinë e monitoruesve sepse prapë po them se Kosova ka kapacitete vetëm duhet shfrytëzuar ato.
Kriza politike nuk po gjen fund. A po ndodh kjo edhe për fajin e partisë suaj LDK-së? As takimi i fundit te presidentja nuk dha zgjidhje. Pozitë-opozitë, sërish thumbuan njëra-tjetrën. Si e shihni zgjidhjen?
Kriza politike mendoj se duhet arritur të zgjidhet brenda institucioneve, përkatësisht Kuvendit të Kosovës. Aty ka nisur aty duhet zgjidhur. Kjo përmes dialogut të shtruar pozitë-opozitë duke diskutuar të gjitha heshtjet e hapura. Pozita duhet respektuar opozitën dhe anasjelltas në të mirë të zgjidhjes së kërkesave të qytetarëve të Kosovës. Problemet e shtruara për zgjidhje nga ana e opozitës duhet marrë me seriozitet sikurse edhe opozita le të shpresojmë se i kanë brengë zgjidhjen e këtyre problemeve e jo marrjen e pushtetit. Mendoj se problemet nuk zgjidhen me dhunë dhe rrugëve duke i dëmtuar institucionet e shtetit dhe pasurinë e qytetarëve.
Drejtues të lartë të LDK-së po betohen se do ta rizgjedhinm dikur “armikun” më të madh, për president. Por një pjesë e deputetëve kanë thënë se nuk do ta votojnë. Çfarë do bëni ju do rrini në seancën ku rend dite do të jetë zgjedhja e Thaçit president. Nëse po, do votoni për apo kundër?
LDK, është parti institucionaliste e cila i ka respektuar dhe i respekton të gjitha marrëveshjet që kanë të bëjnë në të mirë të qytetarëve. Tek e fundit aty jemi për të mirën e qytetarëve të Kosovës dhe LDK, gjithmonë ka ditur që në momentet kyçe për shtetin të dijë të veproj mençurish dhe mendoj edhe kësaj radhe diçka të tillë do ta bëjë. Tek e fundit LDK i ka strukturat udhëheqëse të saja të cilat besoj se do t’i konsultoj në të gjitha fazat e proceseve në interes të subjektit e vendit dhe vendimet e marra nga to do të jenë në interes të qytetarëve të vendit. Sa i përket votës mendoj që kjo është diskrecion sepse e tillë është vota. Besoj që vota ime do të jetë në të mirë dhe në interes të qytetarëve të Kosovës dhe votuesve të LDK-së.
Analistë të vendit në vazhdimësi thonë se Thaçi duke shfrytëzuar Mustafën po e djeg edhe më shumë LDK-në. Edhe sondazhet e bëra së fundmi kanë treguar rënie të votave për partinë tuaj. Këtë shqetësim e kanë ngritur edhe deputet të partisë suaj. A i duhet LDK-së një udhëheqje tjetër për të rikthyer primatin në Kosovë që kishte dikur?
LDK, si subjekt politik është e konsoliduar dhe i ka në aktive të gjitha strukturat udhëheqëse. Këto struktura me siguri bëjnë analiza rreth gjendjes aktuale në parti dhe duke i analizuar të gjitha këto procese nëpër të cilat po kalojmë do të dijë që në momente të duhura të bëjë veprimet e nevojshme.
Po shkon edhe muaji i dytë i vitit 2016-të dhe nuk ka shenja që do të formohet ushtria e Kosovës. Si deputet i partisë në pushtet a keni informata se kur mund të ndodh transformimi i FSK-së në FAK, dhe a pritet të ndodh liberalizimi i vizave këtë vit?
Po kjo është një prej brengave mendoj e të gjithë qytetarëve të Kosovës sepse formimi i FAK-ut do të ishte një prej të arriturave më të mëdha të këtij legjislacioni. Ky proces nuk do jetë i lehtë kur dihet se duhen edhe një numër i caktuar i votave nga komuniteti pakicë, të cilët me gjasë ende janë duke hezituar t’i japin. Shpresojmë që qeveria së bashku me Kuvendin do t’i bashkërendojë punët e tyre që ky proces të kryhet sa më shpejtë në të mirë të Kosovës dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve të saj.
Ndërsa, sa i përket liberalizimit të vizave mendoj që situata aktuale politike në vend ka ndikuar negativisht në përshpejtimin e këtij procesi. Mbesim me shpresë që viti 2016-të të jetë vit i realizimit të kësaj kërkese të qytetarëve të Kosovës, në mënyrë që të mos mbetemi më të izoluarit në këtë pjesë të botës. /tesheshi.com/