Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës përmes një deklarate thotë se ka marrë vendim që të bojkotojë punimet në Kuvendt deri më 6 prill, ditën kur pritet të merr një vendim i gjykatës franceze për rastin Haradinaj.
Deputetët e AAK-së thonë se janë të zhgënjyer me neglizhencën që institucionet kanë pasur në rastin Haradinaj, por edhe në raport me fletë arrestet e kundërligjshme të Serbisë ndaj shtetasve të Kosovës.
“Ne deputetët e AAK-së, kemi vendosur për këtë masë, me bindjen se kjo do të kuptohet drejt dhe do të nxisë angazhimin e duhur të shtetit të Kosovës në mbrojtjen e ish-kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj”, thuhet në deklaratë.
Megjithatë deputetët e kësaj partie nuk bëjnë të ditur nëse do rikthehen në Kuvend në momentin që vendoset të riprocedohet marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, e që pikërisht Haradinaj është njeriu i parë që e ka kundërshtuar fuqishëm. /tesheshi.com/