Sanksionimi i një dënimi nga 1-7 vjet burg për ata që shesin deh blejnë votën nuk e ka ndalur këtë fenomen, i cili ka përfshirë si gangrenë fushatën elektorale.
Shit-blerja e votës para zgjedhjeve ka nisur si fenomen rreth viteve 2000, kur partitë për shkak të përmirësimeve ligjore nuk kishin më mundësi t’i vidhnin votat pas votimit. Kështu ato përdorën thasët me miell, paratë e thata ose premtimet për një vend pune për të blerë votat, kryesisht në zonat e varfëra të vendit.
Edhe pse jemi në vitin 2017 dhe vend kandidat për të hyrë në BE ky fenomen vijon të jetë një problem i madh i standardeve zgjedhore.
Kandidatët dhe stafet e tyre elektorale vijojnë të premtojnë vende pune për votën, partia në pushtet shpërndan legalizime apo dëmshpërblime në prag të fushatës. Por votat blihen edhe me lopë, thes mielli, ushqime apo me para të thata.
Të mos flasim për inagurimet e investimeve publike që bëhen në fushatë zgjedhore që janë në fakt një “blerje vote” e tërthortë.
Të gjitha partitë e blejnë votën por akuzojnë kundërshtarët për blerje vote.
Sot LSI ka denoncuar blerjen e votave në bashkinë e Vorës. Kandidatja për deputete në Tiranë Eriona Bixha tha se Agim Kajmaku në bashkëpunim me Sajmir Tahirin shpërndajnë çdo natë para shtëpi më shtëpi në këmbim të votës.
Por mediat kanë denconcuar më herët drejtuesit e LSI-së në Shkodër që premtonte 400 vende pune në burgun e Reçit.
Vetë qytetarët kanë denoncuar rastet e blerjes së votës në platformën Za’Lart, e financuar nga fondet e ambasadës së SHBA-së.
Denoncimet nisin me premtimet e kandidatit Tom Doshi për ujë dhe rrugë dhe një anëtari të stafit të tij që ofronte para deri tek rastet e tjera me miell, lopë, leje legalizimesh, dëmshpërblime për përmbytjet në Shkodër, etj.
Denoncimet:
Skandal elektoral në Kamëz, bashkia shpërndan para për 6 mijë familje
Shënohet abuzimi më i rëndë gjatë kësaj fushate elektorale. Disa ditë para ditës së votimit, Këshilli Bashkiak i Kamëz, me propozim të kryetarit Xhelal Mziu, ka miratuar në fshehtësi një vendim, i cili parashikon t’u japë nga 50 mijë lekë të vjetra 6 mijë familjeve në Kamëz. Anëtarë të Këshillit Bashkiak kanë konfirmuar se vendimi është marrë ditën e hënë dhe është kritikuar vetëm nga këshilltarët e LSI, të cilët kanë parë tek ai prapaskena elektorale. Në listë janë përfshirë familjet, të cilat janë trajtuar më parë me ndihmë ekonomike, por që u përjashtuan nga skema gjatë reformës pas vitit 2013. Vendimi është marrë pikërisht në prag të zgjedhjeve, me qëllim për të maksimalizuar votat për llogari të partisë që përfaqëson kryebashkiaku.
Denoncimi i barinjve: LSI na bllokoi kullotat për votën
Barinjtë e fshatit Zhulat nuk po u jepen kontratat e përdorimit vjetor të kullotave nga Bashkia e Gjirokastrës. Ata shprehen se kontratat mbahen qëllimisht pasi u bëhet presion për të votuar LSI-ne. Në rrëfimet e tyre tre barinj të fshatit mes të cilëve A.V, akuzojnë haptazi se Drejtoria e Kullotave në Bashkinë e Gjirokastrës që kontrollohet nga LSI, nuk u jep kontratat para datës 25 qershor me qëllim që ata dhe familjarët e tyre, të votojnë LSI.
Kjo situatë është bërë shumë problematike në mbarë zonën ndaj barinjtë të gjendur përballë këtij fakti, kanë denoncuar fenomenin e presionit që ushtrohet ndaj tyre, nga ana e drejtorit të kullotave dhe bujqësisë në Bashkinë e Gjirokastrës Adi Matushi. Vec kësaj barinjtë kanë pretendime se asnjëherë nuk kanë marrë subvencione për mbarështimin e krerëve nëse nuk je anëtar i LSI-se.
Tavo i LSI-së shpërndan thasë me miell
Deputeti aktual i LSI-së njëkohësisht kandidat për këtë forcë politike në Qarkun e Gjirokastrës Vangjel Tavo, dyshohet se ka shpërndarë miell në favor të votave në komunitetin rom në lagjen “Zinxhira” në qytetin e Gjirokastrës. Foto është shkëputur nga një takim që ka kryer Tavo më datën 12 qershor me këtë komunitet, ku shihet i rrethuar nga banorët. Sipas dëshmitarëve që janë pjesë të komunitetit rom, shtetasit Jorgo Rizvo dhe Marjana Rizvo, ata kanë pritur radhën për të firmosur për ndarjen e thasëve me miell.
“Me jepni votën, ju shtroj rrugët e ju sjell ujin me paratë e mia”
Kandidat i PSD-së në Shkodër, ish-deputeti i PS-së dhe biznesmen, Tom Doshi, e kërkon votën e banorëve të qarkut Shkodër duke iu premtuar në këmbim shtrimin e rrugëve, sigurimin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe shërbime të tjera nga paratë e tij. Një praktikë, që ai pranon se e ka kryer edhe në zgjedhjet e mëparshme kur ka garuar në siglën e PS. Por Doshi nga ana tjetër ka denoncuar një anëtar të stafit të tij elektoral, i cili premtonte 10 mijë lekë në këmbim të votës në favor të kandidatit Doshi. Policia e ka shpallur në kërkim shtetasin Pjetër Prendi, 42 vjeç. Doshi ka bërë denoncimin në polici pasi është informuar se emri i tij po përdorej për blerje vote.
Pukë, varfëria që blihet lirë
Në Pukë. banoreve të qytetit dhe fshatrave po u ofrohen para për shitjen e votës. Denoncimi vjen nga kryetari i PD Prel Raja i cili akuzon kandidatët e PS, PDIU dhe LSI, që në këmbim të votës banorëve po u afrohen para, apo vende pune. Në këtë zonë veriore të vendit nuk është hera e parë që flitet për blerje të votës, kryesisht në zonat rurale ku papunësia dhe varfëria janë ulur këmbëkryq.
Çeqet e përmbytjeve jepen në fushatë
Banorët e fshatit Rranxa në Bushat pretendojnë që dëmshpërblimet e përmbytjeve po i marrin në mënyrë selektive vetëm mbështetësit e Partisë Socialiste. Sipas Banorëve shpërndarja e parave bëhet me një makinë të KESH, në shtëpi dhe lokale private dhe jo në zyrat e institucioneve shtetërore dhe se po u kërkohet vota në kembim të parave që ju takojnë. Administratori i Anës së Malit Arben Ceni deklaron se ai ka parë këto skena në fshatra, por zyrtarisht nuk është kontaktuar nga asnjë zyrtar i qeverisë, ministrive të linjes, apo OSHEE. Ai thote se është i gatshëm të bashkepunojë pasi njësite vendore i kanë të dhënat e familjeve.
Gjithashtu banorët e nënshkodrës së përmbytur në vitet 2010 – 2011 nga hapja e portave të hidrocentraleve po përballen me një fenomen të çuditshëm, ditët e fundit të fushatës elektorale. Atyre po ju ofrohen dëmshperblimet e dëmeve të shkaktuara në periudhë fushate. Ata thonë se po u kërkohet vota në kembin të parave që u takojnë.
Skema e ndihmës ekonomike në Poliçan
Bashkia e Poliçanit ka rritur ndjeshëm numrin e personave që do të përfitojnë ndihmë ekonomike në këto zgjedhje. Prej gati dy muajsh vetëm në fshatin Tomorr i Vogël, banorët janë futur në skemën e ndihmës ekonomike në këmbim të votës më 25 Qershor. Konkretisht: R.B, F.Sh, Z.Sh, A.B iu duhet që t’u përgjigjen me votë Partisë Socialiste nëse duan që të jenë pjesë e skemës.
Leje legalizimi për vota
Kryetari i PS-së për Shijakun, Elton Arbana shpërndan certifikata legalizimi për anëtarët e partisë. Ky veprim është bërë publik nga vetë ai, pak përpara fushatës zgjedhore, teksa shfaqet në foto me përfituesin, dhe certifikatën e pronësisë. “Socialisti i vjetër, shoku…ju bë ëndrra realitet duke u bërë pronar vetëm nga Partia Socialiste e Shqipërisë”,-shkruan ndër të tjera Arbana. Në këto kushte, asetet publike, pra funksioni publik i drejtorisë së legalizimeve, është përdor përmes kryetarit të partisë, i cili nuk ka detyrë shtetërore dhe asnjë lidhje me procesin e legalizimeve drejtpërsëdrejti.
Dreka elektorale
Në takimin elektoral me veteranët, dega e Partisë Socialiste Fier dhe kandidtatët për deputetë të kësaj partie për Bashkinë Fier, të kryesuar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, kanë shtruar një drekë të bollshme. Ky fakt pasqyrohet nga fotot e postuara në faqen e face book-ut “Partia Socialiste Fier”, më datë 27 Maj 2017.
Lopë në MAT
Sëmundja e lëkurës tek gjedhet, Dermatoza Nodulare, gjatë vitit 2016, u përhap edhe në fshatrat e rrethit të matit, duke dëmtuar ekonominë e brishtë të fermerëve. Dhjetëra lopë, të prekur nga sëmundja, ngordhën. Një vit më pas, në kulmin e fushatës elektorale, strukturat lokale në Mat, nisën të dëmshpërblenin fermerët, duke i kompensuar lopët e ngordhura. Siç duket në foto, lopët po i zbresin nga kampioni, duke ua rikthyer banorëve. Për të mos ndikuar në preferencën e tyre politike, ndoshta do të ishte mirë, që fermerët të kompensoheshin para ose pas fushatës elektorale.
Oferta: E shesh votën 50 mijë lekë
Zakonisht janë kandidatët që kërkojnë të blejnë votën, por ka dhe nga ata votues që e nxjerrin votën në ankand.
Rasti i denoncuar bën fjalë për E.G një 20-vjeçar nga Shkodra, pjesë e komunitetit egjyptian, i cili sëbashku me 4 anëtarët e familjes së tij është i gatshëm që ta shesë votën ne zgjedhjet e 25 qershorit. Ai shprehet se nëse një nga subjektet politike i jep 50 mijë lekë të vjetër për persona, 5 vota e familjes G shkojnë për ata që i japin paratë.
Këtë E.G thotë se e bën nga varfëria në familjen e tij. Po ashtu të gatshëm janë edhe i gjithë komuniteti egjyptian në Shkodër të shesin votën ndërsa disa burime bëjnë me dije se disa persona nga ky komunitet kanë bërë një listë me emra për subjekte si LSI apo edhe PD.
Zgjedhjet e mëparshme 20 vjecari E.G rrëfen për Za Lart se komuniteti ku bën pjesë ka shitur votën nga 20 mijë lekë të vjetër deri në 50 mijë lekë të vjetër, madje duke patur edhe rivalitet mes subjekteve politike në zgjedhjet e kaluara se kush paguan më shumë. Komuniteti egjyptian prej 27 vitesh jeton mes një varfërie të madhe dhe pretimet për ta nuk janë mbajtur asnjëherë qoftë nga pushteti vendor por edhe ai qëndror. Janë të përbuzur në qytet për shkak të ngjyrës së tyre dhe zakonisht bëjnë punët më të rëndomta. Një pjesë e madhe e tyre janë të papunë ndërsa një pjesë tjetër nxjerrin me shumë vështirësi të ardhurat duke u detyruar kështu sic rrëfen 20 vjecari E.G që të shesin votën edhe pse nuk është aspak dëshirë e tyre.
Rastet e mësipërme tregojnë se shit-blerja e votës është një fenomen i përhapur nga veriu në jug dhe se partitë politike duke qenë të varfër në premtime dhe në llogaridhënie me elektoratin përdorin këtë metodë korruptive për të ardhur në pushtet./tesheshi.com/