Një gjykatë apeli në Caltanissetta la në fuqi të mërkurën dënimin me burgim të përjetshëm të bosit të Cosa Nostra-s sicilian, Matteo Messina Denaro për përfshirjen e tij në dhjetëra vrasje, raporton Ansa.
Këto përfshijnë bombat e vitit 1992 që vranë prokurorët antimafia, Giovanni Falcone dhe Paolo Borselino.
Gjykata pranoi kërkesën e prokurorit publik në një ditë kur Italia shënon 31-vjetorin e sulmit me bombë në Via D’Amelio në Palermo që vrau Borselinon dhe pesë anëtarë të sigurimit të tij.
Kreu i Cosa Nostra-s, i cili kishte qenë në arrati për 30 vjet, u kap në mes të janarit në një klinikë kanceri në Palermo. Tani ai ndodhet në një burg të sigurisë maksimale në L’Aquila.
Përveç vrasjes së Borselinos dhe Falcones, Messina Denaro u dënua edhe për vrasjen e djalit 12-vjeçar Giuseppe Di Matteo.
Në vitin 1993, ai ndihmoi në organizimin e rrëmbimit të 12-vjeçarit për të detyruar të atin të hiqte dorë nga dëshmia kundër mafies. Ai e mbajti djalin në robëri për më shumë se dy vjet (800 ditë), më pas e mbyti dhe e treti trupin e tij në acid.
Messina Denaro u dënua gjithashtu për sulmet me bomba në vendet fetare dhe artistike në Milano, Romë dhe Firence në vitin 1993, në të cilat 10 persona u vranë dhe 40 u plagosën. /tesheshi.com/