Shtetet e Bashkuara kanë publikuar një vlerësim të shërbimeve të inteligjencës amerikane, dërguar në më shumë se 100 vende, sipas të cilit Moska po përdor inteligjencën, rrjetet sociale dhe mediat shtetërore ruse “për të minuar besimin e publikut në integritetin e zgjedhjeve demokratike në mbarë botën”.
“Ky është një fenomen global”, thuhet në vlerësimin e inteligjencës amerikane, transmeton Reuters.
“Informacionet tona tregojnë se zyrtarë të lartë të qeverisë ruse, përfshirë Kremlinin, besojnë se këto lloje të operacioneve të ndikimit kanë vlerë dhe janë efektive”.
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit u tha gazetarëve, duke kërkuar të mos përmendet emri, se Rusia është inkurajuar të intensifikojë operacionet e saj të ndikimit zgjedhor pas suksesit të saj në përhapjen e dezinformatave në lidhje me zgjedhjet e vitit 2020 në SHBA dhe pandeminë COVID-19.
Vlerësimi u dërgua të mërkurën në më shumë se 100 ambasada të SHBA-së në Amerikë, Evropë, Azi dhe Afrikë për t’u shpërndarë, tha një zyrtar i Departamentit të Shtetit.
Raporti është masa e fundit e Uashingtonit për të luftuar atë që i përshkruan si përpjekjet e Moskës për të “mbjellur destabilitet” në vendet demokratike, duke i portretizuar zgjedhjet si “jofunksionale dhe që rezultojnë në qeveri të paligjshme”. /tesheshi.com/