West End i Londrës u ndriçua për herë të parë me 30,000 drita për të shënuar muajin e Ramazanit. Rruga Coventry, e cila lidh sheshin Leicester me Piçadilly, është e ndriçuar me urimin “Gëzuar Ramazanin”.
Dritat janë ndezur nga kryetari i Londrës, Sadiq Khan, i cili është një nga 1.3 milionë myslimanët në Londër që festojnë Ramazanin, shkruan BBC.
Ayshea Desai, e cila u frymëzua nga dashuria e saj për llambat, është ideatore për dekorimin e qytetit. “Si fëmijë, një udhëtim në Londrën qendrore për të parë dritat festive ishte një kënaqësi e përvitshme. Unë dhe motra ime shtriheshim në makinë dhe shikonim dritat nga aty. Ishte magjike”, tha Desai.
Ky lloj zbukurimi i kryeqytetit britanik për Ramazan ka shkaktuar një lloj trazimi në rrjete sociale te muslimanë shqiptarë, të cilët duan të shohin të ndriçuar ngjashëm edhe qytetet e tyre. Por me shumë se shprehje e një dëshire, reagimet e tyre përmbajnë dhe doza të forta “mani persekutimi”, shfaqjen e një lloj frustrimi, nën ndenjën se pushteti nuk kujdeset për dekorimin e festave të tyre, siç ndodh dhe me festa të tjera.
Çështja është se festat e tjera janë më shumë dekor se thelb; Ramazani apo Bajramet janë më shumë thelb se dekor! /tesheshi.com/