Pas politikanëve dhe gjyqtarëve, zbardhen pasuritë edhe për disa nga prokurorët. Apartamente, lokale me qera, garazhde, troje, janë disa nga pasuritë e paluajtshme të deklaruara në ILDKPI, njerëzit që hetojnë veprimtaritë kriminale, drejtojnë hetimet apo firmosin urdhër-arrestet.
Referuar deklaratave zyrtare, pothuajse të gjithë kanë investuar në pasuri të paluajtshme, të siguruara si trashëgimi, me kursime familjare, nga të ardhurat apo me kredi, që gjithsesi rezultojnë se mbulojnë një përqindje të investimit të kryer.
Prokurori i Tiranës, Arian Përmeti, vetëm gjatë vitit 2016, ka deklaruar 32 pasuri të paluajtshme, të trashëguar nga babai, duke përfshirë apartamente, dyqane dhe troje.
Ndërsa prokurori Hysen Keta deklaron një shtëpi trekatëshe në Tiranë, me sipërfaqe ndërtimi 60 m2, me vlerë rreth 20 mijë USD. Prokurori thotë se truallin e ka trashëguar nga babai, ndërsa godinën e ka ndërtuar vetë nga viti 1996-2003, me të ardhura nga puna si avokat.
Ndërkaq, prokurori Zeqir Hoda, deklaron se gjatë viti të kaluar, djali i tij ka punuar si kamerier.
Nga ana tjetër, referuar gjithnjë deklaratave të pasurive të dorëzuara pranë ILDKP, prokurori Sokol Malaj, thotë se ka blerë dy apartamente dhe tre garazhe, kryesisht me parë që ka fituar bashkëshortja. Konkretisht, Sokol Malaj deklaron se ka blerë një apartament banimi me sipërfaqe 96 m2 dhe 51 m2, si dhe garazh, me vlerë 78 775 euro. Si burim për vlerën e parave, prokurori deklaron të ardhura të realizuara nga biznesi ‘klinikë dentare’, e bashkëshortes, Ana Malaj. Po gjatë vitit 2016, Malaj deklaron blerjen e një apartamenti banimi me sipërfaqe 176 m2, si dhe dy garazhe, me vlerë 15 990 500 lekë. Si burim, ai referon një kredi bankare 6 000 000 lekë si dhe të ardhura të realizuara nga biznesi ‘klinikë dentare’ e bashkëshortes. Për vitin 2016, Malaj deklaron 2 787 732 lekë të ardhura nga biznesi i vogël, klinikë dentare, shkruan shqiptarja.com.
Nga veprimtaria shoqërisë ‘Oleum Transport’, ai deklaron edhe 8 000 000 lekë të ardhura për vitin 2016. Prokurori thotë gjithashtu se ka shlyer detyrimin prej 5 150 euro për blerjen e një apartamenti si dhe ka marrë një kredi bankare në shumën 6 000 000 lekë, për blerjen e një banese në Selitë.
Prokurori i Tiranës ka edhe një apartament tjetër në Rrugën e Kavajës, të cilin e ka dhënë me qira. Përpos pagave, prokurori deklaron 224 415 lekë të ardhura të realizuara nga depozita me afat njëvjeçar në shumën 12 000 000 lekë. Vihet re se, të gjithë prokurorët operojnë me të njëjtën skemë, për shtimin e pasurive të paluajtshme.
Prokurorët e tjerë
Ajo që bie në sy është tendenca për të blerë apartamente të reja çdo vit, ndërsa shumë prej tyre kanë lokale, që kryesisht i kanë dhënë me qera.
Kështu, Kolë Hysenaj, prokuror në Tiranë, ka në pronësi një lokal në Tiranë, të cilin e ka dhënë me qira. Ai deklaron gjithashtu truall dhe ndërtesë në Korçë, me sipërfaqe 316 m2, me vlerë 100 mijë euro, truall dhe ndërtesë në Korçë, me sipërfaqe 50,90 m2, me vlerë 25 mijë euro dhe shkëmbim të makinës tip ‘SMART’ me një ‘Mercedez Benz’.
Edhe prokurori Bujar Hoxha ka në pronësi një lokal në Elbasan, ndërsa thotë se ka dhënë një sipërfaqe toke me qira në Cërrik. Prokurori Erion Pano, për vitin 2016, deklaron blerjen e dy garazheve dhe të një makine.
Pano ka në pronësi edhe një objekt, të cilin e ka dhënë me qira, ku për vitin 2016 i ka sjellë 960 000 lekë të ardhura. Kasem Berberi, pjesë e Prokurorisë së Tiranës, rezulton se është bashkëpronar me 50 % i një lokali në Gjirokastër, ndërsa deklaron një kredi për blerje të një apartamenti banimi.
Ndërsa prokurori Darius Shahu deklaron 400 m2 tokë në Laknas Tiranë, 300 euro në muaj të ardhura nga qiraja e apartamentit në Tiranë, ndërsa ka pronotuar një apartament në Golem me vlerë 57 mijë euro. /tesheshi.com/