Kryeministri Rama mbajti një fjalim të gjatë në -parlament me në fokus presidentin Meta, duke denoncuar sjelljet politike të këtij të fundit, që me mosdekretimin e dy ministrave, më pas me anullimin e zgjedhjeve, e së fundi me sulmin ndaj ndërkombëtarëve me shkak Reformën në Drejtësi.
Duke i paraprirë ngritjes së një Komisioni Hetimor ndaj kreut të shtetit, Rama tha se Meta nuk duhet të qëndrojë më anë të pozitë.
“Si mund të ketë Shqipëria sot një president që në një konferencë shtypi deklaron se është gati të bëjë një test mendor që nuk ia ka kërkuar askush edhe pse mund të ketë ngjallur dyshime. Siç thotë Dostojevksi, sfida më e madhe nuk është të mos gënjesh por të mos gënjesh veten.
Por nëse Ilir Meta mund t’ia lejojë veten të ngatërrojë gjithë dynjanë, si një njeri që shkon për në Tropojë dhe i duket sikur kalon nga burgu i Spaçit, por ku parlamenti nuk mund të lejojë mbylljen e syve për ballë kësaj rrezikshmërie. Ilir Meta ka refuzuar harbutërisht dekretimin e ministrave më shumë se një herë duke kthyer mbrapsht vullnetin e këtij parlamenti, duke e kërcënuar duke lënë të kuptohet se edhe mund ta shpërndajë fare.
Ka luajtur role dhe lojra që asnjë president tjetër nuk e ka bërë. Aq larg s’ka shkuar sa edhe vetë paraardhësi i tij, një rreshter, na duket sot si Xhefersoni. Ka kaluar edhe cakun e fundit duke luajtur deri në fund me zjarrin që plani për zjarrvënien e Shqipërisë të mos dështonte. Ai ndërhyri në mes të fushatës elektorale për të shtuar zjarrin në fikje të protestës së opozitës duke shtuar dhunën e protestës, e duke sjellë djegie të shkollave dhe dhunim të materialeve zgjedhore”, tha Rama.
Sipas shefit të qeverisë, ka shumë arsye se pse Meta duhet shkarkuar.
“Kurrë mos e ndalo kundërshtarin që po gabon – thotë Napoleon Bonaparti. Por sot nuk jemi mbledhur këtu të ndalojmë kundërshtarin tonë. Si kundërshtar i kësja shumice qeverisëse, Meta nuk duhet ndaluar në qorrmarshimin e tij të trishtueshëm të historisë politike.
Politikisht ai na e bën më të lehtë pozicionin tonë në sytë e popullit, sepse njerëzia e shohin lakuriq të vërtetën e armiqësisë së Metës kundër shumicës, nga dëshpërimi prej disfatës të planit antikombëtar të hedhjes në erë të zgjedhjeve, që synonte pengimin e Reformës në Drejtësi dhe çeljen e negociatave për anëtarësim. I kam ndjekur në një ndjenjë mëshirë budallallëqet e fallxhores Monikë dhe akrobacitë e artistit Lul, së bashku me mufkat e haxhiut Ilir.
Që nga shfajësimet e hatashme për disfatën e tyre deri tek fajësimet e dëshpëruara në adresën tonë lidhur me pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje dhe me raportin paraprak të misionit të ODIHR. Fatmirësisht e kam thënë disa herë gjatë fushatës se lufta e tyre për të prishur zgjedhjet me dhunë do të rezultonte një vrimë në ujë, por kjo nuk do t’i pengonte ata të shpallnin fitoren e radhës.
E kam ditur që do t’i numëronin si fitore shqiptarët jashtë shtetit, ata në shtëpi dhe ata në plazh. S’ka më keq për humbësit sesa të sillen si fitimtarë!”, theksoi Rama.
“Shkarkimi është një lëvizje me detyrim përcaktim. Detyrim i çdo deputeti që nuk e ka harruar betimin përpara Kuvendit. Meta nuk e ka mbushur kupën, por e ka derdhur. Një njeri i neveritur si politikan, si mbajtësi i vulës së lartë që ka humbur të drejtën të jetë.
Meta i ka kapërcyer sipër shtetit si të ishte një tank armik. Me zakon Ilir Meta duhej shkarkuar qysh në ditën që u hodh si raketë anti-amerikane, por me ligj ai mund të shkarkohet vetëm pasi komisioni hetimor parlamentar të kryejë detyrimin kushtetues të hetimit të fakteve, dhe raportimin e përfundimit të hetimeve me shkeljen e rëndë të kushtetutës. Ndryshe nga Ilir Meta, ne kemi zgjedhur forcën e shembullit ligjor”, tha Rama. /tesheshi.com/