Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, ka lëshuar një deklarate për shtyp para nisjes së seancës parlamentare për votimin e reformës në drejtësi, duke theksuar se kjo e enjte është një ditë shumë e rëndësishme për Shqipërinë.
“Sot është një ditë shumë e rëndësishme për qytetarët shqiptarë dhe të gjithë ne presim që Kuvendi do të votojë reformën historike të gjyqësorit”, thuhet në deklaratë.
Aty thuhet më tej se BE dhe SHBA kanë punuar në partneritet të ngushtë që nga fillimi i procesit dhe janë në dakordësi të plotë për të gjitha çështjet në diskutim.
“Ne presim që të gjitha palët të respektojnë angazhimin publik të shprehur dje për të votuar pro reformës”, vijon deklarata e Zyrës së BE-së, që ndryshe nga ajo e ambasadës amerikane nuk nxjerr pretendime mbi atë çfarë po ndodh orët e fundit, ku ka një rrëzim të konsensusit. /tesheshi.com/