Tritan Shehu, deputet i PD-së, reagoi përmes një komenti në rrjetet sociale mbi akuzat e kryeministrit Edi Rama ndaj institucioneve në mandatin e tij të parë qeverisës.
Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, Rama artikuloi akuza të forta në drejtim të dy ish-aleatëve të tij LSI dhe PDIU, në lidhje me mënyrën sesi kanë drejtuar institucionet që kishin të emëruarit e tyre, por edhe përsa i takon punësimeve në to.
Por Tritan Shehu thotë se Rama ishte vetë kryeministër dhe ai nuk mund të shmanget nga përgjegjësia.
“Sot Rama foli sikur të ishte në ditën e parë të qeverisjes dhe jo mbas katër vite në pushtet, siç është në realitet!!!!
Akuzoi institucionet e drejtues të tyre, kur është pikërisht ai që i emëroi ata. Koalicioni me popullin më kujton veçse sloganet bosh, por të rrezikshme të diktaturave.
Mos vallë mund të përkthehet në “vijën e masave” të dikurshme….?!”, shkruan Shehu. /tesheshi.com/