Kryeministri Edi Rama ka reaguar ditën e sotme në lidhje me deklaratën e djeshme në parlament të ish kryeministrit Sali Berisha, i cili udhëzoi popullin të armatosej. Vetë Rama u shpreh se nuk ka vend për shqetësim, ndërsa shtoi se opozita nuk e do reformën në drejtësi dhe kërkon ta bllokojë.
“Shqipëria nuk funksionon normalisht për sa kohë që ligji nuk funksionon njëlloj për të gjithë, ku ligji lexohet ndryshe dhe zbatohet ndryshe. Në thelb nuk ka asgjë të re dhe asgjë për t’u shqetësuar, përveç një gjëje, fatit të reformës në drejtësi, pabarazia para ligjit”, u shpreh Rama.
Sipas kreut të qeverisë, ka ardhur në rritje tensioni artificial i PD, me Saliun në krye për t’i bërë thirrje popullit për të marrë në duar armët.
“Saliu nuk e do reformën, as PD nuk mund ta dojë reformën, por Saliu nuk është i vetmi demokrat që sakëlldiset, se reforma mund të prek të fortët të veshur me kostum. As Saliu dhe as PD nuk kanë kurajo ta thonë që nuk e duan reformën, ndaj rrisin gjuhën e kriminalitetit duke shpresuar që rrugës të plasë një gjë dhe të justifikojnë asgjësimin e reformës”, – ishin fjalët e Ramës. /tesheshi.com/