Kryetari i PD, Lulzim Basha e ka ashpërsuar gjuhën e tij anti-Rama edhe sa i përket ligjit të menaxhimit të mbetjeve. Pas një “ndjese politike” për ligjin e qeverisë ku ai bënte pjesë, që kishte të bënte pikërisht me import mbetjesh, Basha e ka zgjidhur akoma më tej gjuhën duke shkuar deri në deklarime ektreme:
“Qeveria Rama në mënyrë të pabesë jo vetëm ka shkelur angazhimin për të mos importuar plehra, por i ka mohuar shqiptarëve të drejtën për referendum dhe në mënyrë të pabesë ka kaluar një ligj që i hap rrugën mafies së plehrave të sjellë plehrat e botës në Shqipëri, për të helmuar shqiptarët dhe fëmijët e tyre”, ka thënë kreu demokrat, i cili po ashtu ka takuar dhe një përfaqësi të AKIP-it, Aleancës Kundër Importit të Plehrave, që natyrshëm u ka dhënë mbështetje në pretendimet e tyre.
Por nuk ka mjaftuar me kaq. Më tej, gjuha e Bashës ka qenë akoma më e hidhur kur ndaj kryeministrit ka rezervuar dhe shprehi të tilla si “psikopat” dhe “i droguar”.
“E ka kthyer Shqipërinë në një burg ku ai sillet si drejtori psikopat dhe i droguar, i cili duhet të largohet një orë e më parë”, ka vijuar Basha duke artikuluar kërkesën për referendum mbi mbetjet, por që e thënë kjo nëpërmjet një gjuhe të pazakontë. /tesheshi.com/