Në një konferencë shtypi të mbajtur ditën e djeshme, kryeministri turk deklaroi se pas shpërthimit në mëngjesin e së martës, që la të vdekur 10 persona, ka aktorë të fshehtë.
“Aktorë të fshehtë janë pas sulmit të Stambollit”, ka thënë Ahmet Davutogllu, sipas asaj çka njofton Daily Sabah. Agjencitë e sigurisë po përpiqen të zbulojnë se kush e përdori ISIS-in si “nënkontraktues”, ka shtuar kryeministri turk.
Pesë persona janë ndaluar deri tani si të dyshuar në lidhje me shpërthimin në Sulltanahmet. Për katër prej tyre lajmëroi vetë kryeministri, ndërsa për një të pestë të arrestuar si i dyshuar të ketë lidhje me sulmin njoftoi ministri i Brendshëm turk, Efkan Ala.
Kryeministri turk shpjegoi po ashtu se kamikazi kishte hyrë në vend si refugjat, e se nuk ishte mbikëqyrur, pasi emri i tij nuk gjendej në listat e të dyshuarve për veprimtari subversive.
Shpërthimi i së martës, prej të cilit humbën jetën dhjetë persona e u plagosën 15 të tjerë, pason një periudhë të trazuar në Turqi. /tesheshi.com/