David McAllister: Serbia në BE, kushtëzohet nga marrëdhënia që do të ketë me Kosovën
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, David McAllister, i cili u angazhua edhe në zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri përpara zgjedhjeve të 25 qershorit, tha se negociatat për pranimin e Serbisë në BE kërkojnë lëvizje të vazhdueshme drejt marrëdhënieve më të mira me Kosovën.
Sipas tij, ky proces duhet gradualisht të çojë në normalizimin e marrëdhënieve midis të dyja palëve, në mënyrë që të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre dhe të përmbushin përgjegjësitë.
“Normalizimi i marrëdhënieve duhet të shkojë në favor të qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës dhe është thelbësore për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”, tha ai.
Raportuesi i PE-së për Serbinë theksoi se BE nuk do ta detyrojë as Beogradin, as Prishtinën për të ndërmarrë iniciativën dhe thekson se “normalizimi i qëndrueshëm i marrëdhënieve kurrë nuk do të arrihet me forcë, por vetëm me marrëveshjen e të dy palëve”. /tesheshi.com/