Epoka e internetit ka sjellë një brez të ri që nuk beson më tek Holokausti i kryer nga Gjermania naziste dhe Hitleri në Luftën e Dytë Botërore. Ata po kërkojnë burime jo të besueshme informacioni dhe mbështetësit e neonazismit në Amerikë po financojnë për përhpajen e këtyre teorive.
Kjo po ndodh me historianin anglez David Irving, i etiketuar si “mohuesi i Holokaustit” që ka nisur të preferohet në brezin e ri dhe të mbështetet financiarisht nga neonazistët amerikanë.
Irving u dënua në një gjygj për antisemitizëm dhe racizëm në librat e tij, por, siç raporton The Guardian, shumë vite pas atij gjygji që e çoi atë në falimentim, Irving po mburrret që pikëpamjet e tij kanë gjetur një brez të ri admiruesish.
Gjashtëmbëdhjetë vjet pasi një gjykatë angleze diskreditoi punën e tij dhe gjyqtari e quajti atë “anti semitik dhe racist”, historiani David Irving pretendon se po frymëzon një brez të ri “Skeptikësh të Holokaustit”.
Irving, i cili e ka hedhur poshtë atë që ndodhi në kampin e përqendrimit në Auschwitz gjatë Luftës së Dytë Botërore si një “Disneyland”, thotë se një brez i ri i të rinjve e kanë zbuluar punën e tij nëpërmjet internetit dhe mediave sociale.
“Interesi në punën time është rritur në mënyrë eksponenciale në dy apo tre vitet e fundit. Dhe shumica janë të rinjtë. Po marr mesazhe nga 14, 15, 16-vjeçarë në Amerikë. Më gjejnë në YouTube. Janë 220 mësime të mijat në YouTube, besoj, dhe këta të rinj më tregojnë se si kanë qëndruar zgjuar gjithë natës duke i parë. Ata më kontaktojnë sepse duan të gjejnë të vërtetën rreth Hitlerit dhe Luftës së Dytë Botërore. Ata pyesinnjë shumëllojshmëri pyetjesh. Po marr deri në 300 deri 400 email në ditë. Dhe unë u përgjigjem të gjithëve. Unë ndërtoj një marrëdhënie me ta”.
Irving dhe Penguin Books Ltd ishte një nga gjyqet për shpifje më të famshme të 20 vjetëve të fundit. Një historiane amerikane, Deborah Lipstadt e kishte akuzuar atë në librin e saj, “Mohimi i Holokaustit”, dhe Irving e paditi atë me botuesin e saj.
Filmi, “Mohimi”, me një skenar nga David Hare, e sjell këtë gjygj në formë kinematografike ku aktrojnë yje si Rachel Weisz në rolin e Lipstadt dhe Timothy Spall si Irving. Ai përshkruan se si ekipi ligjor i Lipstadt luftoi për fitoren e kësaj çështjeje.
James Libson, një avokat i vogël në çështjen në fjalë dhe tanimë një partner i lartë në Mishcon de Reya, tha se vendimi dukej “tepër i rëndësishëm në atë kohë”.
Lipstadt fitoi, dhe gjyqtari doli në përfundimin se Irving ishte një antisemit, mohues racist i Holokausit. Ai u detyrua të deklaronte falimentimin dhe reputacioni i tij si dijetar u shpartallua. “Me të vërtetë menduam se vendimi i vuri ‘pikën mbi i’ çështjes”, thotë Libson. “Përcaktoi qartësisht se mohimi i Holokausit kishte ndodhur. E provuam, përfundimisht, në një gjykatë.”
“Ne në mënyrë naive menduam se interneti do ta ndihmonte këtë. I gjithë materiali nga çështja u botua në internet dhe menduam se kjo do të siguronte përgjigje të mjaftueshme për këdo që mund të dyshonte. Ndërsa, natyrisht, interneti ka bërë të kundërtën. Deri vonë nuk isha në dijeni se si mohimi i Holokaustitështë përhapur në internet sërish kaq masivisht. Isha shumë i emocionuar për ‘trajler-in’ e filmit dhe nuk mund të besoja numrin e komenteve absolutisht të turpshmë në seksionin e komenteve – për ‘holo-mashtriminin’ e kështu me rradhë, më shumë se 4,000 prej tyre. Është tepër shqetësuese. Është në të vërtetë shumë më keq tani sesa vetë Irving ishte, sepse ata janë kaq abuzivë”– tha ai.
Libson po ndihmonte Anthony Julius në këtë çështje, një tjetër avokat i Mishcon që kishte bërë emër duke përfaqësuar Princeshën Diana në divorcin e saj.
Irving humbi rastin, por duke folur nga shtëpia e tij në Highlands Skoceze, një vilë me 40 dhoma pranë Nairn, dhënë nga një mirëbërës anonim, ai thotë se historia e ka “shfajësuar” atë.
“Historia evoluon. E vërteta rreth Holokaustit po del në dritë gradualisht. Dhe kjo është në sajë të internetit. Është kjo mënyra se si gjenerata e re më gjen. Ekziston një besim i përgjithshëm mes njerëzve atje, që ata po mashtrohen. Njerëzit që i kam quajtur armiku tradicional (termi i Irving për hebrenjtë) janë shumë të shqetësuar për këtë fenomen. Ata nuk mund ta kontrollojnë këtë”- thotë ai.
“Gazetat po vdesin. Dhe interneti është papritur atje. Dhe ata nuk kanë përgjigje për këtë. Është si një bar i keq me të cilin nuk dinë të merren. Eventualisht do ta shfarrosin atë, por deri atëherë mund të jetë tepër vonë.”
Google, i cili zotëron YouTube, është nën presion për shpërndarjen e gjuhës së urrejtjes për hebrenjtë dhe nxitjen e mohimit të Holokaustit pasi Observer zbuloi se rezultatet kryesore të saj për kërkimet rreth Holokaustit po drejtonin njerëzit në adresat që promovojnë mohimin.
Pas disa javësh presioni, Google pranoi të bënte ndryshime në algoritmin e tij, por ato nuk janë shumë të plota. Plotësimi automatik i Google ende sugjeron se Holokausti është një “gënjeshtër” dhe një “mashtrim” dhe ende drejton nëfaqet e internetit neo-naziste si Stormfront, ku Irving konsiderohet një autoritet mbi këtë temë. Ai gjithashtu ka një prani në Facebook, ku faqja e tij ka mbledhur më shumë se 7,000 pëlqime.
Lipstadt tha se ideja se Irving ishte shfajësuar nga historia ishte “qesharake”. “Nuk kishte asgjë, hiç, në pretendimet historike që ai bëri. Këtë e dëshmuam. Por kjo është bota ku jetojmë. Ku faktet nuk kanë më rëndësi … dhe kjo është absolutisht e tmerrshme.Unë nuk kam asnjë në lidhje me pretendimet e tij për popullaritetin e tij të ri, nëse janë të vërteta apo jo, por ju do të duhet të ‘jetoni nën një gur;’ që të mos shihni se kjo përhapje e racizmit dhe antisemitizmit po shpërndahet nga interneti. Kjo nuk ka të bëjë aspak me lirinë e fjalës. Bëhet fjalë për të vërtetën dhe gënjeshtrat”- thekson historiania Lipstadt.
Irving, megjithatë, thotë se po flet me njerëz që kanë humbur besimin në burimet kryesore të informacionit. “Kjo ka të bëjë me këtë fenomen njerëzish që nuk besojnë në atë që u thuhet nga qeveritë dhe gazetat e tyre. Ata kërkojnë përreth për të gjetur dikë që ofron ndonjë ilaç për këtë. Dhe ata më gjejnë. Unë jam pjesë e ilaçit. Nuk është vetëm se unë po shes sasi të mëdha librash nëpër botë. Një nga ndryshimet e mëdha të dy viteve të fundit është shuma që po marr në donacione. Flitej për pak para, të cilat ende vijnë, por njerëzit tani më japin shuma shumë të mëdha, shuma me pesë shifra. Unë tani vozis një Rolls-Royce. Një makinë e bukur. Edhe pse paraja është krejtësisht e parëndësishme për mua”– tregon Irving.
Mbështetësit e tij të rinj, thotë ai, janë të njëjtët njerëz që në SHBA mbështesin Donald Trump, për të cilin ai beson se do të jetë një president i mirë dhe një njeri i sinqertë dhe me qëllime mira. Megjithatë, ai shprehet se është i impresionuar edhe nga laburisti Jeremy Corbyn.
“Partia e Punës po përçahet me këto akuza për antisemitizmin”, thotë ai, “por Corbyn duket si një njeri shumë i mirë. Ndoshta është për shkak se ai është afër moshës sime, por jam i impresionuar nga ai”./tesheshi.com/