Nga Vepror Hasanas
Deri para viteve ’90, masakrën greke mbi banorët e Vakëfeve nuk guxonte ta përmendte kush, qoftë edhe kalimthi. Vepronte kodi i heshtjes. Tashmë, prej disa vitesh ka filluar të shkruhet më shpesh. Ngjarja hyri në histori me emrin “Masakra e Panaritit”, por në të vërtetë terrori përfshiu gjithë banorët e Vakëfeve. Me këtë emër, “Vakëfe”, njihen fshatrat Panarit, Grabockë, Trebickë, Treskë. Katund, Stratobërdhë, Leshnjë etj. Panariti ishte kryeqendra e tyre. Të gjitha këto fshatra ishin prona të Iljaz bej Mirahorit, themeluesit të qytetit të Korçës. Në vitin 1504-1505 ai i shpalli Vakëfe; që do të thotë se këto fshatra u përjashtuan nga taksat. Që nga ky çast vakëfllinjtë nisën t’i shihnin tokat e tyre si të shenjta. Ndiheshin më afër me Zotin. Janë dhënë shumë shpjegime pse kjo masakër ishte nga më çnjerëzoret, por ende bëhen përpjekje për gjetjen e shpjegimeve të tjera. Duket se makabriteti i masakrës së Vakëfeve vijon të mbetet i pashpjeguar plotësisht. Atë që ka mbetur e pathënë deri më sot do ta gjeni te ky rrëfim. Vijoni të lexoni. E vërteta është vetëm një: grekët i masakruan vakëfllinjtë që t’u nxirnin nga shpirti Iljaz bej Mirahorin, ndaj masakra kapërceu çdo cak të logjikës njerëzore. Banorët e vakëfeve e kishin braktisur kishën ortodokse greke dhe kishin përqafuar një besim të ri dhe për këtë gjë nuk u penduan kurrë deri ditën e vdekjes së tyre. Mos rrini pa e lexuar deri në fund këtë histori të vërtetë tmerri.
Si zuri fill masakra e 2-10 korrikut 1914. Po e rrëfëjmë tani: Një mëngjes lajmi i keq mbërriti edhe në Panarit: Grekët po vinin drejt Korçës dhe Kolonjës! Të gjithë banorët e vakëfeve e dinin ç’mund të ndodhte me ardhjen e tyre. Çetat e luftëtarëve nuk ishin aty. Kishin shkuar në ndihmë të Beratit dhe Vlorës. Banorët ishin pa asnjë mbrojtje. Dikush duhej t’u thoshte çfarë duhej të bënin. Të nesërmen mbërriti haberi i komandantit të çetës, Qazim Panariti: “Nisuni drejt Skraparit pa humbur kohë!” Ashtu u bë. Të gjithë morën udhën me të vegjël e me të mëdhenj, me burra e gra. Bëhej luftë në çdo anë: në Selenicë të Pishës, në Qesarakë e gjetkë. Grekët qëllonin me topa e gjyle. Qazim Panariti zuri Qafën e Martës për të mbajtur hapur rrugën e njerëzve që largoheshin nga Vakëfet, Korça dhe Kolonja. Askush nuk ishte i sigurtë nëse do të mbetej gjallë. Vetëm kur hynë në thellësi të Skraparit dhe Beratit kuptuan çfarë kishte ndodhur:
“Ç’të shikonje! Lumi i Tomorricës ishte mizëri, me mijëra e mijëra njerëz që shkonin muhaxhirë”. (Dëshmi e Emine Sulo Hoxha (Nako), intrevistuar nga Myftar Grabocka)
Shumë familje të fshatrave Vakëf ishin larguar 2-3 muaj më parë:
“Nga mbi 500 shtëpi që kishte Panariti më 1914, rreth 70 prej tyre ishin të krishterë. Në muajt prill e maj 1914, vetëm këto të fundit qëndruan në fshat, të tjerat u larguan totalisht muhaxhirë drejt Tomorricës, Mallakastrës e Ullishtave të Vlorës, për t’u shpëtuar masakrave që grekët kishin filluar mbi gjithë fshatrat e Shqipërisë Juglindore. Për fat keq, ata e kishin piketuar Panaritin si vendin ku do t’u jepej një mësim i mirë gjithë “shqiptarëve të pabindur” (Petrit Zeneli, “Pse u krye masakra greke në Panarit të Korçës, më 1914?”)
Grekët hynë në Panarit në fund të qershorit 1914. Mëria e tyre ndaj banorëve të Vakëfeve ishte e madhe, e akumuluar nëpër kohëra. Të gjithë e dinin këtë gjë. Banorët e vakëfeve kishin ndërruar fenë e tyre që nga koha kur Iljaz bej Mirahori i shpalli vakëfe. E braktisën kishën ortodokse greke. Nuk dëshironin t’i besonin më asaj, që në çdo vajtje në kishë u përsëriste pafundësisht të njëjtën gjë deri në neveri: Ju jeni grekë… çdo ortodoks është grek… gjuha shqipe është e mallkuar… vetëm helenishtja është gjuhë e Zotit… Mirahori u kishte hapur një horizont tjetër. Tani ata kishin tokat e tyre, pronat dhe shtëpitë e tyre, nuk paganin më taksa të rënda. Flisnin shqip dhe ndiheshin shqiptarë. Iljaz bej Mirahori ishte udhëheqës i tyre. Kjo gjë nuk ndodhi vetëm me myslimanët, por edhe me ortodoksët. Tani, të gjithë bashkë, myslimanë e ortodoksë, kishin për zemër të njëjtin njeri. Myslimanët e quanin Iljaz Mirahori; ortodoksët, Ilia Mirahori. Ai i dëgjonte të dyja palët njëlloj. Ishte bir i Panaritit.
Ushtarët grekë të udhëhequr nga kapiteni Stratos hynë në Panarit, por banorët e fshatit nuk ishin më aty. Hulumtuesit e masakrës, kryesisht Petrit Zeneli, sjell një sërë shpjegimesh mbi armiqësinë e grekëve me vakëfllinjtë, ne po rendisim shkurtimisht disa prej tyre:
- Panariti ishte i pakapërcueshëm nga grekët për t’u hedhur në thellësi të Skraparit e Beratit.
- Në Panarit në shtëpinë e Dajlan Panaritit, u ngrit për herë të parë flamuri kombëtar shqiptar në zonat e Shqipërisë juglindore të pushtuara nga greku, më 11 janar 1914, e pastaj me radhë në të gjithë fshatrat e krahinës.
- Panariti, qendra e vakëfeve, nuk e njohu autonominë e të ashtuquajturit Vorio-Epir dhe nuk lejuan me armë vënien në jetë të tij.
- Masakrimi i panaritasve nuk kishte si qëllim vetëm zhdukjen nga faqja e dheut të këtij fshati rebel mysliman, por dhe t’u jepej një mësim i mirë gjithë fshatrave të krishtere përreth (Katundtit, Stratobërdhës, Treskës, Trebickës, Grabockës si dhe vet të krishterëve panaritas ), që nuk u bindeshin e nënshtroheshin planeve aneksuese vorioepiriote.(Petrit Zeneli, “Pse u krye masakra greke në Panarit të Korçës, më 1914?”)
Të gjitha këto janë të vërteta, madje po kaq i vërtetë mbetet edhe fakti që shkollat e para shqipe (pas mësonjëtores së Korçës) u hapën në Vakëfe, mirëpo mbi gjithë të vërtetat qëndron një e vërtetë tjetër e madhe: ishte Mirahori ai që jetës së vakëfllinjve u dha një kuptim tjetër. Ndaj grekët vinin në Panarit për vrasjen përfundimtare të tij.
Po , grekët nuk i gjetën panaritasit në fshat, por grekët e gjetën një zgjidhje si mund t’i rikthenin përsëri aty, që t’u prisnin kokat me satër. Disa ditë më pas nga hyrja në Panarit, greket nisën drejt banorëve të larguar disa njerëz bashkë me një letër të shkruar nga Stefan Petro Panariti (kryeplak i lagjeve të krishtera), ku shkruhej:
“Greku u bën thirrje dhe u jep besën që të kthehet i tërë populli që ka ikur, se nuk i trazon njeri”. (Dëshmi e Emine Sulo Hoxha (Nako), intrevistuar nga Myftar Grabocka)
Burrat e larguar nga fshatrat e Vakëfeve e pleqëruan gjatë e gjerë nëse duhej t’i besonin qoftëlargut apo jo, por për të qenë të sigurtë dërguan dy veta të bisedonin gojarisht me Stefan Petron. Dy të dërguarit u kthyen pas dy ditësh. Stefani ishte betuar në kishë para Ungjillit dhe ishte bërë garant për besën që kishin dhënë grekët se nuk do të trazonin askënd që do të kthehej në fshat.
U mashtruan. Shumë familje u nisën drejt Panaritit. Pas disa ditësh erdhën lajme të tjera: ata që ishin kthyer në fshat, kishin filluar korrjen e grurit, askush nuk po i trazonte. Kjo gjë u dha zemër edhe të tjerëve dhe kush sot, kush nesër, u kthyen në Panarit. Miqësia me grekët ishte e pabesueshme. Ata vërtet paskëshin qenë ortodoks të ndershëm. Silleshin me fisnikëri, si vëllezër, nuk kishte rëndësi në ishe mysliman apo ortodoks, për ta gjithë njerëzit e planetit ishin njëlloj. Vajzat i respektonin sikur të ishin motrat e tyre. Por nuk vonoi shumë. Erdhi një ditë që nuk u harrua kurrë: 2 korrik 1914. Grekët mblodhën gjithë meshkujt nga 16 vjeç e lart. Do të shkonin bashkë për të rregulluar udhët nga Trebicka, Grabocka e deri në sinor me Skraparin, se do të kalonin topat e ushtrisë (artileria). Por e vërteta nuk kishte qenë ashtu. Të gjithë burrat u therën me thika, hanxharë e sëpata. Pjesa më e madhe u masakrua në fshatin Grabockë, të tjerët, një pjesë në përroin e Dinçes, dhe pjesa tjetër në Rripën e Melckës.
Çfarë kishte ndodhur realisht në Grabockë, ekziston edhe një dëshmi tjetër. Aty ishin sjellë edhe banorët e fshatrave Trebickë, Treskë etj. Therja bëhej në një shtëpi dykatëshe:
“Grekët arrestuan në Panarit, Trebickë, Treskë etj. ç’gjetën; të gjithë ata fëmijë dhe pleq që nuk mundën të largoheshin por edhe që menduan se greku s’mund ta prekte këtë kategori njërzish. … pasi i futën shumicën në atë shtëpi e cila ishte një ndërtesë tip kulle me dy dhoma të mëdha, njëra, ajo e sipërmja ishte dhomë gjumi siç e thamë dhe tjetra poshtë ishte haur. Grekët i merinin një e nga një dhe në pragun e haurit u prisnin kokën mbi një kërcu. Lemeria e atyre që shikonin nënën, çupën, djalin, vëllanë, motrën, gjyshin dhe gjyshen që thereshin si kafshë, ishte e paimagjinueshme pasi i njëjti fat i priste edhe ata…” (Agim Bacelli, “Ervehe Grabocka & Masakra e Panaritit”)
Të kapurit “rob”, prisnin në radhë prerjen e kokës. Vështronin të habitur. Si ishte e mundur! Këta njerëz me hanxhar në dorë sikur ishin betuar në kishë para Ungjillit! I dhanë fjalën Zotit se nuk do të lëndonin njeri! Po Iljaz bej Mirahori ynë a do të mundej t’i shndërronte shtëpitë në kasaphana? Kurrë! Kjo i bënte ta prisnin vdekjen me dinjitet.
Të tjera akte çnjerëzore filluan të merren vesh. Grekët kishin dashur që një pjesë të njerëzve ta thernin në Trebickë, (e pastaj fshat më fasht), por trebickallinjtë nuk lejuan therjen e njerzve në fshatin e tyre.
Dëshmia e Ervehe Grabockës e qartëson ngjarjen edhe më tej:
“Por grekët me këtë aktë makabër, si kanibalë, nuk donin të ndëshkonin vetëm popullsinë panaritëse, që në pjesën dërmuese ishte myslimane, por të gjithë zonën. Ndaj ata me dajallëzinë më të madhe, gratë, pleqtë, dhe fëmijët i therën në Grabockë, kurse burrat vendosën t’i thernin në fshatra të tjera. Së pari, tentuan t’i çonin burrat të lidhur njëri pas tjetrit në Trebickë, por aty hasën në rezistencën e mjaft patriotëve të shquar të krishterë trebickallinj, të cilët nuk pranuan të bëheshin pjesë e atij krimi të shëmtuar çnjerëzor. Atëhere grekët iu drejtuan fshatit Panarit, ku për fat të keq nuk hasën ndonjë rezistencë për arësye se edhe ata pak njerëz që ishin, qenë të moshuar”. (Agim Bacelli, “Ervehe Grabocka & Masakra e Panaritit”)
Më në fund nuk kishte mbetur gjallë asnjë burrë. Cili do të ishte fati i zi i çupave, i nuseve dhe grave të reja? Të nesërmen filloi tmerri i radhës. Grekët rrëmbenin vajza dhe nuse dhe i përdhunonin. Ishte një kafshëri e vërtetë. Nënat e shkreta thurën një plan si t’i shpëtonin bijat e tyre. Vendosën të arratiseshin të gjitha gjatë natës. Në fshat do të qëndronin vetëm plakat. Udhën do ta hiqnin gratë e moshuara. Do të merrnin me vete edhe djemtë e vegjël 10-12 vjeç. U nisën me të rënë errësira, të ndara në grupe nga 50 -60 veta. Nuk u ndalën se ecuri gjithë natën. Në të gdhirë u gjendën afër lumit të Osumit, te vendi i quajtur “Mulliri i Pashait”. Edhe pak dhe do të hynin në Staropçe përfund Melckës. Aty nuk kishte më grekë, por befas vunë re se ishin të rrethuara. Grekët u kishin dalë nga të gjitha anët. I lidhën me litar të gjitha dhe nisën t’i rrihnin. Gjaku u doli mbi rroba. Pastaj nisën t’i përdhunonin:
“Një nuse e re ra përtokë e vdekur nga përdhunimi që i bënë në rrugë dhe më pas e hodhën në rripët, pa dhënë ende shpirt. Ne të tjerat qanim e ulërinim sa mundnim…”
(Dëshmi e Emine Sulo Hoxha (Nako), intrevistuar nga Myftar Grabocka)
Të gjitha qanin, ulërinin, kërkonin ndihmë, por askush nuk i dëgjonte. Djemtë dhe burrat e tyre nuk jetonin më. Në mbrëmje i sollën në fshat te një mulli i Panaritit. U gdhinë atje të lidhura me litar. Në mëngjes u hoqën litarin dhe u dhanë urdhër të laheshin. Pas kësaj nisën përsëri përdhunimet. Afër drekës i shpunë në fshat, i ndalën para dyqanit. Gratë e moshuara dhe fëmijët 10-12 vjeç i nxorën nga rreshti dhe i vranë. Ua prenë kokën me sëpatë. Grave shtatzëna u çanë barkun dhe ua nxorën foshnjat. Kur e morën vesh nënat e gjora plaka, që kishin qëndruar në fshat, erdhën dhe u përleshën me grekët për jetë a vdekje. Një Zot e di ku e gjetën gjithë atë forcë. Por ata ishin shumë se ndryshe do të ishin mbytur të gjithë nga duart e nënave. Më në fund edhe ato përfunduan me kokë të prerë. Edhe gurët duhet të kenë qarë atë çast, edhe varri i Iljaz bej Mirahorit duhet të jetë çarë nga dhimbja.
Gjatë kthimit për në fshat, gratë e reja kishin parë edhe tmerre të tjera;
“Kur po kalonim rrugës (për në Lëmbadh, matanë lumit), pamë gratë dhe fëmijët e vrarë e të therur për lemeri, çarë barkun e copëtuar kokën, kapicë njëri mbi tjetrin. Ca grekë që ishin atje po i spërkatnin me vaj guri dhe u vinin zjarrin kufomave, që sakaq përfshiheshin nga gjuhët e flakëve dhe tymit të zi. Duke ikur nëpër fshat (Rrezhdakë e Ramollarë), aty pas një shtëpie, ishte një grua e zhveshur lakuriq që e kishin shkuar në hell dhe mbështetur pas murit të vdekur. Sa e pashë u bëra meit e më ra të fikët…” (Dëshmi e Emine Sulo Hoxha (Nako), intrevistuar nga Myftar Grabocka)
Më në fund u pa të vinte një njeri i Zotit. Kishte mbërritur një prift me emrin Zaharija, rrethuar nga oficerët grekë. Që në çastin e parë dhanë urdhër të ndalohej vrasja. Ndoshta hallet e çupave dhe grave të reja do të merrnin fund, megjithëse asnjëra prej tyre nuk e donte më jetën. Pak më vonë u mor vesh pse u ndaluan vrasjet. Prifti dhe oficerët kishin ardhur t’i përdhunonin. Kishin mbetur gjallë rreth 40 femra të reja. Edhe ata që kishin ardhur për përdhunim aq ishin. Secili prej tyre zgjodhi një nga nuset apo vajzat. Dëshmitaren e kësaj historie Emine Sulo Hoxha (Nako) e mori prifti, i cili më çoi të një familje e krishterë për të më përdhunuar. Të zotët e shtëpisë nkishin çtë bënin:
“Prifti u ngrit në këmbë, më zuri duart dhe donte t’më ç’nderonte. I mblodha forcat dhe u grykosa me të, aq sa ia çkula mjekrën, sa më kish zënë dora. Natyrisht, ai ishte më i fortë dhe më goditi aq fort me grusht sa më ra të fikët. Kur u përmënda, pashë te koka Efigjenin dhe burrin e saj që po më fshinin gjakun nga fytyra…”. (Dëshmi e Emine Sulo Hoxha (Nako), intrevistuar nga Myftar Grabocka)
Historia vijon, duhen ditë e netë të tëra për ta treguar deri në fund, por në vend të rrëfimit të mëtejshëm, po bëjmë një përmbledhje. Në historikun e fshatit Panarit, dorëshkrim, fq.169, hartuar në vitet 1965-1971, bëhet fjalë për një bilanc të tmerrshëm gjatë masakrave:
“375 vetë, burra, gra, fëmijë e pleq të therur; u rrëmbyen dhe u morën si robina më shumë se 40 nuse e vajza të reja, u dogjën dhe u bënë shkrumb e hi 150 shtëpi, qindra e mijra bagëti të therura e të ngordhura si mall pa zot; 76 persona të vdekur si muhaxhirë rrugës për në Ullishtat e Vlorës. Në luftë me forcat greke ranë 17 luftëtarë të çetës së Qazim Panaritit. (Petrit Zeneli, “Pse u krye masakra greke në Panarit të Korçës, më 1914?”)
Ata që mbetën gjallë, kur grekët kishin ikur nga tokat e tyre, shkuan te varri i shenjtorit të tyre, Iljaz bej Mirahori Edhe ai i priste. Para se të vdiste kish lënë një amanet. Banorët e vakëfeve të priteshin e të përcilleshin me nderim:
“Fshatarët e Panaritit thuhet se shkonin në hane, kalonin aty natën dhe nuk paguanin taksa për kohën e qëndrimit në hane dhe veç kësaj ata përfitonin edhe tagjinë e hajvanëve të tyre. Thuhej se Iljaz bej Mirahori e kishte lënë më gojën e vet që fshatarët e tij të mos paguanin taksa edhe pas vdekjes së tij. Dhe ky amanet u zbatua për një kohë të gjatë sa këto tregime i rrëfejnë edhe të moshuarit e fshatit Panarit të Korçës”. (Sejdin Ramo, Ilia Panariti dhe Korça, f. 16)
(Shënim, ky rrëfim i rreferohet kryesisht dëshmisë së Emine Sulo Hoxha (Nako) e intervistuar nga Myftar Grabocka dhe publikuar nga Petrit Zeneli, si dhe dëshmive të tjera të cituara në material). /tesheshi.com/