Pasi e përfundoi Demarkacionin me Malin e Zi, para vetes Kosova ka edhe një detyrë të rëndësishme për ta kryer. Është fjala për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, apo siç njihet ndryshe “Zajednica”, e cila poashtu solli jo pak protesta në Prishtinë. Kjo është kërkesa urgjente që Bashkimi Evropian ja ka bërë presidentit Thaçi përmes përfaqësues Federica Mogherini, në darkën e zhvilluar të premten mbrëma me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
“Përfaqësuesja e Lartë theksoi rëndësinë që BE’ja i jep zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura dhe theksoi në veçanti nevojën urgjente për të filluar me themelimin e Asociacionit / Komunitetit të komunave me shumicë serbe, Marrëveshjen e Energjisë, si dhe të përfundojnë punimet për hapjen e Urës mbi Ibër”, thuhet në njoftimin për media.
Ky ishte takimi i parë i këtij niveli për këtë vit, ndërsa priten të zhvillohen edhe takime tjera.
Të dy presidentët kanë qëndruar paraprakisht në SHBA. Takimi i fundit ndërmjet tyre është mbajtur më 20 shtator të vitit 2017 në Nju Jork, më ndërmjetësimin e Mogherinit, në dritën e zotimeve të bëra në dy takime që u zhvilluan në korrik dhe në fund të muajit gusht në Bruksel, kur ata ishin pajtuar për një fazë të re të bisedimeve ndërmjet të dyja palëve, përtej çështjeve teknike. /tesheshi.com/