Patriarku i Kishës Ortodokse të Rusisë, Kirilli, ka shpërndarë një mesazh të parë gjatë vizitës së tij në Shqipëri, që është dukur si një qëndrim politik.
Gjatë darkës së shtruar në Pallatin e Brigadave, ku përveç krerëve të komuniteteve fetare dhe Presidentit të Republikës, ka marrë pjesë edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, Kirilli tha se Kisha Ortodokse ruse dhe ajo shqiptare kanë mbajtur qëndrim të njëjtë për zhvillimet e ditës.
“Kishat tona jo vetëm ndajnë besimin e përbashkët dhe kanë përjetuar përvoja të ngjashme rë persekutimeve të ashpra në shekullin XX, por gjithashtu mbajnë qëndrime të përbashkëta për sa u përket çështjeve kryesore të ditëve të sotme, duke demonstruar unitetin e Orthodhoksisë”.
Pikërisht kjo është një frazë që mund të komentohet si një mesazh politik. Pasi ndarja e një qëndrime për zhvillimet e ditëve të sotme jep një diapazon më të gjerë se çështjet e religjionit.
Kirilli flet për “çështjet e ditëve të sotme”.
Dhe Kisha Ortodokse Ruse ka dhënë mjaft qëndrime për zhvillimet e sotme. Kjo jo vetëm për ngjarjet globale si luftërat dhe krizat humanitare, ku normalisht ka qëndrime pro jetës të organizmave fetarë, por edhe për çështje politike.
Kisha Ortodokse Ruse për shembull ka mbajtur qëndrim për Kosovën, ku përkrah atë të Kishës Serbe, që mendon se “është pjesë e Serbisë”. Këtë deklaratë Kirilli dhe Irinej, kreu i Kishës Serbe e kanë bërë shpesh.
Deklarata e Patriarkut rus se “ndajmë një qëndrim me Kishën ortodokse Shqiptare” sikur e komplikon çështjen dhe ka gjasa të ngjallë polemika.
Të jetë një deklaratë jo aq e studiuar? Për një institucion si Kisha Ruse zorr se mund të mendohet një qëndrim i pakujdeshshëm.
Ndërkaq, në fjalën e tij gjatë darkës zyrtare, Presidenti i Republikës Ilir Meta “ka zbuluar” një anë të panjohur të Kryepeshkopit Janullatos, kreut të Kishës Ortodokse Shqiptare.
Kreu i Shtetit tha se Janullatos ka ndihmuar refugjatët nga Kosova në vitin 1999. Meta, në atë kohë ka qenë kryekoordinatori i ndihmave dhe ka drejtuar operacionin e menaxhimit të refugjatëve.
Më poshtë po japim fjalën e plotë të Patriarkut të Kishës Ortodokse Ruse dhe Presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Fjala e Kirillit:
Shkëlqesia Juaj, fort i nderuar zoti President!
Fortlumturia Juaj, Kryepiskopi Anastas i dashur në Zotin!
Hirësitë Tuaja!
Të dashur etër, vëllezër dhe motra,
Zonja dhe zotërinj!
Dëshiroj të përshëndes përzemërsisht të gjithë ata që Presidenti i Shqipërisë i ka mbledhur në këtë darkë solemne.
Për mua është një nder i madh të ndaj këtë tryezë bashkë me Ju, zoti President, dhe me të gjithë mysafirët.
Tani që ndodhem në tokën shqiptare, nuk resht së admiruari mikpritjen dhe zemërgjerësinë e popullit shqiptar.
Kjo është vizita e parë në histori e Primatit të Kishës Orthodhokse Ruse në Shqipëri.
Megjithatë, Kishat Orthodhokse të Rusisë dhe Shqipërisë kanë tradita shumëvjeçare të marrëdhënieve më të mira. Kishat tona jo vetëm ndajnë besimin e përbashkët dhe kanë përjetuar përvoja të ngjashme të persekutimeve të ashpra në shekullin XX, por gjithashtu mbajnë qëndrime të përbashkëta për sa u përket çështjeve kryesore të ditëve të sotme, duke demonstruar unitetin e Orthodhoksisë.
Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas mbetet gjithmonë një mik i dashur dhe i shtrenjtë në Rusi.
Ringritja e jetës fetare në Shqipëri po jep fryte të mira dhe të çmuara për të gjithë shoqërinë shqiptare.
Epoka e ateizmit të dhunshëm dhe përndjekjeve masive kundër fesë nuk arriti ta thyente shpirtin e popujve tanë.
Të cilët edhe sot e kësaj dite po i tregojnë të gjithë botës përkushtimin e tyre të përbashkët ndaj vlerave tradicionale, si edhe bashkëjetesën fetare.
Më vjen mirë të vë në dukje nivelin e lartë të marrëdhënieve ndërmjet kishës dhe shtetit në Shqipëri, ku jo vetëm Kisha Orthodhokse, po edhe komunitete të tjera fetare janë partnerë të besueshëm të shtetit.
Në kauzën për forcimin e moralit në shoqëri.
Ky është parakushti i harmonisë mes njerëzve dhe mes grupeve të ndryshme shoqërore.
Ju uroj Juve, fort i nderuar zoti President, dhe të gjithë të pranishmëve fuqi të madhe shpirtërore dhe trupore
Dhe suksese në çdo nismë të drejtë, ndërkohë që popullit shqiptar i uroj paqe dhe begati.
Fjala e Metës:
Fort Shenjtëria Juaj, Patriark i Moskës dhe të gjithë Rusisë!
Mirë se keni ardhur në Shqipëri! Ju uroj qëndrim sa më të këndshëm dhe përmbushje me sukses të misionit tuaj. Shpirtëror, atë të paqes dhe të solidaritetit, në vendin tonë!
Fortlumturia Juaj, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë!
Të nderuar krerë të bashkësive fetare në vendin tonë! Hirësitë Tuaja!
Zonja Ministre e Kulturës, Shkëlqesi Ambasadorë! Të nderuar zonja dhe zotërinj!
Jam shumë i gëzuar të jem sonte mikpritësi juaj në këtë darkë solemne për nder të një ftuari të veçantë.
Patriarkut të Moskës dhe të Gjithë Rusisë.
Vizita Juaj në tokën shqiptare përkon me 97-vjetorin e shpalljes së autoqefalisë.
Së Kishës Ortodokse të Shqipërisë si dhe me 81-vjetorin e njohjes kanonike të saj në prill të vitit 1937.
Një vepër historike që kapërcen kufijtë e besimtarëve ortodoksë të Shqipërisë, një ngjarje shumë e rëndësishme. Kjo mëvetësi u fitua me shumë mund, përkushtim, e sakrifica.
Falë dashurisë, urtësisë, falë forcës së besimit të madh tek feja, atdheu dhe Zoti misionarët dhe martirët shqiptarë të fesë e fituan këtë betejë të mundimshme ne u mbetemi përjetësisht mirënjohës atyre.
Gjej rastin të çmoj lart figurën e ndritur të Kryepeshkopit Anastas, këtij bariu të nderuar të besimtarëve ortodoksë në Shqipëri.
Kontributi dhe përkushtimi i tij ndër vite i ka shërbyer jo vetëm ringritjes kanonike dhe shpirtërore të Kishës. Por edhe arsimimit dhe përgatitjes së brezit të ri të klerikëve shqiptarë.
Që kanë kontribuuar në lartësimin e besimit dhe përhapjen edhe jashtë Shqipërisë, të vlerave të patjetërsueshme të harmonisë dhe tolerancës fetare mes shqiptarëve.
E paharrueshme është vepra Juaj Fortlumturi për të shëruar dhimbjen e thellë të shqiptarëve të Kosovës.
Të dëbuar nga dhuna dhe lufta atje në vitet 98-99.
Emri dhe personaliteti i tij kanë bërë që Kisha Autoqefale e Shqipërisë dhe besimi ortodoks shqiptar të njihet, të vlerësohet e respektohet anë e kënd botës.
Vizita e Shenjtërisë suaj në Tiranë është prova e gjallë e kontributit të Tij të pazëvendësueshëm për të cilin i jemi shumë mirënjohës.
Fort i nderuar, Shenjtëria Juaj, Patriark i Moskës dhe të gjithë Rusisë!
Fatkeqësisht edhe Kisha Ortodokse ruse ka kapërcyer përgjatë shekullit të kaluar vështirësi, peripeci dhe me shumë sakrifica ka mundur të ringrihet e të jetë ajo që është sot.
Edhe vetë familjes suaj i është dashur të sakrifikojë nga besimi tek Zoti.
Mundimet dhe sakrificat e përbashkëta në të kaluarën janë një mësim i madh për të ndërtuar bashkërisht.
Një të ardhme më të mirë në dobi të njeriut, të shoqërisë, të paqes, solidaritetit dhe në shërbim të Zotit.
Unë jam besimplotë se vizita Juaj do t’i shërbejë këtij misioni universal, falë përvojës, urtësisë.
Fuqisë shpirtërore dhe ndjenjës së solidaritetit që ju po përcillni në Shqipëri.
Jetojmë në kohë të vështira të përmbysjeve sociale dhe të transformimeve të vrullshme të teknologjisë.
Dhe komunikimit, të cilat sfidojnë çdo ditë individin, familjen, shoqëritë, qeveritë, shtetet dhe institucionet fetare.
Gjuha e urrejtjes, e dhunës, veprimet intolerante, shfaqjet e diskriminimit e paragjykimet fetare e etnike.
Terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm, konfliktet dhe luftërat me pasoja të rënda humanitare janë sot rreziku më i madh për njerëzimin. /tesheshi.com/