Nga Blendi Gashi
Kosova është më pas se Shqipëria për incidente mes deputetëve në Kuvend, ose në gjuhën e popullit, për shpërthim dajaku mes deputetëve. Sigurisht për mirë kjo. Ndërsa në Shqipëri, rastet e shumta çuan deri në shpërfaqjen e elementit kriminal në parlament (deputeti Prenga u përfol dhe për përdorim të rrypit të pantollonave kundrejt një kolegu), për çka tashmë ka nisur një proçes dekriminalizimi, parlamenti i Kosovë nuk ka rënë deri në këtë derexhe, edhe pse debati politik ka qenë jo pak herë i nxehtë. Dhe le të kujtojmë disa skena të nxehta, politike sigurisht, nga ky parlament.
Konfrontimi fizik Jakup Krasniqi – Albin Kurti, që s’harrohet lehtë
Një rast që do të mbahet mend në ndodhitë e parlamentarizmit kosovar, ishte dhe konfrontimi fizik mes ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe deputetit të ‘Vetëvendosjes’, Albin Kurti.
Lëvizja ‘Vetëvendosje’, me çdo kusht tentonte të ndëprente miratimin e projektligjit për marrëveshjen për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë të arritur në Bruksel mes kryeministrave Thaçi e Daçiq më 19 Prill.
Në sallën e Kuvendit, deputetët e VV-së ishin vendosur tek vendet ku drejtohet séanca. Ndërkohë ministrat po qëndron në këmbë.
‘Vetëvendosje’, për një moment kishte arritur ta ndërpriste votimin; kjo ndodhi kur lideri i tyre Kurti ia rrëmbeu mikrofonin kryeparlamentarit Krasniqi, pasi ky i fundit kishte ftuar deputetët që të shprehern për votimin e Projektligjit të marrëveshjes. Kryekuvendari Krasniqi u tregua i ‘fortë’ dhe për asnjë moment nuk e lëshoi mikrofonin e tij nga dora duke u konfrontuar kështu fizikisht me Kurtin. Ky i fundit deklaronte se nuk do të ketë votim.
Por, paraprakisht deputetët e VV-së mbanin në duar një hartë të madhe para deputetëve në të cilën thuhej se “Kosova është e Hashimit”.
Me këtë rast, reagoi kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi: “E kuptoj të drejtën për protestë, por askush nuk guxon të ushtrojë dhunë mbi mendimin e lirë të deputetëve. Kjo nuk është demokraci. Kjo është përpjekje për të vendosur rend jodemokratik. Kërkoj që deputete e VV-së njëherë e mirë të shkëputen nga veprimet jodemokratike. Edhe unë jam kundër kësaj marrëveshje, por nuk kam vullnet të pengojë zhvillim normal të seancës”, deklaroi Krasniqi.
Para se të votohej marrëveshja, kryeparlamentari Krasniqi ishte detyruar ta ndërpresë seancën dy herë.
Mediat raportuan në atë kohë se sigurimi i Kuvendit të Kosovës kishte sulmuar deputetët e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, Visar Ymeri, Alban Fetoshi dhe Liburn Aliu. Brenda në Kuvend, gjithnjë sipas raportimeve të mediave, për të pasur nën kontroll situatën që të mos vijë deri te ndonjë rrahje masie mes deputetëve, kishte ndërhyrë edhe Njësia Speciale.
Mirëpo, përkundër përplasjeve, protestave të organizuara nga aktivistët e VV-së para Kuvendit në orët e vona, Kuvendi i Kosovës kishte arritur me 84 vota pro, tri kundër dhe një abstenim të miratoi Projektligjin për ratifikim të marrëveshjes. Prezent gjatë votimit kanë qenë 101 deputetë.
Rrahja mes deputetëve të PDK-së dhe VV-së në parkingun e Kuvendit
Dhe si për të imituar paksa “vëllezërit” e tyre në Tiranës, një rrahje ndodhi mes deputetësh në 28 qershorin e vitit 2012, ama jo në sallën e Kuvendit, por në parkingun e këtij institucioni të rëndësishëm.
Akuzat e vazhdueshme të ‘Vetëvendosjes’, për Shërbimin Informativ të Kosovës të njohur si SHIK, udhëheqës i së cilës ka qenë kryetari aktual i Kuvendit, Kadri Veseli, bënë që deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, pas një seance të nxehtë të përdornin edhe grushtet.
Deputetët nga radhët e PDK-së Latif Gashi dhe Bekim Haxhiu (Kamishi), u përleshën më 28 qershor të vitit 2012 në parkingun e Kuvendit me deputetët e ‘Vetëvendosjes’, Rexhep Selimin dhe Florin Krasniqin.
Çështja mbërriti deri tek konfrontimi fizik kur së pari Latif Gashi i PDK-së u përplas verbalisht me Rexhep Selimin e VV-së rreth akuzave për SHIK-un.
Atë kohë, deputeti Kamishi u largua i gjakosur nga Kuvendi, ndërsa Florin Krasniqi u mjekua po ashtu, për shkak të disa goditjeve gjatë përleshjes me kolegun e tij parlamentar.
Kjo rrahje mes deputetëve padyshim se është konfrontimi fizik më i madh i ndodhur mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që i kanë dhënë një hije të keqe institucionit ligjvënës në vend.
Më poshtë mund të shikoni videot e konfrontimit fizik mes Jakup Krasniqit dhe rrahjen mes deputetëve të PDK-së (Latif Gashi e Bekim Haxhiu) dhe deputetëve të VV-së (Rexhep Selimi dhe Florin Krasniqi).
Incidenti – Jakup Krasniqi – Abin Kurti (Video)
https://www.youtube.com/watch?v=Xu8BiBN2Hbc
Incidenti – Rexhep Selimi – Latif Gashi
https://www.youtube.com/watch?v=T1iu8r7PkëY
/tesheshi.com/