Nga Blendi Gashi
Ka disa vite që politika në Kosovë ka degraduar tërësisht, ku në vend që të punojë për mirëqenien e qytetarëve, t’iu shërbejë atyre me përkushtim, edukatë e kulturë, ka rrëshqitur si mos më keq, duke ju ofruar skena dhune e fjalorë banal që po terrorizojnë çdo pjesë të shoqërisë.
Dhe ashtu siç pritej, fyerjet, sharjet e kacafytjet për karrigen e pushteti, prodhuan dhunën fizike, ku tashmë ligjvënësit kosovarë nuk e shohin debatin si zgjidhje për mospajtimet mes tyre, por grushtin duke u shtyrë kështu se “kush është më i forti”.
Dhe grushti kërciti kësaj here jo në Parlament (ka kërsitur edhe aty që janë fshehur pamjet: në hollet e Kuvendit në vitin 2012 në mes Latif Gashit (Lata) e Bekim Haxhiut (Kamishi) të PDK-së në njërën anë dhe Rexhep Selimit e Florin Krasniqit të Vetëvendosjes në anën tjetër.), por në studio televizive ku dy deputetë (Frashër Krasniqi i Vetëvendosjes e Milaim Zeka i NISMA-s) pas fyerjeve më banale ndaj njëri-tjetrit çeruan hesapet me grushte ashtu siç ndodhë shpesh mes deputetëve të Ukrainës. Atje nuk rrahja mes ligjvënësve më s’është lajm. Ndodh shpesh. Dhe siç duket deputetëve kosovarë ju kanë pëlqyer skenat dhe kanë ndjekur modelin e tyre. Ç’shëmti dhe pasqyrë e zezë për krejt shoqërinë, njëherit prishje ëndrrash për të gjithë të rinjtë që synojnë të merren me politikë.
Por grushti mund të kërcet sërish kur në debate televizive apo parlament, ligjvënësit do të shtyhen se kush po e fyen njëri-tjetrin më shumë, cili është banal, kush është më trimi, nëvend që të debatojnë njerzishëm, pa fyerje, por me gjuhën e argumenteve, të paktën të shpalosin hallet e qytetarëve të cilët i kanë takuar gjatë fushatës zgjedhore dhe të mundohen të gjejnë një zgjidhje.
Por kjo e fundit nuk ndodh në Kuvendin e Kosovës. Pak janë ata ligjvënës që qajnë hallet e qytetarëve, pasi duan që të jenë në qendër të vëmendjes për të keq, pra me atë se kush po e mund tjetrin. Andaj edhe kjo sjellje e tyre e ka futur politikën por edhe krejt vendin në këtë qorrsokak.
Andaj është urgjente që deputetëve të legjislaturës së re në asnjë rrethanë të mos ju lejohet të gërvallen duke sulmuar e akuzuar njëri-tjetrin por t’iu lejohet fjala vetëm për çështjen për të cilën janë të thirrur të flasin.
Që të mos shihen grushte të tjera të paktën brenda institucioneve, e që gjasat më të mëdha janë të ndodhin gjatë seancave plenare për shkak të akuzave e përplasjeve mes partive, kryeparlamentari apo udhëheqësi i seancës t’ua ndalë mikrofonët atyre deputetëve që duan të nxisin konflikte apo të flasin gjuhë banale, në mënyrë që qytetarët të mos shohin skena të tilla të turpshme.
Partitë të ndëshkojnë “arrogantët” e tyre
Për të mos parë sërish grushte duhet edhe partitë të kenë një kulturë brenda vetës dhe t’ua bëjnë të qartë deputetëve e përfaqësuesve të tyre se do të ndëshkohen keq nëse përdorin gjuhë të ndyrë, akuza të pabaza që mund të sjellin përleshje fizike.
Por deri më tani ka ndodh e kundërta ku partitë kanë heshtur dhe vetëm kanë dënuar sjellet e tilla, por që nuk kanë marrë masa ndëshkuese, kështu ndodhi edhe me rastin e fundit.
Mosdistancimi nga aktet e tilla është një pajtim në heshtje i partive dhe rrit rrezikun për raste të tjera, andaj urgjentisht partitë duhet të ndërmarrin masa ndaj të gjithë përfaqësuesve të tyre që fëlliqin së pari partinë e tyre e më pas krejt skenën politike e gjithë shoqërinë.
Për më tepër të gjitha partitë duhet të jenë sy çelë se kënd po e fusin në gjirin e tyre dhe në listat për deputet, përndryshe janë fajtorët më të mëdhenj.
Politikanët aktualë nuk e kanë për detyrë t’i shkaktojnë dhimbje më të mëdha qytetarëve, pasi ata mjaft po vuajnë nga skamja nga keqqeverisja e tyre, por duhet të punojnë për të krijuar përspektivë e bërë të dinjitetshëm të gjithë qytetarët.
Nëse nuk e ndjekin këtë rrugë, atëherë rruga e grushtit do të marrë me vete edhe shumë të tjerë, dhe vendi do ec drejt një kaosi të vërtetë, dhe sërish do jenë qytetarët ata që do pësojnë më së shumti.
Nuk mjaftojnë reagimet dhe shfajësimi duke hedhur fajin tek njëri-tjetrit por duhet të veprohet shpejt.
Në të kundërtën shpejt mund të shihet edhe meçi i radhës i boksit në skenën politike qoftë mes protagonistëve të njëjtë apo do paraqiten “boksier” të rinj që do tentojnë të bëhen “mbret” të Kuvendit. /tesheshi.com/