Nga Blendi Gashi
Nxjerrja zvarrë e deputetëve të opozitës kosovare nga salla e Kuvendit prej sigurimit dhe policisë është dëshmia më e mirë se opozitarët duhet të gjejnë një rrugë alternative për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë, pasi pushteti tregoi se nuk e ka problem ta përdor edhe forcën për të ndal kundërshtarët e saj politik.
Se qeveria nuk mund të rrëzohet përmes Kuvendit, e deklaroi edhe kryeparlamentari Kadri Veseli në një konferencë për media që mbajti pas skenave të tensionuara që u panë të premten.
Por, ç’rrugë duhet të ndjekin opozitarët për të vazhduar kundërshtimin e tyre që do të çonin në dorëheqjen e qeverisë aktuale?
Për këtë pyetje, përgjigje kanë dhënë vet disa përfaqësues të opozitës së bashkuar VV, AAK e NISMA të cilët mendojnë se duhet ndryshuar rruga e kundërshtimit pasi sipas tyre nuk ka më arsye të vazhdohet të bëhet një gjë e tillë në Kuvend.
Edhe analistët e vendit mendojnë se partitë opozitare duhet të gjejnë shtegdalje tjetër në kërkim të rrëzimit të qeverisë.
Një prej rrugëve që duhet ndjekur shihet pikërisht rruga, mbajtja e përditshme e protestave para dyerve të qeverisë deri në dorëheqjen e saj.
Protesta të përditshme për të larguar nga pushteti Thaçin e Mustafën
Ish-kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pas ngrehjes zvarrë të opozitarëve ka thënë se opozita duhet të ndryshojë strategjinë e saj për veprim.
“Kuvendi nuk është vendi për ndryshim. Ky është mësimi që duhet të nxjerrin partitë opozitare”, ka deklaruar Krasniqi.
Deputeti i Vetëvendosje-s, Ilir Deda, ka thënë në një emision televiziv se opozita nuk ka pse të vazhdoj betejën në Kuvend pasi është parë se nuk po sjell rezultat.
“Protestat e përditshme të qytetarëve do të shtyjnë Isa Mustafen e Hashim Thaçin të ulen dhe të bisedojnë për zgjedhje me tre liderët opozitarë”, ka deklaruar Deda.
Edhe deputeti tjetër nga radhët e opozitës, Zafir Berisha, është shprehur se deputetët opozitarë nuk duhet të shkojnë më në Kuvend që t’i plotësojnë dëshirën Hashim Thaçit për vëllavrasje, sepse ai me metoda makiaveliste synim nuk e ka shtetin po karrigen e vet.
“Nxjerrja me forca policore e të zgjedhurve të qyetearëve nga salla e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe arrestimet është treguesi më i mirë se deri ku ka shkuar logjika diktatoriale e qeveris Mustafa-Thaçi Nga kjo qe u pa sot mes regjimit dhe deputetëve të opozitës, po besoj se opozita duhet të kërkoj alternativa tjera për me kundërshtua ketë qeveri esadiste e cila me çdo kusht dëshiron ta kthej Serbin ne Kosovë”, ka shkurar deputeti Berisha.
Deputetja e Vetëvendosje-s, Aida Dërguti, në një intervistë dhënë për tesheshi.com ka paralajmëruar mbajten e protestave të vazhdueshme para dyerve të qeverisë.
“Protestat e përditshme po bëhen të pashmangshme. Këto institucione tashmë kanë humbur çdo legjitimitet të vazhdojnë punën”, ka thënë ajo.
Analistët: Opozita s’duhet të ndalet deri në rrëzimin e qeverisë
Njohësi i rrethanave politike në vend, Nexhmedin Spahiu thotë se për të rrëzuar Mustafën dhe qeverinë e tij duhen të ndodhin vetëm protesta të vazhdueshme sepse asgjë tjetër nuk kryen punë.
“Vetëm protesta masive paqësore, asgjë tjetër derisa të dorezohet kryeministri formal e kryeministri faktik”, ka thënë Spahiu për tesheshi.com.
Njohësi i rrethanave politike në vend, Faik Krasniqi thotë se opozita s’duhet të ndalet me protesta paqësore të përditshme, deri sa ky pushtet kriminal dhe mafioz, të lëshojë pe për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të reja.
Ai thotë se opozita duhet t’i kontaktoj personalisht të gjithë personalitetet e pavarura dhe të respektuara, nga mediat, shoqëria civile dhe bota akademike, që janë kundërshtarët e mafio-politikës në pushtet, për t’iu bashkuar kauzës për parandalimin e degradimit, shkatërrimit dhe zhbërjes së shtetit.
“Por përveç organizimit të protestave, opozita duhet urgjentisht të bëjë edhe një platformë të përbashkët me shoqërinë civile dhe mediat, për udhëheqjen e këtij vendi, se si të dalim nga kjo gjendje e mjerueshme dhe si të ecim përpara. Sepse këtij populli i ka humbur besimi nga institucionet dhe duhet me vepra që t’i kthehet besimi i humbur. Prandaj, në zgedhjet e ardhshme, partitë opozitare dhe ato jashtë parlamentare, duhet të bëhen të gjitha bashkë por duke përfshirë në atë listë gjysmën e kandidatëve nga shoqëria civile, mediat dhe personalitete të pavarura dhe të respektuara në opinion. Me këtë listë të përbashkët jo vetëm që pushteti do jetë i garantuar, por kjo listë do të shënonte fitore të thellë karshi këtij pushteti mafioz dhe të kriminalizuar, të cilët mbajnë përgjegjësinë kryesore për shkatërrimin dhe degraduan këtij shteti. Nëse opozita vepron në këtë mënyrë, në zgjedhjet qytetarët e Kosovës këtë kastë politike kriminale dhe mafioze, të cilët janë shndërruar në kancerin jo vetëm të shtetit por të çdo qytetarit, me votën e tyre do ta ndëshkonin shumë keq”, thotë Krasniqi për tesheshi.com.
Ndryshe, opozita kosovare ka parlajmëruar protestën e radhës për datë 27 shkurt, derisa pushteti ka bërë me dije se nuk e ka ndërmend të tërhiqet dhe se zgjedhjet e reja do të mbahen në afatet kushtetuese, pas dy vjetësh. /tesheshi.com/