Nga Saeed Jalili
Në një fshat në veri të Iranit, një shofer kamoni dhe tre burra të tjerë përpiqen të tërheqin një automjet në një rrugë me baltë, ashtu siç stërvitësit e tërheqin një elefant gjigand nga një breg lumi i rrëshqitshëm.
Udha ishte gërmuar nga punëtorët e ndërtimit në të tërë gjatësinë që prej rrugës kryesore, të zgjatur nga qyteti Sari, kryeqendër e provincës së Mazenderanit, për të shtrirë një tubacion gazi për në fshatin e tyre.
Fshatarëve do u duhet të bëjnë me bombolën e gazit për gatim, dhe me qymyrin e drurit, për t’i mbajtur shtëpitë e ngrohta gjatë dimrit, në këtë vendbanim të largët malor, gjer në përfundimin e projektit.
Ndonëse tani për tani, projekti i rrjetit kombëtar të gazit bën pak për të sjellë një ndjenjë sigurie financiare për shoferin e kamionit dhe bashkësinë e tij, ndërsa ndërtimi u bë nga të ardhur.
“Ne nuk kemi nevojë për gaz. Kemi nevojë për punë, për asistencë sociale,” thotë ai, duke shtypur pedalin e gazit të kamionit të tij rimorkiues.
Pjesa më e madhe këtu votuan për presidentin Hasan Ruhani kur ai kandidoi për t’u rizgjedhur në vitin 2017, dhe më herët, në 2013-n, kur kandidati centrist zëvendësoi Mahmud Ahmedinexhadin.
Por me premtimin e Ruhanit për reforma dhe reforma ekonomike larg përmbushmërisë, shoferi i kamionit ndihet nostalgjik për Ahmedinexhadin.
“Ahmedinexhadi na jepte për çdo muaj para që mbulonin pjesë të shpenzimeve tona. Ai na dha hua për të rindërtuar shtëpitë apo për të ndërtuar të reja.”
Të ardhurat nga nafta të Iranit arritën në 700 miliardë dollarë gjatë tetë viteve të Ahmedinexhadit, dhe qeveria kishte plot para, duke i dhënë mundësi atij të japë çdo muaj për familjet e varfra çeqe asistence prej 15 dollarësh.
Ruhani ende u jep para familjeve me të ardhura të vogla. Veçse, me papunësinë dhe inflacionin e lartë, pagesat e asistencës sociale e kanë humbur fuqinë e tyre blerëse.
Administrata e Ruhanit deklaroi gjithashtu se paratë e asistencës sociale ishin çuar dëm nga korrupsioni dhe politikat e gabuara ekonomike gjatë dy mandateve të Ahmedinexhadit, nga 2005-a në 2013-n.
Por çfarëdo nostalgjie që iranianët mund të kenë për Ahmedinexhadin është e pavend, sipas Abas Abdiut, një analisti politik pranë reformistëve.
“Kjo ka të bëjë më shumë me shqetësimet mbi gjendjen aktuale ekonomike, se me punën e këtij politikani të veçantë [Ahmedinexhadit],” i tha Abdiu rrjetit informativ Al Jazeera.
Inflacioni u rrit 30 për qind gjatë muajve të fundit të Ahmedinexhadit, ndërkohë që papunësia arriti në 12.2 për qind në vitin 2012.
Më pas, në 2017-n, në mes të sfondit të thirrjeve për më shumë reforma, Ahmedinexhadi u përpoq të bëjë një kthim prapa, duke u mbështetur në përkrahjen nga shtresa më e ulët e vendit, për të kandiduar për presidencën. Ama, ai dhe ish-zëvendësi i tij, Hamid Bakaji, u çmuan si të papërshtatshëm për kandidim nga Këshilli i Rojeve.
“Reforma fundamentale”
Pas valës më të fundit të protestave, të shpërthyer në dhjetor dhe janar, ish-presidenti populist është shndërruar edhe një herë në një kritik të elitës qeverisëse të vendit.
Në një letër të drejtuar udhëheqësit suprem, Ajetullah Ali Hameneit, Ahmedinexhadi kërkoi të hënën zgjedhje të reja presidenciale dhe parlamentare.
Ai tha se në to nuk duhet të ketë ndërhyrje nga forcat ushtarake dhe të sigurisë, si dhe nga Këshilli i Rojeve, që i kalon në sitë kandidatët dhe i mbikëqyr zgjedhjet.
Ahmedinexhadi gjithashtu kërkoi “reforma të ngutshme fundamentale” në detyrën e Udhëheqësit Suprem, si dhe në degët ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore të qeverisjes.
Ai i kërkoi Hameneit që Ajetullah Sadik Amuli Larixhani, kreu i gjyqësorit që nga 2009-ta, të zëvendësohet, e të krijohet një trupë e pavarur për të trajtuar ankesat ndaj sistemit të drejtësisë.
Abdiu, analisti afër reformistëve, tha se motivacioni i Ahmedinexhadit është i “paqartë”. Hamidreza Mukadamfari, një këshilltar i kreut të Rojeve Revolucionare të Iranit, i hodhi poshtë gjithashtu ankesat e Ahmedinexhadit, duke u shprehur se ai nuk ka “asnjë bazë ligjore”, për të shtuar se kërkesat mund të shihen si rebelim.
Ahmedinexhadi kishte një kohë një marrëdhënie të ngushtë me Hamenein, por patën një grindje gjatë mandatit të tij të dytë.
Në dhjetorin e shkuar pati një qortim të maskuar të Hameneit për ish-presidentin, por Ahmedinexhadi e vazhdoi kritikën e tij, duke përfituar prej zemërimit popullor që çoi në protesta mbarëkombëtare në atë muaj dhe në janar, ku humbën jetën 25 njerëz dhe mijëra të tjerë u ndaluan nga forcat e sigurisë.
Ai së fundi kritikoi po ashtu trajtimin e të burgosurve politikë, duke iu referuar një vetëvrasjeje të kohëve të fundit në burg, pa përmendur ndonjë emër.
“E njëjta retorikë e vjetër”
Megjithatë, Ahmedinexhadi gjithashtu ishte akuzuar gjatë presidencës së tij si përgjegjës për arrestimin dhe burgosjen e mijëra protestuesve dhe politikanëve të opozitës pas zgjedhjeve të vitit 2009, në të cilat rizgjedhja e tij u vu në diskutim si ilegjitime.
Ahmedinexhadi qe favoriti i Këshillit të Rojeve në 2009-n, kur pretendimet për mashtrim nxitën protestat më të mëdha në vend që nga 1979-ta. I njëjti këshill i hoqi vizën kandidaturës së tij në vitin 2017.
Me gjithë kritikën e tij të ashpër këtyre muajve ndaj qeverisjes, Ahmedinexhadi ia ka dalë ta shmangë fatin e politikanëve të tjerë.
Analistët thonë se ai qëndron pranë disave në fraksionet konservatore dhe se arrestimi i tij tani do të qe një gabim.
Abas Abdiu është i mendimit se Ahmedinexhadi nuk përbën kërcënim për qeverinë e Ruhanit, sepse ka mbështetje të vogël publike.
Dy kandidatët e opozitës që garuan kundër tij në vitin 2009, Mir Husein Musavi dhe Mehdi Karubi, mbeten në arrest shtëpie më tepër se shtatë vite më vonë.
Shumë analistë besojnë se fitorja e 2013-s e Ruhanit ishte një reagim ndaj presidencës së Ahmedinexhadit. Por, që atëherë, Ruhani ka bërë pak përparim në reformat politike dhe ekonomike. Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore ka dështuar po ashtu gjer tani për të sjellë përfitimin e pritur ekonomik për iranianët e zakonshëm, thonë vëzhguesit.
Këto dështime i kanë dhënë mundësi Ahmedinexhadit të rishfaqet dhe ta paraqesë veten si një kritik të ri të qeverisë, veçse me të njëjtën retorikë të vjetër populiste. Prapëseprapë, analistët shprehen se Ahmedinexhadi nuk do të mundet ta mëkëmbë imazhin e tij mes shumë prej votuesve të vendit.
“Ai as nuk ka kapacitetin e nevojshëm intelektual për ta arritur atë synim, as njerëzit rreth tij nuk janë në atë nivel që të përfaqësojnë shumicën e klasës së mesme të Iranit,” i vë pikën analisti politik Abas Abdi.
Përktheu: Bujar M. Hoxha – /tesheshi.com/