Nga Ermir Hoxha
Katër ditë pas shfaqjes së një videoje kur kreu i Bashkisë së Peshkopisë abuzonte seksualisht me një 20-vjeçare në këmbim të një vendi pune, kjo ngjarje ende nuk është fashitur dhe ka një konstante të pandryshueshme interesi, por dhe komenti. Dhe nuk ka dyshim që më shumë se një denoncim për arsye parimore nga ana adoleshentes guximtare në dukje, videoja është një komplot qartësisht me prapavijë politike, ku aktorët janë të shumtë, edhe nga media sigurisht.
Dhe me këtë rast duhet kujtuar se videoja “Xhelili” përbën kulmin e një denoncimi të tipit “zë e figurë”, që nis këtu e vite më parë në politikën shqiptare, duke ndjekur dhe trajektoren e avangardës teknologjike.
Në fillim ka qenë vetëm me zë, dhe bëhej fjalë për një regjistrim audio që dispononte botuesi Nikollë Lesi, ku Fatos Nano dhe Fehmi Abdiu, njëri kryeministër e tjetri kreu i Gjykatës Kushtetuese, kishin biseduar mbi një ligj që i hapte rrugë tregtisë së armëve. Biseda mes tyre, e cila mendohej se ishte zhvilluar në kafenenë e Rognerit, u publikua aty nga viti 2004, pikërisht në kulmin e një përplasjeje mes Nanos dhe Lesit, por nuk është se pati ndonjë efekt të fuqishëm në zhvillimet politike.
Ama duhet thënë, se trendi i përgjimeve, kishte pak vite që kish nisur, që me emisionin investigativ Fiks Fare, ku nisi të bëhej praktikë denoncimi me kamera të fshehta, por pa kapur nivele të larta.
Dy vjet më pas do vinte çimka e Top Channel-it, një beby-mikrofon që Spartak Ngjela, deputet dhe kreu i Komisionit të Ligjeve, kishte mbajtur në trup dhe kishte regjistruar me të një bisedë të ashpër me Sali Berishën. Biseda, e transmetuar në Fiks Fare, e marrë me ndihmën e çimkës – siç do pagëzohej ironikisht nga Berisha – çoi në “ngrirjen” e famshme të Filip Çakulit nga strukturat e larta të PD-së, por dhe në ftohjen mes Berishës dhe Ngjelës, që më pas do përfundonte në divorc të pakthyeshëm.
Më pas e ka radhën Pango. Në kulmin e një karriere politike, në postin e lartë të ministrit të Kulturës, ai denoncohet po në Fiks Fare me anë të një videoje, e interpretuar si abuzim seksual. Pango shkarkohet menjëherë nga posti, për t’u rehabilituar në kohë, pasi fitoi dhe gjygjin ndaj Top Channel-it. Duhet thënë se rasti i tij ishte një intelektualizëm i vërtetë erotik në raport me ordinerllëkun deri në perversitet të Shukes. Nga Pangoja, në memorie do mbeteshin vetëm “mbërtheckat”, siç po mbeten “brekët e grisura” në rastin më të freskët, pasqyrim kuptimplotë i diferencës mes dy rasteve.
Dhe më e rënda video, por pa natyrë erotike, do ishte ajo me Ilir Metën zëvëndëskryeminstër, që me “bllokun” e tij të famshëm do bënte pazare milionëshe pushteti, së bashku me mikun e tij politik, më pas të shndërruar në armik, Dritan Prifti.
Ishte tipikisht një video që mund të thuhet i nxorri “brekët pushtetit”, por që tragjikisht pasoi me 4 viktima dy ditë më vonë.
Një video tjetër pak vite më vonë dhe që do i destinohej një personazhi të Rilindjes, Koço Kokëdhimës, do ishte ajo me protagonist një tip sekretari në zyrën e tij në Sarandë, i cili po ashtu kërkonte favore seksuale. Të gjitha bateritë e akuzave ranë mbi Koçon, ndërsa personi u dënua me burg. Për këtë video, përflitet se u investuan miliona nga një grup “armiqsh” të Koços nga vetë radhët e mazhorancës në nivel lokal, pra në Sarandë.
Dhe jo vetëm politikanët do jenë protagonistë videosh. Një vit më parë, gazetari dhe moderatori Sokol Balla do binte viktimë e një videoje erotike, por ndryshe nga rastet e tjera, skenat i kishte xhiruar vetë. Komploti në këtë rast ishte i atyre që thjesht ia publikuan, dhe flitet se ideatori vinte nga Prishtina, në mediat e së cilës u shfaq dhe për herë të parë.
Dhe së fundi pra kemi dhe rastin e Shukri Xhelilit, ndërkohë që përflitet dhe për sa e sa video të tjera që janë në pritje për t’u shfaqur, në varësi të situatave dhe lëvizjeve politike.
“Çfarë të bën teknologjia, s’ta bën as Perëndia!”, është thënia që mund t’i shkojë më për shtat këtij fenomeni, jo vetëm shqiptar. /tesheshi.com/