Të apasionuarit pas futbollit në mbarë botën po presin me padurim gushtin dhe fillimin e sezonit në Ligën Profesionale Saudite (SPL), për të parë se në cilin drejtim do të shkojë një projekt i shtrenjtë.
Një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave në botë, Cristiano Ronaldo, në dhjetor të vitit të kaluar nënshkroi kontratë me Al Nassr-in. Tashmë gjatë verës, klubet saudite kanë sjellë dhjetëra lojtarë të tjerë me emër. Al Ittihad fitoi kampionatin sezonin e kaluar dhe tani është forcuar me Karim Benzema dhe N’gol Kante.
Përveç sjelljes së lojtarëve më të mirë të botës, ndryshime të tjera kanë ndodhur së fundmi në Arabinë Saudite, të cilat ekspertët thonë se mund të ndryshojnë të ardhmen e futbollit saudit dhe se projekti për ta kthyer ligën saudite në një nga dhjetë më të mirat në botë ka një bazë.
Katër klube të mëdha nën mbikëqyrjen e fondit shtetëror
Fondi mbretëror i shtetit, i mbikëqyrur nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, ka marrë përsipër katër klube të mëdha: Al Nassr dhe Al Hilal nga Riadi dhe Al Ittihad dhe Al Ahli nga Jeddah. Kalimi i pronësisë në Fondin e Investimeve Publike (PIF) shënoi fillimin e procesit të privatizimit të klubeve që deri më tani ishin nën kontrollin e Ministrisë së Sporteve dhe në mbështetjen financiare të shtetit.
Ky fakt cilësohet nga ekspertët e ekonomisë sportive si arsyeja pse liga saudite e futbollit nuk duhet të ketë të njëjtin fat si ajo kineze dhe ajo amerikane. Ata i referohen projektit të krijimit të një lige të fortë amerikane pesëdhjetë vjet më parë, kur amerikanët blenë yjet më të mëdhenj të botës si Pele, Beckenbauer, Johan Cruyff…
“Në të kaluarën ka pasur një përfshirje të konsiderueshme të shtetit në klubet e futbollit, më së shumti në drejtim të lehtësimit të borxheve, madje edhe së fundmi, në vitin 2022. Tani ata po përpiqen t’i transformojnë ato nga të qenit të varura nga shteti në organizata strategjike dhe biznesi shumë ambicioze,” i tha Al Jazeera-s Simon Chadwick, profesor i ekonomisë sportive dhe gjeopolitike në Shkollën e Biznesit SKEMA.
Sipas agjencisë shtetërore të shtypit Saudit (SPA), procesi synon të nxisë rritjen e sportit duke tërhequr investime të mëtejshme, duke përfshirë ndoshta lejimin e sektorit privat për t’u përfshirë në klube. Plani fokusohet në tre fusha kryesore: krijimi i një mjedisi tërheqës për investime, përmirësimi i menaxhimit të klubeve për t’i bërë ato më profesionale dhe të qëndrueshme financiarisht dhe rritja e konkurrencës duke përmirësuar infrastrukturën.
Para të mëdha të shpenzuara për lojtarë pak të njohur
Chadwick beson se klubet saudite mund të tërheqin blerës të jashtëm, të ngjashëm me ata në Premier League angleze.
“Arabia Saudite dëshiron të gjenerojë fonde investimi të brendshme nga investimet private amerikane ose investimet nga pjesë të tjera të botës, dhe për t’i bërë klubet tërheqëse, ata duhet t’i transformojnë ato për t’i bërë më të qëndrueshme komercialisht.”
Klubet saudite kanë qenë të njohura për faktin se shpenzonin shuma të mëdha parash më parë, por kryesisht për lojtarë më pak të njohur, të cilët nuk mund të sillnin zhvillimin e futbollit saudit në planin afatgjatë. Pat Janssen, i cili ishte shefi ekzekutiv i klubit të Riadit Al Shabab në 2017-18, shpjegon ndryshimin midis projektit aktual dhe asaj periudhe.
“Ne kemi përgatitur terrenin në kuadër të punës testuese. Nuk është se ne nuk ishim një ekip profesionist, por më shumë ka të bëjë me mënyrën se si bëni biznes jashtë fushës. Bërja e subjekteve private do t’i sjellë klubet në të njëjtin nivel me klubet më të mëdha në botë. Kjo do të thotë që ato do të veprojnë më mirë në terma afatgjatë dhe jo vetëm të mendojnë për vit pas viti, sepse është shumë e lehtë të shpenzosh paratë e qeverisë pa përgjegjësi”, tha Janssen për Al Jazeera-n.
Qëllimi fillestar i projektit është që të ardhurat e SPL të rriten nga 120 milionë dollarë aktuale në vit në 480 milionë dollarë deri në vitin 2030. Gjatë së njëjtës periudhë, vlera e ligës pritet të rritet në 2.14 miliardë dollarë, nga 800 milionë dollarë sot. Ardhja e Ronaldos vitin e kaluar solli në ligë nënshkrimin e dhjetëra kontratave për transmetimin e ndeshjeve jashtë vendit, dhe me ardhjen e shumë yjeve të rinj, pritet një interes edhe më i madh nga publiku botëror dhe nënshkrimi i kontratave të reja.
Do të krijohen 30,000 deri në 40,000 vende pune
Chadwick thekson se Botërori i fundit në Katar është prova më e mirë se futbolli mund të jetë i qëndrueshëm në Lindjen e Mesme dhe se Kupa e Botës mund të jetë model edhe për Arabinë Saudite.
“Kupa e Botës në Katar tregoi se vendet e Gjirit mund të kapërcejnë hendekun midis pritshmërive dhe realitetit dhe se ajo që synohet mund të arrihet me sukses. Arabia Saudite po frymëzohet nga kjo dhe beson se mund të ketë sukses aty ku vendet e tjera aziatike kanë dështuar”, tha Chadwick.
Transferimi i pronësisë së klubeve nga shteti te Fondi i Investimeve Publike do të ndikojë ndjeshëm në skenën sportive në Arabinë Saudite, si brenda dhe jashtë vendit, sipas ekspertit të marketingut sportiv Khalid al-Rubian.
“Ndikimi do të jetë i madh, qoftë brenda apo ndërkombëtar. Efekti më i madh i brendshëm i këtij vendimi do të jetë krijimi i mundësive të mëdha për të rinjtë sauditë. 30,000 deri në 40,000 vende pune do të krijohen vetëm në dy vitet e para, që është një tregues i madh i investimeve dhe mbështetjes së vazhdueshme të Mbretërisë për të rinjtë dhe punësimin e tyre”, tha ai për Al Arabya English.
Ai shton se rritja e kontributit të sektorit privat në sektorin e sportit është gjithashtu një rezultat i rëndësishëm i vendimit të trashëgimtarit të fronit për të lejuar privatizimin e klubeve sportive.
Krahas katër klubeve të lartpërmendura, të cilat u morën nga PIF, katër klube të tjera u shndërruan në kompani dhe pronësia e tyre iu kalua agjencive zhvillimore. Pronësia e Al Qadisiyah Club iu transferua Saudi Aramco, pronësia e Diraiyah Club iu transferua DGDA, pronësia e Klubit Al Ula tek Komisioni Mbretëror për Al Ula (RCU) dhe pronësia e Suqoor Club te NEOM.
Ronaldo: Mund të jetë në pesë ligat më të mira në botë
Edhe pse sauditët kanë vendosur një synim për të krijuar një ligë ndër më të mirat në botë, Ronaldo madje beson se liga ka potencialin të jetë në mesin e pesë ligave më të mira në botë në vitet e ardhshme nëse investimet në infrastrukturë vazhdojnë.
“Liga është shumë e mirë, konkurruese, por ne kemi ende shumë hapësirë për rritje. Kemi ekipe shumë të mira, lojtarë shumë të mirë arabë. Duhet të përmirësojmë pak më shumë infrastrukturën. Nëse ata vazhdojnë të bëjnë punën që duan për pesë vitet e ardhshme, liga saudite mund të jetë liga e pestë më e mirë në botë”, tha ai në një intervistë.
Megjithatë, projekti saudit është kundërshtuar nga shumë ish-yje botërorë, të cilët shprehin shqetësimin për të ardhmen e futbollit. Në radhë të parë shqetësohen anglezët, të cilët kanë frikë se dollarët sauditë mund të tërheqin shumë yje në të ardhmen, të cilët e bëjnë ligën angleze ndoshta më të mirën në botë sot.
Ish-ylli saudit i Al Hilal dhe një nga lojtarët më të mirë sauditë në histori, Yasser Al-Qahtani i është përgjigjur komenteve që kritikojnë politikën e Arabisë Saudite për të marrë emra brilantë nga ligat evropiane për të forcuar ligën saudite, duke i quajtur ata “naivë”. Al-Qahtani ka shkruar në Tëitter se po të mos ishte vendi i tij, nuk do t’u përgjigjej “kllounëve”, siç i quajti ai.
Ekspertët: Projekti i futbollit saudit ka një të ardhme
Ai iu referua komenteve të ish-lojtarëve të Anglisë, Gary Neville dhe Jamie Carragher, të cilët janë kundërshtarë të vendosur të politikës saudite në këtë drejtim, së bashku me presidentin e Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) Aleksandar Ceferin. Al-Qahtani i tha Ceferinit se do të ishte më mirë të rregullonte situatën në futboll në vendin e tij, duke i kujtuar se Arabia Saudite ka marrë pjesë gjashtë herë më shumë në Botërorë sesa vendlindja e tij Sllovenia.
E ndërsa yjet e famshëm të futbollit shprehin shqetësimin për futbollin europian për shkak të largimit të një numri të madh lojtarësh më të mirë, ekspertët e ekonomisë theksojnë se projekti saudit ka të ardhme. /tesheshi.com/