Kreu demokrat Basha u shfaq dhe me një tjetër risi në komunikimin publik, atë të komunikimit live me qytetarë të ndryshëm në FB. Në njërin prej tyre, teksa pyetej për hapjen e PD-së, Basha gjeti rastin të thotë se partia që ai drejton po ndihmohet nga forca me prestigj botëror.
“Ka dy vjet që e kemi garantuar me letra siç i thonë, e kemi në statut, por po përgatitemi me ndihmën e disa prej partive tona simotra që kanë përvojë në procese të tilla, siç është Partia Konservatore e kryeministrit Boris Johnson dhe Partia Republikane Amerikane dhe natyrisht CDU gjermane. Janë tre parti që po na ndihmojnë.
Brenda PD-së kemi një proces të hapur për kandidimin, pra kush ka dëshirë të kandidojë ka mundësinë të kandidojë për të përfaqësuar PD-në në nivel qendror dhe në nivel lokal. Kemi një proces filtri të mirëfilltë për të garantuar që cilësia e kandidatëve tanë të jetë më e lartë e mundshme”, tha Basha.
Ai i mëshoi fort cilësisë së kandidatëve, duke theksuar si kriter dhe besimin në Zot.
“Si sa i përket integritetit, pra të jenë njerëz të ndershëm, natyrisht pa rekorde kriminale. Por edhe njerëz të pakorruptuar dhe të jenë njerëz që të besojnë në vlerat e Partisë Demokratike, vlerat konservatore europiane: besimi në Zot, në familje, në atdhe, dhe të ndajnë bashkë me këto vlera edhe programin tonë politik”, theksoi Basha. /tesheshi.com/