Antoine Demoitie, çiklisti 25-vjeçar i skuadrës Wanty-Groupe Gobert, ka ndërruar jetë në spital pasi u godit nga një motoçikletë në garën Gent-Wevelgem.
Një garë klasike çiklizmi, e zhvilluar këtë të dielë, ajo është bërë skenë e një përplasjeje e të një numri çiklistësh, pas së cilës një motoçikletë e ka goditur çiklistin belg.
Aksidenti tragjik ndodhi ndërsa çiklistët po pedalonin në veri të Francës. Demoitie u dërgua në një spital të Lilës, por nuk u rezistoi dot plagëve.
Ekipi i tij lajmëroi fillimisht në orët e mbrëmjes të së dielës se çiklisti belg ishte në gjendje të rëndë, ndërsa vdekjen e lajmëroi policia franceze.
“Çiklisti vdiq. Po kryhet një hetim për të përcaktuar rrethanat,” deklaroi zëdhënësi i policisë rajonale franceze. /tesheshi.com/