Nga Gjergji Koja
Vjeshta që po afron nuk pritet të sjellë ndryshime të mëdha në Partinë Demokratike, me përjashtim të rinovimit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar, që janë pjesë e këtij forumi jo si të zgjedhur, por si deputetë.
Kështu, anëtarë të Këshillit Kombëtar do të jenë të gjithë deputetët e PD-së, dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit, ndërsa ish-ligjvënësit me shumë pak përjashtime do të humbasin këtë funksion.
Nga të gjithë ata që sot konsiderohen si kundërshtarë të Lulzim Bashës brenda PD-së, vetëm Jozefina Topalli mbetet si anëtare e Këshillit, kjo për shkak se statusi përcakton se ish-kryetarët, ish-kryeministrat dhe ish-kryeparlamentarët që nuk kanë shkuar në ndonjë forcë tjetër politike, janë automatikisht anëtarë të këtij forumi.
Por referuar faktit se në 4 vitet e para të drejtimit të PD-së nga Basha, Këshilli Kombëtar u mblodh vetëm 1 herë, vlera e këtij forumi në vendimmarrjen e partisë më të madhe të opozitës ka rënë ndjeshëm, edhe pse statuti e përcakton si institucionin më të lartë politik mes dy Kuvendeve zgjedhore.
Burime nga PD shprehen për tesheshi.com se nëse zbatohet statuti me përpikmëri, ashtu sikundër ndodhi në rastin e zgjedhjes së kreut të PD-së, atëherë organizimi i brendshëm nis në vjeshtën e vitit tjetër, kur mbaron edhe mandati i anëtarëve të kryesisë, sekretarëve apo këshillit kombëtar.
E vetmja mënyrë që demokratët të nisin një proçes zgjedhor të brendshëm për zgjedhjen e sekretarëve, kryesisë dhe këshillit kombëtar është ose dorëheqja e tyre nga pozicionet që kanë, ose thirrja e Kuvendit Kombëtar dhe ndryshimi i rregullave të lojës.
Të dyja opsionet mbeten të hapura përsa kohë PD do të duhet të riorganizohet për zgjedhjet më të afërta, që përkojnë me ato lokale të 2019-ës.
Tesheshi.com ka mësuar se nisur nga kushtet e krijuara dhe përplasjet në PD nuk përjashtohet mundësia që Sekretarët e forcës më të madhe të opozitës të paraqesin dorëheqjet, duke i çelur rrugën riorganizimit. Postet më të rëndësishme janë ato të Sekretarit të Përgjithshëm, që në bazë të statutit konsiderohet nr 2 i partisë dhe ai i Organizimit, që praktikisht ka për detyrë të organizojë të gjitha strukturat në rrethe. Në të dy këto pozicione janë Arben Ristani dhe Enno Bozdo, i pari nuk arriti të fitonte një vend deputeti duke u renditur i 4-ti në qarkun e Vlorës, ndërsa tjetri nuk ishte fare në listat e kandidatëve të PD-së.
Praktikisht në selinë blu për të dy sekretarët thuhet se do të paraqesin dorëheqjet, kjo jo vetëm për shkak të rezultatit të dobët në zgjedhje, por edhe për përplasjet që janë krijuar mes tyre dhe kreut demokrat.
Ndryshimi i strukturës
Burime nga PD shprehen se prej disa kohësh po shqyrtohet mundësia e ndryshimit të strukturës së organizimit të kësaj partie. Një variant është që të shtohet numri i nënkryetarëve nga dy që janë aktualisht, ku veç kreut të grupit parlamentar dhe numrit dy të Kuvendit, që automatikisht marrin funksionet në parti, të ketë 1 apo 2 të tjerë, që do të zgjidhen me votë nga Këshilli Kombëtar. Burimet theksojnë se kjo do të bënte të mundur që shtesa me një apo dy pozicione do të sillte një organizim më të mirë dhe do të ishin një ndihmesë më shumë për kreun e PD apo Sekretarin e Përgjithshëm.
Gjithashtu po diskutohet varianti që jo domosdoshmërisht Sekretariati të ketë në përbërjen e tij deputetë, që do të thotë që edhe Sekretari i Përgjithshëm mund të jetë jashtë grupit parlamentar.
Kjo do të çonte në një ndarje të angazhimeve, ku ato që quhen burokratë partie do të angazhoheshin në çështjet e organizimit, ripërtëritjes së strukturave dhe lidhjes së tyre me bazën e PD, ndërsa grupi parlamentar do të angazhohej në betejën politike në sallën e Kuvendit.
Por nëse ky organizim do të vihet në funksionim, atëherë ai mund të shërbente edhe si një mënyrë për të kënaqur ata që sot mund të jenë të qejfmbetur apo e shikojnë veten të distancuar nga politika dhe PD për shkaqe të ndryshme, përfshi këtu edhe përplasjet me Bashën.
Prioritetet
Hapi i parë që do të përballen demokratët me nisjen e Kuvendit të ri është zgjedhja e kreut të Grupit Parlamentar dhe zv.kryetarit të Kuvendit, të cilët automatikisht kalojnë në pozicionet e nënkryetarëve të PD. Në 4 vitet e shkuara zgjidhja që u gjet ishte komandimi i Edi Palokës në krye të Grupit Parlamentar, çka automatikisht e çoi në postin e nënkryetarit, si dhe zgjedhja e Edmond Spahos si zv.kryetar i Kuvendit dhe automatikisht në të njëjtin pozicion në PD. Nëse Paloka dhe Spaho do të ruajnë të njëjtat pozicione në Kuvend, atëherë edhe postet e nënkryetarëve nuk ndryshojnë. Por burime nga PD shprehen se për kreun e grupit parlamentar dhe zv.kryetar të Kuvendit ka disa kandidatë, mes të cilëve edhe Enkelejd Alibeaj apo Dhurata Çupi. Ndërkohë zyrtarisht mësohet se Basha ka nisur konsultimet me anëtarët e kryesisë, grupit të ri parlamentar dhe bashkëpunëtorë të tij, në lidhje me emrat që do të propozohen.
Një tjetër prioritet për demokratët, që nis po nga shtatori, është nisja e proçesit të analizave sipas degëve në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Basha ka premtuar një analizë të plotë për nxjerrjen e përgjegjësive në lidhje me rezultatin, i cili konsiderohet në minimumin e tij në 27 vitet e ekzistencës së PD.
Burime shprehen se ende nuk ka një datë se kur do të nisë ky proçes, ndërsa fillimisht do të ngrihen grupet e punës që do të delegohen sipas qarqeve. Sipas burimeve, është menduar që kreu demokrat të jetë i pranishëm në shumicën e analizave që do të kryhen, kjo edhe për faktin që të mos krijohen përplasje për shkak të interesave të grupimeve të ndryshme.
Reforma Zgjedhore, është një nga çështjet që do të shihet me prioritet nga PD që me nisjen e punimeve të legjislaturës së re parlamentare. Tesheshi.com ka mësuar se grupi i ekspertëve pranë kësaj partie do të përgatisë të gjithë draftin e propozimeve, ndërsa mazhorancës do t´i kërkohet të angazhohet për realizimin e një reforme të plotë.
Nuk dihet sesa PD do i qëndrojë variantit të propozuar nga Basha për një sistem mazhoritar të pastër dhe për reduktimin e numrit të deputetëve nga 140 në 100, gjë që kërkon edhe ndërhyrje në Kushtetutë. Por burimet pohojnë se gjithçka do të nisë bazuar në faktet dhe provat e mbledhura për zgjedhjet e 25 qershorit, për të cilat demokratët pretendojnë se ka deformime të votës. /tesheshi.com/