Nga Mensur Krasniqi
Televizioni amerikan BBC ka publikuar një dokumentar për diplomatin Metju Nimiç, i cili më shumë se dy dekada u është përkushtuar bisedimeve për dallimet rreth emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë.
Duke luajtur rolin e ndërmjetësuesit, Nimiç ka befasur me deklaratën e tij pasi që ka arsyetuar frikën e Greqisë nga irredentizmi dhe pretendimet territoriale te maqedonasit që sipas tij nuk është e shpikur.
“Në tre gjeneratat e fundit ky lloj i kërcënimeve ka qenë i vërtetë në vend. Ajo ndienjë që gjithmonë jemi të rrethuar. Në Ballkan çdo vend ka histori të ndarjes ose luftë me fqiun në periudhë të caktuar”, tha Nimiç për BBC.
Për Nimiç, “Maqedonia e re” do ishte emër i mundshëm për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar. Mirëpo edhe ky emër do t’i kishte prekur maqedonasit të cilët pretendojnë se kanë ardhur në këtë vend në shekullin e 9-të dhe duan të ndjehen si trashëgimtarë si të gjithë të tjerët.
Në vazhdim, Nimiç parashikon se qeveria e re e Maqedonisë në krye me Zoran Zaev do të gjejë një zgjidhje të shpejtë për kontekstin e emrit, ndryshe humbet optimizmi dhe shpresa për anëtarësim në BE dhe NATO.
Sipas analistëve politikë në Maqedoni, Metju Nimiç në vend se të kontribuojë që njëherë e përgjithmonë të zgjidhet problemi i këtyre dy shteteve, ai i shton vaj-zjarrit që kaq vite është i ndezur.
Deklarata e ndërmejtësuesit Metju Nimiç se “frika greke nga irredentizmi maqedonas nuk është e shpikur”, në përkthim don të thotë që pretendimi territorial i Maqedonisë ndaj Greqisë është real, sipas komentatorit politik Abdylvehab Ejupi, që shton gjothashtu se është i pabazë, jo-real, e mbi të gjitha i pamundur. Kjo veçanërisht është edhe shqetësuese kur plasohet nga ai që 25 vite merret me këtë punë dhe supozohet ë njeh mirë kontekstin dhe kontestin mes dy shteteve, në gjykimin e Ejupit.
“Atë që ka deklaruar Nimic për BBC, vetëm i shton vaj-zjarrit që kaq vite është i ndezur. Si ndërmjetësues ai duhet të ofron zgjidhje konkrete e të ketë qasje përafruese dhe inklusive”, deklaroi për tesheshi,Abdylvehab Ejupi.
Ndërsa sa i përket asaj që qeveria Zaev shpejt do të zgjidhë çështjen e emrit, Ejupi kujton se të njejtën e premtoi edhe Gruevski në 2006 kur fillimisht erdhi në pushtet, por ja që kaluan plot 11 vite e “emri” vazhdon të jetë pengesë e pakaluar për Maqedoninë.
“Këtu më shumë sesa përpjekjet nga jashtë, nevojitet aktivizim i brendshëm më gjithpërfshirës, veçanërisht pala shqiptare aktivisht duhet të participon në zgjidhjen e çështjes. Koha që shqiptarët të përfshihen në bisedimet për çështjen e emrit të Maqedonisë ka qenë gjithmonë, dhe moskyçja e lënia anash e kësaj problematike si çështje vetëm e maqedonasve nga partitë e deritanishme shqiptare, mes tjerash, është ndër gabimet dhe dëmet më të mëdha që ata kanë bërë shtetit dhe veçanërisht shqiptarëve këtu në Maqedoni. Kjo nga shkaku se emri i shtetit thelbësisht është i lidhur edhe me identitetin politik të shoqërisë/ive që jeton në atë hapësirë. Kështu, Maqedonia nuk është shtet-komb por multietnik, e ndërsa shteti përfaqëson dhe favorizon vetëm një etni, atë maqedonase, etnikumet tjera, veçanërisht shqiptarët që përbejnë të paktën çejrekun e shoqërisë nuk përfaqësohen, rrjedhimisht nuk e ndjejnë si të tyre këtë shtet. Pastaj, kontributi i elementit shqiptarë në emrin e shtetit vetëm do të shtonte mundësinë e zgjerimit të kohezionit brenda gjitha komuniteteve në shtet, si dhe arritja e gjetjes së një emri të pranueshëm/kompromisi do të zhbollokonte pengesat nga Greqia e fqinjët tjerë nga jashtë që mbajnë të bllokuar këtë shtet”, shtoi Ejupi.
Me të njëjtën vijë ka komentuar edhe komentatori Xhenis Sulimani i cili i quan të palogjikshme vlerësimet e Greqisë se kinse Maqedonia ka pretendime territoriale ndaj saj.
“Maqedonia nuk posedon kapacitete që ta ketë luksin për këtë gjë as që ta mendojë e lëre më të pretendojë një gjë të tillë në praktikë. Greqia tanimë është e bindur se kontestit me emrin po i vjen fundi dhe shikuar nga ky aspekt, jo e rastësishme edhe kjo formë e të menduarit. Ata e dinë se faktori ndërkombëtar do të insistojë në këtë gjë. Grekët janë të vetëdijshëm se në çështje ndërmjetësimi, gjithmonë diplomacia fiton. Ata janë te vetëdijshëm se çfarëdo zgjidhje nuk do t’i kënaq maksimalisht grekët, prandaj me kësi lloj retorikash tentojnë të fitojnë diçka më tepër. Megjithatë kësi cilësime për irredentizëm mendoj se janë të tepruara dhe nuk u ndihmojnë asgjë”, u shpreh për tesheshi.com, Sulimani.
Dhe, në mënyrë që të dallohet nga qeveria e Gruevskit, si qeveri reformatore, Sulimani thotë se Zaev duhet të bëjë diçka ndryshe nga paraardhësi tij në këtë drejtim.
“Kjo zgjidhje nuk do të jetë e lehtë as për Maqedonisë, por, politikisht, kompromiset diktojnë politikat dhe Qeveria e re, pavarësisht çmimit nëse do ta vërtetojë epitetin “Qeveri reformatore” duhet bëjë dicka ndryshe nga regjimi i Nikolla Gruevskit”, përfundoi Sulimani.
Ndryshe, konteksti i emrit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë me dekada të tëra ngelet barriera kryesore për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO. /tesheshi.com/