Pas nxjerrjes prej Kupës së Mbretit të Real Madrid-it për shkak të parregullsive në aktivizimin e lojtarëve, eliminimi i mbrëmshëm i skuadrës tjetër me emër të Madridit, Atletico-s, është befasia më e madhe e këtij aktiviteti.
Me takimin e parë ndaj Celta Vigo-s të përfunduar 0-0, dukej se kualifikimi i Atletico-s për në gjysmëfinale nuk do të paraqiste vështirësi. Por gjithçka ka rezultuar ndryshe mbrëmë në “Vicente Calderon”, kur miqtë kanë bërë surprizën.
Lojtarët e Celta-s do të kalonin të parët në epërsi me golin e Hernandez-it, për t’u barazuar në minutën e 29-të. Dy golat në pjesën e dytë sërish për udhëtuesit e thelluan epërsinë e tyre, ndërsa vendasit thjesht e ngushtuan atë në minutën e 81-të me golin e Correa-s.
I tërë takimi përfundoi 2-3 për Celta Vigo-n, që iu gëzua daljes në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit. Për Atletico Madrid-in, ky është rezultati i tretë zhgënjyes në radhë, pas dy barazimeve pa gola, njërit ndaj Celta-s për Kupën e Mbretit, e tjetrit ndaj Sevilla-s të dielën që shkoi në kuadër të kampionatit. /tesheshi.com/