Këtë vit US News botoi një studim sipas të cilit Suedia është përzgjedhur si vendi më i mirë në botë për të patur e rritur fëmijë.
Susanna Le Forestier, një nënë 41-vjeçare e dy fëmijëve, nuk pati nevojë ta kuptojë këtë nga ky studim.
Ajo punon në një agjenci qeveritare që promovon të gjitha gjërat e mëdha që Suedia po bën nëpër botë. E mes virtyteve të shumta të vendit, edhe politikat më bujare të pushimit prindëror.
Prindërit e rinj në Suedi kanë të drejtë për 480 ditë pushim me pagesë për një fëmijë me 80% të pagës së tyre normale. Ata janë të lirë të ndajnë kohën sipas dëshirës, edhe pse njëri prind duhet të shfrytëzojë të paktën 90 ditë pushimi.
Nëse ata nuk e bëjnë këtë, kjo kohë konsiderohet e humbur; një situatë thuajse e pamundur duke marrë parasysh faktin se ditët e pushimit nuk skadojnë deri sa fëmija të mbush 8 vjeç. Kjo u lejon njerëzve që të kombinojnë ditët e tyre të pushimit vjetor me ditët e mbetura të pushimit prindëror, si dhe të përdorin kohën e lirë për udhëtime të gjata verore ose vizita të natyrave të tjera, ndërkohë që fëmijët e tyre të rriten.
Por përfitimet më të mëdha të këtij pushimi bujar prindëror, sigurisht vijnë në muajt e parë, kohë kur prindërit janë me të vegjlit e tyre kur këta të fundit ballafaqohen me “të parat” e tyre: buzëqeshjen e parë, fjalën e parë, hapin e parë.
Le Forestier dhe burri i saj kaluan nëpër rrugën e shumicës së prindërve, dhe të dytë e kanë ndarë pushimin në mënyrë të barabartë.
Secili ka qëndruar në shtëpi disa ditë të javës gjatë kohës kur fëmijët e tyre ishin akome bebe, por Le Forestier thotë se atyre u kanë mbetur edhe rreth 100 ditë pushimi për birin e tyre 4-vjeçar dhe 200 ditë për vajzën e tyre 3-vjeçare.
Le Forestier thotë se ajo gjithashtu ka marrë një mbështetje të madhe sociale si një nënë e re. Kur djali i saj 4-vjeçar ishte bebe, ajo i lexonte atij në bibliotekë, kërcente me të gjatë ushtrimeve nënë-fëmijë në palestër, si dhe merrte pjesë në shfaqje të rezervuara për prindër në kinematë lokale.
Gjatë gjithë kësaj, Le Forestier thotë se kurrë nuk e ka përjetuar detyrimin për t’u kthyer në punë, si një re shiu që rri pezull mbi të. Shefi i saj ishte befasuar kur Le Forestier e kishte njoftuar atë se ajo ishte shtatzënë me fëmijën e dytë vetëm një muaj pasi ajo ishte kthyer nga pushimi i saj i parë – thotë ajo – e megjithatë ai ishte ndjerë i gëzuar.
“Për burrin tim puna qëndron pak më ndryshme”, thotë ajo.
Burri i Le Forestier-së punon në një kompani private në një qytet të vogël jashtë Stokholmit, andaj ajo thotë se atij i duhet ta sqarojë veten pak më shumë se ajo, por ligji është ligj, kështu që kërkesa e tij për pushim u miratua pavarësisht.
Shumë hulumtime rreth produktivitetit të punëtorëve sugjerojnë se punonjësit do të jenë në pozitë më të mirë, sa më shumë qeveritë ose kompanitë të marrin mësim nga Suedia. Kur njerëzit kanë më shumë kohë për të shpenzuar me familjen, ata kanë tendencë të jenë të lumtur dhe të bëjnë punën më mirë.
Kjo lloj mbështetjeje e gjerë ka çuar në një pako të gjerë të politikave që kanë për qëllim të ndihmojnë fëmijët të kenë një start sa më të mirë të mundshëm në jetë. Për shembull, kujdesi ditor në Suedi është i garantuar për çdo fëmijë dhe është shumë mirë i subvencionuar nga qeveria. Le Forestier thotë se asaj do t’i kushtonte 1,300 dollarë në muaj për të dërguar dy fëmijët e saj në kujdesit ditor, ndërsa në fakt ajo paguan vetëm 165 dollarë.
Atje, fëmijët e saj përgatiten për në shkollë, ndërkohë që kanë kohë të mjaftueshme edhe për lojë. Plus, ata hanë mirë. “Dhe ushqimi është me të vërtetë i mirë,” thotë ajo në lidhje me drekat në shkollë. “E tëra është organike, shumë e shëndetshme, dhe ata hanë së bashku çdo ditë. Është shumë i mirë. Sistemi është shumë i mirë”, përfundon ajo. /tesheshi.com/