Ministri i Jashtëm turk, Mevlud Çavusholu i tha homologut të tij amerikan, John Kerry gjatë një bisede telefonike mes tyre, se edhe Rusia edhe Turqia janë në dijeni të përfshirjes së Gylenit në vrasjen e ambasadorit rus. Të dy ministrat patën një telefonatë me kërkesë të Kerry-t, njoftuan burime diplomatike të martën.
Këto burimet thanë se diplomati i lartë i Ankarasë i tha Kerry-t se “Turqia dhe Rusia e dijnë se organizata FETO qëndron prapa vrasjes së ambasadorit rus Andrey Karlov”, ngjarje e ndodhur të hënën në mbrëmje gjatë një fjalimi në një ekspozitë në Ankara.
Tashmë, prej 24 orësh është formuar opinioni zyrtar se atentatori që vrau diplomatin rus ishte një gylenist. I pari që e tha këtë ishte kreu i Bashkisë së Ankarasë, e më pas disa media ofruan të dhëna të dokumentuara mbi të qënit e 22-vjeçarit vrasës si anëtar i FETO-s. Megjithatë, pasi qëlloi mbi trupin e ambasadorit Karlov, ai tha se e bënte këtë në emër të Halepit. /tesheshi.com/