Skuadra kampione e Francës, PSG-ja, nuk ka pasur një ecuri të mirë në javët e para të sezonit të ri. Madje në dy takimet e fundit në kampionat, ekipi më i mirë francez në vitet e fundit ka mundur të marrë vetëm një pikë.
Dhe një prej të kritikuarve ka qenë dhe Edinson Cavani, tanimë sulmuesi kryesor i skuadrës pas largimit të Ibrahimovic-it.
Kritikat u bënë më të forta në fillim të kësaj jave, kur Cavani humbi një sërë rastesh në barazimin në Champions League mes PSG-së dhe Arsenal-it.
Por uruguajani nuk ka vonuar t’u përgjigjet kritikëve me katër gola, të shënuar mbrëmë në ndeshjet hapëse të javës së pestë të kampionatit francez.
E luajtur në stadiumin “Michel d’Ornano”, ndeshja Caen – PSG është mbyllur me fitoren e thellë, 0-6, të miqve.
Pjesa e parë ka përfunduar 0-4, e të gjithë golat i ka shënuar Cavani. Lucas Moura dhe Augustin kanë thelluar rezultatin në 45 minutat e dyta.
Ky ishte goli i pestë i Cavani-t në kampionat, ndërkohë që listën e golashënuesve e kryeson Lacazette, me gjashtë gola.
PSG-ja e udhëheq kampionatin francez me dhjetë pikë, por do duhet t’u lëshojë vend skuadrave të tjera pasi dhe ato t’i luajnë takimet e tyre. /tesheshi.com/